​Hasanaj: Kemi raste kur duhet të shtyhet intervistimi i viktimave në mungesë të psikologëve

Aktuale

​Hasanaj: Kemi raste kur duhet të shtyhet intervistimi i viktimave në mungesë të psikologëve

Më: 12 shtator 2022 Në ora: 12:49
Foto ilustrim

Drejtori i Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave në kuadër të Zyrës së Prokurorit të Shtetit, Demë Hasanaj ka pranuar se ka raste kur shtyhet intervistimi i viktimave në mungesë të psikologëve. Në një deklaratë me shkrim për KosovaPress, ka thënë se në disa raste duhet të pritet sigurimi i psikologëve në intervistim. 

Në rastin e raportuar në qershor të 11-vjeçares nga Prishtina, e cila dyshohet se ishte dhunuar seksualisht, për më shumë se dy javë nuk është marrë në intervistim e mitura nga prokurori i rastit. 

Demë Hasanaj, i cili është drejtor në ZMNV, pohon se ka raste të tilla dhe kjo po ndodhë për shkak të mungesës së psikologëve. 

“Në të shumtën e rasteve intervistimi i viktimave fillon në kohën sa më të shpejt, mirëpo kemi raste që duhet të shtyhet intervistimi i viktimave për mungesë të psikologëve, për vet faktin se psikologët janë të punësuar nëpër institucione tjera. Në rastet kur nuk mund të sigurohet prezenca e psikologëve, patjetër që duhet të pritet deri në sigurimin e psikologëve”, tha ai. 

I pyetur se sa po merr kohë intervistimi i viktimave të dhunës seksuale, ai thotë se rastet e natyrës urgjente po trajtohen me prioritet. 

“Varësisht nga rrethanat e rastit, me qenë se secili rast i ka specifikat e veta. Rastet e natyrës urgjente trajtohen me prioritet, andaj merren masat e menjëhershme”, shton Hasanaj. 

Po ashtu, Hasanaj thekson se ka raste edhe kur intervistimi bëhet pa prezencën e psikologëve. 

“Zakonisht psikologet dhe punëtorët social janë prezent gjatë intervistimit të viktimave, mirëpo kemi raste ku kemi mungesën e psikologëve. Gjatë sezonit të pushimeve vjetore mund të ketë rast kur mungon psikologu, mirëpo në shumicën e rasteve psikologet dhe punëtorët e social janë prezent”, thuhet në përgjigjen e Hasanaj. 

Kujtojmë se ditë më parë, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte deklaruar se prokurori i rastit e pati të pamundur të intervistojë atë pa prezencën e psikologut. 11-vjeçarja ishte raportuar si e zhdukur në polici më 21 qershor dhe prokurori kishte intervistuar atë më 7 korrik. 

Në fund të gushtit dyshohet se e mitura u dhunua seksualisht nga pesë persona për shtatë orë radhazi, përfshirë edhe të mitur. Ndërkohë, vetëm pasi ky rast është bërë publik, në fund të muajit gusht, u arrestuan gjashtë persona të tjerë për rastin e raportuar në qershor dhe dyshohen për kryerjen e veprës penale të dhunimit, të trafikimit me njerëz dhe të shërbimeve seksuale të viktimës së trafikimit. Tashmë ndodhën në paraburgim 11 persona për 30 ditë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat