Pacolli i bashkon ish presidentët për vizitë të akuzuarve në Hagë- Jahjaga injoron ftesën

Aktuale

Pacolli i bashkon ish presidentët për vizitë të akuzuarve në Hagë- Jahjaga injoron ftesën

Më: 20 shtator 2022 Në ora: 16:43
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi

Mes shumë vizitave, pritet që së shpejti, të akuzuarit në Gjykatën Speciale, të presin për vizitë edhe disa ish presidentë e ish kryeministra të Kosovës dhe Shqipërisë.

Kështu ka deklaruar Jetlir Zyberaj, këshilltar i ish presidentit Behgjet Pacolli, që aktualisht është kryetar i Aleancës Kosova e re (AKR>

“Me iniciativën e ish presidentit të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli,  javën e ardhshme, ish-presidentët dhe kryeministrat e Shqipërisë, bashkë me z.Pacolli do të vizitojnë liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë”, deklaroi Zyberaj.

Sipas tij, ftesa u ishte bërë edhe ish-presidentëve të Kosovës, të cilët për arsye të panjohura nuk e kanë konfirmuar vizitën e tyre.

“Ish presidentja Jahjaga ka injoruar totalisht secilën thirrje telefonike, qoftë edhe thirrjen nëpërmjet letrës”, u shpreh Zyberaj, por pa treguar me emra se cilët do të jenë këta ish presidentë e ish kryeministra që kanë pranuar këtë ftesë të Pacollit.

“Qëllimi i kësaj vizite është solidarizimi me krerët e UÇK-së që janë të paraburgosur në Hagë dhe mbështetja e kauzës dhe luftës së drejtë të Kosovës për liri dhe pavarësi kundër Serbisë në vitet e 90-ta”.

Sipas tij, ka momente kur polarizimi nuk i ndihmon interesit kombëtar të vendit dhe ky është një prej tyre.

“Por  uniteti është përgjigja ndaj agresionit të Serbisë kundër historisë, të tashmes dhe të ardhmes së Kosovës”.

Kohëve të fundit, janë shpeshtuar vizitat që personalitete të ndryshme u bëjnë ish  zyrtarëve të lartë të Kosovës të cilët akuzohen për krime lufte.

Ata vazhdojnë të mbahen në paraburgim në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dhe se procesi gjyqësor ndaj tyre ende nuk ka filluar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat