Kush mund ta ketë planifikuar atentatin kundër Albin Kurtit?! / Opozita, Serbia apo Rusia?

Aktuale

Kush mund ta ketë planifikuar atentatin kundër Albin Kurtit?! / Opozita, Serbia apo Rusia?

Nga: Idriz Morina Më: 20 shtator 2022 Në ora: 19:26
Kryeministri Albin Kurti në një ceremoni pritje, para Gardës shtetërore

Është e habitshme se planet për atentate politike në Kosovë vazhdojnë të thuren e gjenden vrasësit në Shqipëri.

Kështu duket të jetë, bazuar në informacionet e dhëna të policisë se ka ekzistuar një plan i detajuar për një atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, si pjesë e një zinxhiri të vrasjeve, që mund të mos jenë për motive politike.

Një rast i habitshëm duket ky. Dje bëri shumë bujë, por sot ra heshtja.

Por, për muaj të tërë, vitin e kaluar sidomos, por edhe këtë vit, kemi parë një retorikë të zjarrtë të luftës për pushtet, nga ata që e humbën pushtetin me zgjedhje apo edhe për shkak të rrethanave të reja që u krijuan, sidomos me arrestimin e Hashim Thaçit e Kadri Veselit.

Politikanë, biznesmenë, njerëz me ndikim, thuajse përnjëherë e humbën fuqinë që e kishin. Ndërkohë, nuk mund ta duronin se si ato vende, institucione që ata i shihnin si pronë të tyre, të mos kontrolloheshin nga ata.

Situata e rënduar për zbulimin e të vërtetës!

Nuk ishte aq e thjesht. Por, kur ata kishin pushtet, e gjenin mënyrën e ndikimit, pavarësisht që sipas ligjit pushtetet ishin të ndara dhe ashtu i proklamonin, ekzekutivin, legjislativin dhe gjyqësorin (drejtësinë).

Por, kush mund të ishin ata udhëheqës në sistemin e drejtësisë që mund t’i pengonin interesat e këtyre më të fuqishmëve? Thuajse asnjë.

Një prokuror që e identifikoi me prova një krim të organizuar, me listat e fryra dhe të rrejshme të veteranëve të luftës, u detyrua të ikë!

Atëherë çfarë mund të bëjnë të tjerët, p.sh. mediat kur, ato edhe kur ia sjellin në kujtesë opinionit, një të vërtetë, të paktën sipas informacioneve më kredibile perëndimore, cenoheni nga njerëz, të cilët në ato dokumente akuzohen për krime nga më të ndryshmet dhe më të rëndat.

Kjo është situata e rënduar për zbulimin dhe për ta thënë të vërtetën!

Por, rasti sipas dokumentacionit të publikuar nga mediat në Shqipëri fillimisht, që kishte të bënte me hakerët, përkatësisht siç pretendohet sulmin e kryer kibernetik ndaj Shqipërisë, nga vet shteti i Iranit, rezulton se përveç se një plan (thuajse ideor), është zgjedhur edhe vrasësi!

Zgjedhja e një vrasësi të një kryeministri, siç thonë ekspertët e fushës, përbën përpjekje për sulm terrorist, dhe sipas ligjit, vetëm organizimi i sulmit, edhe pa ndodhur fare, i bën përgjegjës njësoj autorët apo të përfshirët, njësoj sikur të kishte ndodhur!

Atëherë, çfarë po fshihet këtu?

Në rastin e parë, ndoshta me më pak shanse, nëse projektimi i sulmit është bërë nga rusët, Shqipëria nuk do të duhej të heshtte, dhe besojmë se nuk do ta bënte këtë, që ta linte të lirë dorasin potencial, Prek Kodra!

Në rastin e dytë, sikur Serbia ta organizonte, përkatësisht ta planifikonte këtë vet, sërish besojmë se meqë ka qenë komunikim ndërshtetëror Shqipëri-Kosovë, nuk do të mund të fshihej rasti! Pra, Prek Kodra, mund të arrestohej!

Po ashtu, Kosova nuk do të duhej ta lëshonte pa e arrestuar, nëse ai në ndërkohë mund ta ketë shkelur tokën e Kosovës. Edhe nëse jo, ajo do të duhej t’ia kërkonte Shqipërisë, pra që ajo ta ekstradonte në Kosovës. Pse?

Fakti, që ekziston informacioni se Prek Kodra, do të ishte atentatori ndaj Kryeministrit të Kosovës dhe të tjerëve, madje në shkëmbim informacioni, ndërmjet drejtorisë së Përgjithshme të Shqipërisë, dhe të drejtorisë së antiterrorit të Policisë së Kosovës, ekzistojnë edhe kush janë pajtuesit. Pra, janë emrat e atyre që e kanë porositur, emrat e atyre apo atij që ka negociuar me vrasësin potencial!

Pse prokuroria dhe gjykata, nuk kërkoi ekstradimin e Kodrës?

Nëse sipas, këtyre dokumenteve, Prek Kodra ka kryer vrasje në Kosovë, pse prokuroria dhe gjykata, nuk kërkoi ekstradimin e tij?

Pse Qeveria e Kosovës, Ministria e Drejtësisë heshti, dhe nuk e kërkoi ekstradimin e tij, për shkak të vrasjeve? A mos ishin ato vrasje politike, dhe rastet kanë të bëjnë me gjykatën speciale, dhe si të tilla, Qeveria, pra Ministria e Drejtësisë nuk mund ta bënte një kërkesë të atillë!?

Qeveria, duhet ta rrisë transparencën lidhur me rastin, qoftë edhe nëse mediat kanë zotësinë, që ta zbulojnë më tej natyrën e vrasjeve që ka kryer Kodra!

Është e habitshme, se si Kodra, paska lëvizur, në territor të Kosovës, dhe duke e pasur si një lloj baze, Deçanin, zonën ku janë kryer shumë krime, nga vrasjet politike, deri tek ato më ordinere!

“Kodra dyshohet se është përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi. Ndërkohë, Kodra dyshohet se jeton në Shkodër, ndërsa vepron në Tropojë, Ferizaj dhe Deçan të Kosovës”, thuhet në dokument.

Po sipas atij dokumenti apo komunikimi ndërpolicor, vihet në dukje aftësia e Kodrës për përdorimin e snajperëve.

Pra, siç shihet targetimi i Kodrës për ta pajtuar për kryerjen e vrasjeve, duket se nuk ishte i pamundur!

1. “Sulmuesi” pra, është i stërvitur për përdorim të armëve!

2. Ai e njeh shumë mirë territorin e Kosovës (pra, e konsideron një pjesë të tij, si pjesë të punës dhe jetës, pasi jeton në aksin: Shkodër-Tropojë-Deçan-Prishtinë-Ferizaj!

3., ka kryer vrasje (me pagesë sipas të gjitha gjasave në

4. Ai ka precedente penale të rënda, dhe ai mund të kushtëzohet, në kundërshpërblim me para, për të kryer atentate!

Por, edhe ky skenar, që i njëjti person t’i kryejë tri atentate, që mund të tronditin një shtet, brenda katër muajve është jo pak paradoksal!

Askush nuk mund të ketë garanci, se i dyshuari nuk kapet! Atëherë porositësit, mund të kenë pasur në skenar edhe planin B, e madje edhe C, deri në kryerjen e atentatit të tretë!

Pra, është e vështirë, që kjo t’i m’vishet opozitës, pra që opozita ta ketë projektuar, dhe në këtë rast mendohet për partitë që kanë qenë të akuzuara për përfshirje në vrasje politike, pra jo për LDK-në.

Por, zërat që kanë bërë thirrje të hapura dhe madje kërcënime, përfshirë, edhe zërat nëpër protesta, do të duhej të hetoheshin!

Kërkesa për vrasje, në këtë kontekst kohor, mund të jetë fshehur, edhe me kërkesën për rrëzimin e Qeverisë, madje kur pushteti mund të pësonte më keq, se sa liderët e rrëzuar në “Pranverën arabe”!

Skenari hipotetik, kundërshtues!

Skenari i kundërt me të gjitha këto, mund të jetë një përpjekje për ta përmbytur opinionin emocionalisht, që ekziston një vrasës që meriton ndëshkimin, por që në këtë rast dikush (disa) po mundohen ta bëjnë ‘dash për kurban’ – T’ia mveshin disa vrasje, dhe që ai ta merrë përgjegjësinë për një numër vrasjesh politike, dhe që një grup apo një klikë, të shpëtojë nga gjykata speciale!

Prandaj, janë në këtë mes disa grupe të interesit, nëse mund të shprehemi, që do të duhej të jenë shumë të interesuara, për ta zbardhur të vërtetën e rastit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat