Letra e dorëheqjes së Ramë Bujës: “Nuk e di se si dukej dera e kryetarit”

Aktuale

Letra e dorëheqjes së Ramë Bujës: “Nuk e di se si dukej dera e kryetarit”

Më: 19 shtator 2022 Në ora: 14:35
Ramë Buja

Nënkryetari i PDK-së, Ramë Buja ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet që i ka pasur në partinë e udhëhequr prej Memli Krasniqit.

Media ka siguruar letrën që ai ia ka dërguar krerëve të partisë më të madhe opozitare më 16 shtator, teksa ka renditur arsyet që çuan në një vendim të tillë.

Ditë më parë u bë publike se Buja ka dhënë dorëheqje. Kjo është hera e dytë që Buja jep dorëheqje nga kryesia e PDK-së. Të njëjtin veprim e kishte ndërmarrë edhe para pesë vitesh.

Megjithatë arsyet nuk ishin bërë publike, pasi ish-ministri i Arsimit kishte preferuar që të mbahej “sekret” me qëllimin që mos të “dëmtohet” partia.

Buja ka menduar se dorëheqja e tij që daton nga 5 korriku, të mbetet tërësisht në heshtje edhe për kryesinë e partisë.

Dorëheqjen ai ia ka dorëzuar kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqit, sekretarit Bajrush Xhemaili dhe kryesisë së partisë.

Megjithatë, ai ka akuzuar funksionarët e partisë për një heshtje të pazakonshme, pavarësisht dorëheqjes së tij nga pozitat e deritanishme.

Po ashtu, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës është shprehur i habitur nga “individë të caktuar” duke thënë se ai është larguar kinse për shkaqe shëndetësore”.

Buja, në këtë vendim ka thënë se një gjë e tillë, më së thjeshti është mungesë elementare e korrektësisë kolegiale.

Sidoqoftë, ai ka renditur disa prej arsyet që çuan atë në dorëheqje nga partia më e madhe opozitare, teksa disa të tjera nuk i ka përmendur.

Në këtë vendim, Buja akuzon kryetarin Memli Krasniqi për mos-komunikim me të. Madje, ai thotë me ironi se nuk e di as se si duket zyra e Krasniqit në PDK.

Mes tjerash, ai nuk është shprehur i kënaqur as me “Qeverinë në Hije” të PDK-së, pasi sipas tij, kanë vendosur aty në pozita njerëz që nuk janë as anëtarë partie.

“- Për mungesë veprimi më dinamik që kërkon koha dhe pozita jonë në organet e sotme shetësorere, si opozitë.

– Për veprim tërësisht irracional me KQM-në, duke e pjesëzuar e copëtuar, në vend që të bëhet njëherazi dhe të vehej në punë e veprim , siç është bërë dikur dhe ka dhënë rezultate

– Për prurje të njerëzve në udhëheqje të dikastereve të caktuara në KQM, pa qenë fare anëtarë partie dhe jo vetëm në KQM (me gjithë respektin për nivelin e tyre profesional, moral e politik).

– Për mungesë totale të komunikimit kryetar-nënkryetar (flas për vete, nuk e di raportin me nënkryetarët e tjerë). Thënë pak me ironi, por me vërtetësi, unë nuk kam ditur as nuk e di se si duket zyra e Kryetarit të partisë!”, janë katër arsyet që Buja i ka renditur në vendimin që ua ka dërguar krerëve të PDK-së.

Në anën tjetër, zëdhënësi i PDK-së Faton Abdullahu ka konfirmuar largimin e Bujës nga PDK-ja.

Po, kryrtari e ka pranuar dorëheqjen e z. Buja. Ka biseduar me të dhe e ka falënderuar për punën dhe angazhimin e deritashëm në Kryesi”, ka deklaruar Abdullahu.

Ramë Buja, kishte pasur funksione të rëndësishme në shtet dhe brenda PDK-së

Ai kishte qenë anëtar kryesie dhe nënkryetar i PDK-së për vite me radhë, kurse ishte në krye të ministrisë së Arsimit, si pasardhës i Enver Hoxhajt më 2011.

Përveç se deputet dhe shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, Buja ishte edhe ministër në Pushtetin Lokal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat