​LDK i kërkon Qeverisë të adresojë urgjentisht krizën me energji, grevat dhe inflacionin e lartë

Aktuale

​LDK i kërkon Qeverisë të adresojë urgjentisht krizën me energji, grevat dhe inflacionin e lartë

Më: 7 shtator 2022 Në ora: 20:17
LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) i ka bërë serish thirrje Qeverisë së Kosovës që të adresojë sa më parë problemet me krizën energjetike, fillimin e dialogut për ndërprerjen e grevës në arsim, si dhe të ndërmarrë masa të domosdoshme kundër inflacionit.

Kjo parti sot ka mbajtur dy mbledhje të ndara, atë të Kryesisë qendrore dhe me kryetarët e degëve.

Gjatë këtyre takimeve u diskutua për zhvillimet politike, rritjen enorme të çmimeve, krizën energjetike dhe gjendjen në sektorin e arsimit dhe atë publik.

Me këtë rast u tha se Qeveria Kurti duhet të adresojë urgjentisht problemet me krizën energjetike, dialogun me mësimdhënësit në mënyrë që greva të ndërpritet dhe fëmijët të kthehen në proces të rregullt mësimor, si dhe të marrë masat e domosdoshme dhe të prezantuara tashmë për inflacionin dhe pa përballueshmërinë qytetare.

Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, në koordinim me Kryesinë dhe me kryetarët e degëve, ka shpallur valën e re të takimeve me qytetarët tanë në të gjithë vendin.

Abdixhiku iu ka bërë thirrje të gjitha strukturave të partisë nëpër çdo degë e në të gjithë vendin, për mobilizim të gjithëmbarshëm në këtë drejtim, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, rritje të çmimeve në Kosovë ka pasur në të gjitha produktet bazë, si buka, vaji dhe mielli. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma e inflacionit në vend, në muajin korrik, ka arritur në 14.2 për qind, nga 0.9 për qind sa ka qenë në korrik 2021. Paga mesatare bruto në Kosovë është 484 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat