Qeveria s’tregon nëse do të shtyjë sërish afatin për targat, BE kërkon kohë të mjaftueshme

Aktuale

Qeveria s’tregon nëse do të shtyjë sërish afatin për targat, BE kërkon kohë të mjaftueshme

Më: 3 shtator 2022 Në ora: 11:11
Foto ilustrim

Qeveria e Kosovës nuk ka treguar nëse do të marrin vendim për ndonjë shtyrje të sërishme të afatit për targat ilegale dhe regjistrimin e tyre në RKS. Ndërkohë, Bashkimi Evropian thotë se Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht targat KM, por është e rëndësishme që të jepet kohë e mjaftueshme për zbatimin e këtij plani. 

Media ka pritur dy ditë për një përgjigje nga ana e ekzekutivit për zbatimin e vendimit për targat ilegale dhe mundësitë që të ketë një shtyrje të sërishme të afatit dy mujorë për kthim të tyre në RKS, mirëpo të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm. 

Nga ana tjetër, një zëdhënës i Komisionit Evropian, thotë për KP, se zbatimi i vendimit për targa ilegale duhet të zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët e prekur, dhe në përputhje me praktikat e mira evropiane.

Sipas tyre, edhe konkluzionet e Lirisë së Lëvizjes nga viti 2016 përfshinin afate kohore shumë më të gjata për ri-regjistrimin. 

“Qëndrimi i BE-së për çështjen e targave është bërë i qartë në disa raste. Sipas Marrëveshjeve të Dialogut për Lirinë e Lëvizjes të vitit 2011 dhe 2016, Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht tabelat KM. Megjithatë, është e rëndësishme që të jepet kohë e mjaftueshme për zbatimin e këtij plani dhe që ai të përgatitet dhe zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët e prekur, dhe në përputhje me praktikat e mira evropiane. Konkluzionet e Lirisë së Lëvizjes nga viti 2016 përfshinin afate kohore shumë më të gjata për ri-regjistrimin, të cilat duhet të ofrojnë udhëzime për procesin në fjalë”, thuhet në përgjigjen e tij për KosovaPress. 

Në Bashkim Evropian janë optimist se qasja konstruktive dhe pragmatike e Kosovës dhe Serbisë, sikur në marrëveshjen për dokumente do të sjell rezultate pozitive. 

“Marrëveshja për dokumentet e hyrje-daljes tregon se një qasje konstruktive dhe pragmatike sjell rezultate pozitive dhe ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të përdorin dialogun e lehtësuar nga BE-ja si platformë për të adresuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet e hapura ndërmjet tyre në mënyrë të ngjashme, duke përfshirë edhe ato që lidhen me targat”, theksohet në përgjigjen e BE-së. 

Ndërkohë, nga shoqëria civile në Kosovë kërkojnë nga kryeministri Kurti që mos të problematizojë çështje dytësore, por të fokusohet te marrëveshja finale.

Arbër Thaçi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se diskutimi i çështjeve të tilla teknike i shkon në favor Serbisë.

Thaçi: Qeveria mos të problematizojë çështje dytësore, por të fokusohet te marrëveshja finale

“Tek çështja e targave mendojmë se çështja e parë që duhet të vlerësohet këtu se problematizimi i çështjeve të tilla dytësore i shkon për shtati politikës serbe në raport me Kosovën. Rekomandimi ynë i parë është se për aq sa është e mundur temat e tilla të cilat i takojnë domenit të çështjeve dytësore të lihet pas dore dhe të fokusohemi drejt marrëveshjes kryesore. Në rrethanat e targave, çështja është më komplekse sepse kemi një vendim dhe qeveria po insiston në zbatimin e tij. Vlerësuar nga një pikëpamje e përgjithshme besojmë se zgjidhja më e mirë është ajo që arrihet përmes bisedimeve dhe shtensionimit të situatës”, thotë ai. 

Të enjten ka hyrë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për fillimin e regjistrimit të mjeteve nga targat ilegale në RKS. 

Sipas njoftimit të tyre mëngjesin e së njëjtës ditë vetura e parë e regjistruar nga ndodhur në Prizren. 

Sipas vendimit të ekzekutivit, qytetarët serbë në Kosovë kanë kohë deri më 31 tetor që të rikthejnë targat e tyre të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat