Jasharaj: Anëtarësia është pajtuar të lëviz nën shumën 100 euro

Aktuale

Jasharaj: Anëtarësia është pajtuar të lëviz nën shumën 100 euro

Më: 14 shtator 2022 Në ora: 20:45
Rrahman Jasharaj

Grevën e nisën me kërkesën për 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit për Pagat.

E kur kanë kaluar tri javë nga greva, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës është pajtuar që shuma e shtesave të jetë nën 100 euro.

Sipas kryetarit të këshillit grevist, Rrahman Jasharaj, me anëtarësinë kanë biseduar që të lëvizin këtë vlerë, mirëpo nuk ka pasur vullnet nga pala tjetër.

Madje Jasharaj thotë se në takimin e së martës kanë shkuar duke menduar se do të ketë lëvizje të kësaj shume.

Mirëpo, sipas zëdhënësit të Qeverisë Përparim Kryeziut, dy kërkesat e kërkuara nga ky këshill po realizohen dhe priten që të dalin në konsultime publike gjatë së enjtes.

Ndërsa për kërkesën e 100 eurove, thotë se mbesin në 50 euro, teksa kërkon që të menjëherë të fillojë procesi mësimor.

“Më herët me kërkesë të sindikatës së Arsimit, kemi ndarë 1.7 milionë euro për rreth 300 mësimdhënës me sëmundje të rënda. Sa i përket kërkesës së vonshme sindikale për shtesë 100 euro, ne kemi lëvizur nga 0 në 50. Kemi ardhur në mes për t’u takuar me sindikatat. Aty do të na gjejnë. Me veprimet e deritanishme, Qeveria ka dëshmuar partneritetin e saj social. Mësimi duhet të fillojë sa më parë në të gjithë shkollat tona”, ka thënë Kryeziu.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve kanë thënë se vazhdimin e grevës së mësimdhënësve duhet t’a sqarojnë Qeveria dhe SBASHK-u.

“Seriozisht jemi shumë të ngarkuar. Po besoj Qeveria e SBASHK duhet të merren me këtë çështje tash e tutje, ndërsa ne me fëmijët tanë”.

Përveç grevës së përgjithshme nga BSPK-ja, grevë për paga kanë paralajmëruar edhe Sindikata e Punëtoreve të Sektorit Privat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat