​Presidentja Osmani thotë se gjatë këtij viti mund të liberalizohen vizat për Kosovën, këto janë indikacionet

Aktuale

​Presidentja Osmani thotë se gjatë këtij viti mund të liberalizohen vizat për Kosovën, këto janë indikacionet

Më: 12 shtator 2022 Në ora: 17:27
Presidentja Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të përqendrohet në njohje reciproke dhe se çfarëdo gjysmëzgjidhje midis vendeve nuk do të sjellë paqe afatgjate në rajon.

Nga Sllovenia, Osmani ka thënë se njohja reciproke është e vetmja zgjidhje që sjellë paqen e dëshiruar dhe i afron shtetet me Bashkimin Evropian.

Pas Samitit të Brdo-Brionit, Osmani ka theksuar se Kosova është e përkushtuar për dialog.

“Ka shumë gjëra në të cilat nuk pajtohemi por gjithsesi dialogu midis Kosovës dhe Serbisë duhet të përqendrohet te njohja e ndërsjellë dhe shpresojmë që nëse Serbia angazhohet në mënyrë konstruktive, sa më shpejt që është e mundur të mund të arrijmë një marrëveshje përfundimtare që fokusohet te njohja e ndërsjellë, por çfarëdo gjysmëzgjidhje nuk do të sjellë paqen afatgjatë, njohja e ndërsjellë është e vetmja gjë që sjell paqen aq të dëshiruar në rajon dhe përtej dhe na bën më të afërt me Be-në që është edhe synim i yni”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se Serbia duhet të pranojë realitetin e Kosovës së pavarur dhe sovrane.

“Nuk kemi pasur ndonjë bisedë bilaterale, sigurisht që kemi shumë mospajtime me presidentin Vuçiq dhe këto mospajtime janë publike, sepse Serbia ende nuk e pranon realitetin e Kosovës së pavarur dhe sovrane, që është realitet i pakthyeshëm. Besoj fuqimisht që sa më shpejt që Serbia ta kuptojë që ky realitet është i pakthyeshëm, do të jetë më mirë për të, por edhe për gjithë rajonin, paqen dhe stabilitetin afatgjatë”, ka thënë Osmani.

Presidentja Osmani ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, për çka ka theksuar edhe njëherë se shteti i ka përmbushur të gjitha kriteret.

Ajo ka thënë se në këtë samit është folur njëzëri që Kosovës duhet t’i hiqet regjimi i vizave.

E para e shtetit ka thënë se aktualisht nuk ka asnjë vend në Bashkimin Evropian që thotë se është kundër liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Kemi biseduar me aleatë tanë çekë, pastaj shtete anëtare të caktuara në BE, nuk ka vend në BE aktualisht që na thotë se janë kundër liberalizimit të vizave dhe besoj që e kemi momentumin më të mirë në këto katër vjetët e fundit. Pra momentumi është i shkëlqyeshëm, kemi mbështetjen e vendit nikoqir për këtë takim dhe takimet ministrore kështu e me radhë. Shpresojmë që gjatë tetorit do të ketë takim të grupit punues për viza, për ta shtyrë çështjen përpara dhe pastaj në Samitin e ardhshëm BE-Ballkan Perëndimor që pritet të mbahet pak më vonë pas tetorit. Ajo që është me rëndësi, që gjatë Presidencës Çeke të merret ky vendim, gjatë këtij viti pra”, ka thënë ajo.

Osmani ka thënë se Kosova ka zgjedhur rrugëtimin euroatlantik dhe ka theksuar se këtë vit do të aplikojë për statusin e vendit kandidat.

Ndryshe, sot ka përfunduar samiti i Brdo-Brionit në Slloveni, ku mori pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani. Për shkak të mospajtimeve, deklarata e përbashkët e presidentëve të rajonit nuk është miratuar, megjithatë dritë e gjelbër iu dha disa konkluzioneve, mes tyre, liberalizimi i vizave për Kosovën dhe dhënia e statusit kandidat për Bosnjë-Hercegovinën. Ndërkohë, u kërkua nga BE që të ndihmojë Ballkanin Perëndimor për krizën energjetike dhe sigurimin e ushqimit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat