Mos lejoni fitoren apo krijimin e supremacisë serbe! / Ndaloni përkohësisht bisedimet!

Aktuale

Mos lejoni fitoren apo krijimin e supremacisë serbe! / Ndaloni përkohësisht bisedimet!

Nga: Idriz Morina Më: 9 shtator 2022 Në ora: 17:34
Nga takimi i fundit i kryeministrit Kurti në Bruksel me presidentin e Serbisë dhe me ndërmjetësit europian!

Njëri nga dy zbarkimet sot në Qeverinë e Kosovës po shihet me shumë skeps edhe nga njohësit e proceseve politike, të cilët kanë qenë shumë të zhurmshëm që institucionet të bëjnë marrëveshje me Serbinë, sa më parë, në mënyrë që kinse të ‘çlirohet’ Kosova nga Serbia.

Një dogmë dhe parim i rrejshëm, që shumë shkrues artikujsh e kanë kollofitur dhe të tjerë e kanë shpërndarë, pa e menduar se në esencë, ishte parim i krijuar nga ndikimet e drejtpërdrejta të shërbimeve serbe.

Në fakt, edhe pse kjo nuk është një çështje e drejtpërdrejt me temën, po e shtjelloj për faktin, se kërkesa apo kryemesazhi i shkrimit tim, rezulton me thirrjen për përmbajtje të plotë në bisedime të Qeverisë dhe Presidencës, që të refuzojnë çdo marrëveshje përfundimtare me Serbinë, derisa situata me luftën në Ukrainë nuk e ka arritur pikun (kulmin) e saj, që sipas vlerësimeve të ekspertëve dhe pohimeve të mia, pritet të përfundojë me humbje të Rusisë, dhe madje me rezultate të mëtejshme, që do të çojnë në shpërbërje të saj.

Kosova ta kushtëzojë arritjen e marrëveshjes me vendosjen e sanksioneve Rusisë

Duke e ditur si të gjithë shqiptarët e informuar, që siç po e tregon në vazhdimësi vetë Serbia, edhe në udhëtimin e fundit të Vulinit drejt Rusisë, është e lidhur pashkëputshëm me fatin rus.

Serbia e cila është rritur së bashku me shtetet tjera kryesisht me imponimin me forcë të Rusisë, ajo duhet goditur për këtë raport të fuqishëm, që përngjason me njëlloj binjakëzimi të pashpallur.

Prandaj, në bisedimet, që tashmë kanë marrë një hov të ri, me përcaktimin e dy këshilltarëve, përkatësisht të këshilltarit të kancelarit gjerman Sholc, dhe atij të presidentit francez Makron, që të jenë pjesë e bisedimeve Kosovë-Serbi, duhet të vendoset kushti, që Serbia t’i vendosë sanksione Rusisë, nëse dëshiron të arrijë marrëveshje!

Dhe kjo do të duhej të përkrahej nga Perëndimi.

Kjo, jo se do ta detyronte realisht Serbinë, që t’i vendosë sanksione Rusisë, por do ta shkundullonte paksa trurin e fjetur parisien, të parimeve të demokracisë, ‘barazi, drejtësi...’!

Ndoshta emisari francez do të krijonte një rrëfim të vërtetë për Kosovën dhe shqiptarët, në mënyrë që do ta bindte Francën, se kërkesat dhe trysnia ndaj Kosovës janë të pakuptimta, sepse Kosova, dhe shtetasit e saj, e kanë një kushtetutë qytetare krejtësisht të përcaktuar nga Perëndimi dhe nga negociatat në Vjenë, dhe si të tilla kërkesat nga Serbia dhe të mbështetura nga ndërkombëtarët, janë në kundërshtim të plotë dhe në asimetri me parimet kushtetuese.

Asimilimi në ‘kombin e ri - kosovar’!

Kërkesat serbe pretendojnë në krijimin e një entiteti të vetëm etnik, ndërkohë, që entitetet tjera me Kushtetutë janë asimiluar, në ‘kombin e ri - kosovar’!

Parimi i barazisë gjuhësore është shteruar, pasi sipas Kushtetutës gjuhë zyrtare në mënyrë taksative janë të barabarta gjuha shqipe dhe ajo serbe.

Prandaj, nuk mund të ketë një polici etnike serbe, një gjykatë etnike serbe, një shkollim të vetëm serb, një administrim dhe qeverisje serbe, dhe në gjithë Kosovën, polici kosovare, gjyqësi kosovare, administrim kosovar..., pra asgjë shqiptare dhe të asnjë entiteti tjetër etnik, përveç atij identitetit suprem serb!

Nuk mund të predominojë ajo që hamendësohet se ka entitet shqiptar etj., përderisa ato janë shuar me kushtetutë dhe ligje.

Prandaj, qasja e të gjitha qeverive dhe e kësaj aktuale, përfshirë edhe të institucioneve të tjera, ka qenë e gabueshme në parim, dhe në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe rendin normativ të përcaktuar prej saj!

Kjo është njësoj sikurse në SHBA apo në Francë të krijohen entitetet raciale, polici zezakësh, gjyqësi zezakësh, administrim e qeverisje lokale zezakësh, përballë atyre amerikane apo franceze.

Për të pasur kuptim pretendimet serbe, Kushtetuta duhet të ndryshohet dhe Kosova të njihet si shtet i shqiptarëve, në të kundërt bash asgjë, as në aspektin politik, as juridik, as administrativ, as kulturor nuk iu takon as ta marrin dhe as t’ju jepet serbëve!

Nuk mund të ketë këso privilegje dhe këso diskriminimesh!

Çdo hapërim më tej, përveç se do të ishte ushqim për imperializmin rus, në përgjithësi, dhe atë serb në veçanti, do të ishte dështim i parimit qendror të sistemit të drejtësisë perëndimore: rule of law!

Kjo ka qenë edhe shtylla mbi të cilën ka mbështetur modelin e administrimit të Kosovës vetë Perëndimi, imponimi për të respektuar institucionet e Kosovës sundimin e ligjit, dhe kritikat e përhershme për mosrespektimin e tij, gjithnjë duke e vlerësuar si thelbin, apo thënë në mënyrë emotive, “shpirtin e demokracisë”.

Ashtu e përkufizon edhe vetë doktrina perëndimore: “Sundimi i ligjit është filozofia politike që të gjithë qytetarët dhe institucionet brenda një vendi, shteti ose komuniteti janë përgjegjës ndaj të njëjtave ligje, duke përfshirë ligjvënësit dhe udhëheqësit. Shteti i së drejtës përkufizohet në Enciklopedinë Britannica si "mekanizmi, procesi, institucioni, praktika ose norma që mbështet barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit, siguron një formë joarbitrare të qeverisjes dhe në përgjithësi parandalon përdorimin arbitrar të pushtetit”.

Hidhni poshtë

Prandaj, jo pak vendeve, qendrave perëndimore, iu nevojitet kohë për reflektim, se pse kanë ushtruar dhe vazhdojnë të ushtrojnë gabimisht trysni mbi institucionet e Kosovës, të cilat ata vetë asnjëherë si quajnë të shqiptarëve, por të të gjithë qytetarëve të saj, kosovarëve!

Nëse doni Kosovar, jepni fund bisedimeve, dhe hedhni poshtë edhe çdo marrëveshje që ka të bëjë me serbët e Kosovës, përveç atyre Kosovë-Serbi!

Nëse na pranoni si shqiptarë, atëherë mund të vazhdojmë të bisedojmë, por asnjëherë në dëm të Kushtetutës, unitetit, sovranitetit dhe integritetit të shtetit!

Perëndimi është përgjegjës për fshirjen në masë të identitetit të shqiptarëve në Kosovë me Kushtetutë, me retorikë, me ndërhyrje psiko-sociale, me projekte, dhe me ndikim të fuqishëm politik dhe ushtarak!

Në kurriz të shuarjes së identitetit të shqiptarëve nuk mund të fitojë dhe nuk duhet lejuar fitorja apo krijimi i supremacisë serbe!

Duam barazi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat