Ankohet ushtari i larguar për shkak të tatusë, FSK konfirmon rregullat

Aktuale

Ankohet ushtari i larguar për shkak të tatusë, FSK konfirmon rregullat

Më: 17 shtator 2022 Në ora: 12:45
Ilustrim

Kazerma “Skënderbeu” në Ferizaj ka mbetur pa disa ushtarë gjatë ditës së djeshme, pasi i largoi për mbajtje tatuazhi.

Lajmin e ka bërë të ditur Ermelind Kastrati, njëri nga më shumë se 10 ushtarët e larguar.

Ky me një postim në llogarinë e tij në Facebook, tha se vendimi ndaj tij u mor disa muaj pas kalimit të testeve për pranim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Por, zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes, thanë se rregullat e konkursit janë publike dhe se atyre duhet t’iu përmbahen të gjithë para dhe pas pranimit si ushtarë të FSK-së.

Kështu del të jetë në secilin konkurs të Ministrisë së Mbrojtjes.

Tek tatuazhet në mesin e kritereve tjera në konkurset e publikuara është e specifikuar se cilat prej tyre nuk lejohen.

“Të mos kenë tatuazhe në fytyrë, qafë dhe parakrah nga pjesa e bicepsit e deri te gishtat e dorës duke përfshirë edhe pirsingun. (Në rast përzgjedhjeje, kandidatët janë të obliguar të bëjnë heqjen e tyre paraprakisht në afatin kohor deri në trajnimin bazik, në të kundërtën do të diskualifikohen)”.

Tutje, në njoftimet e konkurseve thuhet se për cdo informatë të rrejshme kurdo që zbulohet kandidatët do të largohen nga FSK-ja

“Shënim: Kandidatët duhet të ofrojnë informata të sakta gjatë procesit të rekrutimit. Dhënia e informatave të rrejshme kurdo që zbulohet, gjatë procesit të rekrutimit apo gjatë shërbimit në FSK, rezulton me largim nga FSK-ja” thuhet një njoftimin për konkurs nga Ministria e Mbrojtjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat