​Nagavci: Mbi 580 mijë orë mësimore të humbura, me SBASHK-un jam takuar në vazhdimësi

Aktuale

​Nagavci: Mbi 580 mijë orë mësimore të humbura, me SBASHK-un jam takuar në vazhdimësi

Më: 12 shtator 2022 Në ora: 21:45
Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se janë mbi 580 mijë orë mësimore të humbura, si pasojë e grevës në arsim të iniciuar nga SBASHK-u.

E ftuar në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ministrja e këtij dikasteri ka theksuar se pasojat e kësaj situate po i bartin fëmijët që vijojnë mësimin në shkollat publike, ngase sektori privat ka vazhduar punën.

“E para që duhet të diskutojmë është se kush po e pëson dhe për fat të keq pasojat e kësaj situate po i bartin fëmijët. Vetëm gjatë ditës së djeshme, në shtatë ditët e grevës janë më shumë se 580 mijë orë të humbura dhe ajo që është po ashtu problematike është se pasojat e grevës po i bartin vetëm fëmijët që vijojnë mësimin në shkollat publike sepse sektori privat po punon”, ka thënë ajo.

Ajo ka konfirmuar takimin nesërm mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Këshillit Grevist.

Megjithatë, sipas Nagavcit kjo nuk është hera e parë që ajo takon kryesinë e SBASHK-ut.

Ministrja Nagavci ka potencuar se është e rëndësishme të përmendet që për të pasur një marrëveshje duhet të ketë vullnet të dyanshëm.

“Si ministri e qeveri i kemi takuar në vazhdimësi dhe kemi adresuar pjesën më të madhe të kërkesave që SBASHK i ka pasur gjatë kësaj kohe. Që nga marrja e detyrës sime si ministre kam pasur takimin e parë me kryesinë e SBASHK-ut dhe që nga ajo ditë kemi pasur me dhjetëra takime. Përtej takimeve pas shpalljes së grevës ndonëse kërkesa ishin të sindikatës ne bëmë hapin e parë për t’i ftuar në takim”, shtoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat