​Miratohet nisma për njohjen e patentë-shoferëve me Hungarinë, sanksione të reja ndaj Rusisë e Bjellorusisë

Aktuale

​Miratohet nisma për njohjen e patentë-shoferëve me Hungarinë, sanksione të reja ndaj Rusisë e Bjellorusisë

Më: 14 shtator 2022 Në ora: 13:06
Mbledhja e qeverisë

Qeveria e Kosovës ka miratuar nismën për njohjen reciproke të patentë shoferëve me Hungarinë. Në mbledhjen e sotme është formuar komisioni ekzekutiv për shëndetësi i cili do të kryesohet nga kryeministri Albin Kurti. Ky i fundit para kabinetit qeveritar tha se do të bëhet zhvillimi i sektorit publik të shëndetësisë dhe do themelohet spitali rajonal i Prishtinës. Po ashtu, Qeveria e Kosovës ka vendosur edhe sanksione të reja ndaj Rusisë e Bjellorusisë, e cila është pako e gjashtë e sanksioneve të BE-së.

Duke iu rikthyer çështjes së patentë-shoferëve, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se projekt-marrëveshja me shtetin e Hungarisë është në frymën e interesave të përbashkëta në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Sveçla: Në mënyrë që të lehtësojmë qarkullimin rrugor në territorin e të dyja palëve

“Vendimi forcon bashkëpunimin, në mënyrë që të lehtësojmë qarkullimin rrugor në territorin e të dyja palëve, duke synuar që me anë të kësaj marrëveshje të krijojmë procedura efektive për njohjen reciproke të patentë-shoferëve të vlefshëm të lëshuar nga autoritetet kompetente të të dyja palëve të kësaj marrëveshje. Kjo marrëveshje ka kaluar të gjitha hapat procedural të parashikuara me Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare dhe si e tillë nuk bie ndesh me ligjet dhe aktet tjera ligjore të Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Sveçla.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, është miratuar edhe komisioni ekzekutiv për shëndetësi.

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se do të jetë kryesues i këtij komisioni, ndërkaq anëtar do të jenë ministrat e Shëndetësisë, Financave, Arsimit dhe kryetarja e bordit të ShSKUK-së së bashku me ushtruesen e detyrës së drejtorit të ShSKUK-së.

Kurti: Propozoj zbatimin e masave urgjente për funksionimin normal të sistemit shëndetësor

“Si kryeministër i Republikës së Kosovës propozoj që të themelohet komisioni ekzekutiv për shëndetësi, për zbatimin e masave urgjente që do të sigurojnë funksionimin normal të sistemit shëndetësor me bazë në sistemin publik dhe do i hap rrugë reformës në shëndetësi. Ky komision ka këto përgjegjësi, pas një diskutimi preliminar që kemi zhvilluar së bashku me ministrin e Shëndetësisë, doktor Rifat Latifin: e para të bëjë analiza dhe definimin e ndarjes dhe bashkëpunimin publiko-privat në shëndetësi. E dyta, zhvillimin e sistemit informativ në shëndetësi, me theks në atë për sigurime shëndetësore. E treta, reformimin e ShSKUK-së përmes fuqizimit të QKUK-së dhe spitaleve rajonale. E katërta, zhvillimin e sektorit publik të shëndetësisë, në kuptim të ngritjes së kapaciteteve të shërbimit e kujdesit shëndetësor dhe ndërlidhjes me studimin e punëve universitare dhe shkencore. E pesta, themelimin e spitalit rajonal të Prishtinës dhe e gjashta, ndërveprimi me pesë odat e profesionistëve shëndetësor të mjekëve, infermierëve, stomatologëve, fizioterapeutëve dhe të farmacistëve”, ka thënë ai.

Kurti ka njoftuar se takimi i parë i këtij komisioni do të mbahet pasditen e sotme pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Gjatë së mërkurës, kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për vazhdimin e mbështetjes së kundërshtimit të agresionit të federatës ruse nga Ukrainës.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi njoftoi se ky është vendim për zbatim të pakos së gjashtë të sanksioneve të BE-së.

Bislimi: Pako e gjashtë e sanksioneve përfshin ndalimin e importit të naftës së pa përpunuar

“Pako e gjashtë e sanksioneve përfshin: ndalimin e importit të naftës së pa përpunuar dhe produkteve të naftës së rafinuar nga Rusia me përjashtime të kufizuara. Gjithashtu Bashkimi Evropian njoftojë sanksione kundër 65 individëve dhe subjekteve të tjera, ku përfshihen individë përgjegjës për krimet e kryera në Bucha dhe Mariupolë. Po ashtu me këtë vendim ne kemi propozuar vendimin e të gjitha sanksioneve që pasuan pakon e gjashtë, duke përfshirë edhe vendimet për pakot aktuale”, ka theksuar ai.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar edhe projektligji për tubime publike. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se me këtë synohet sigurimi ushtrimin e së drejtës kushtetuese për tubime publike si dhe të drejtës për të organizuar dhe marrë pjesë në ngjarje publike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat