Tensione në komision, Jasharaj nuk ndihet mirë - thotë se ka marramendje

Aktuale

Tensione në komision, Jasharaj nuk ndihet mirë - thotë se ka marramendje

Më: 21 shtator 2022 Në ora: 10:46 Përditësuar në ora: 12:22 më 21.09.2022
Rrahman Jasharaj para Komisionit

Jasharaj: Duke më sulmuar, pa dashtë po më bëni hero të kohës

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se po ndihet i pasigurt për shkak të kërcënimeve dhe shantazheve.

Gjatë raportimit në Komisionin për Arsim ku po diskutohet për grevën, Jasharaj ka deklaruar se “do të shkoj në varr si hero i kohës së shekullit të 21”.

“Mësimdhënësit në Kosovë e dinë kush është Rrahman Jasharaj, edhe qytetarët e kanë kuptuar. Jam i sinqertë. Naiviteti dhe sinqeriteti im po më kushtojnë nganjëherë me këto fjalët vëlla, por më vjen mirë që edhe kur të vdes do të më mbesin do fjalë të mia”.

“Do njerëz në qytet tash po bëjnë hajgare me fjalën vëlla. Ja arritja e Kurtit që ta bëjë të vlefshme fjalën vëlla. Duke më sulmuar pa dashtë po më bëni hero të kohës të cilën nuk e kam dashtë. Do të shkoj në varr si hero i kohës së shekullit të 21 dhe të kohës kur kryeministri i nderuar ishte Albin Kurti”, është shprehur ai para anëtarëve të Komisionit. 

Jasharaj s’ndihet mirë gjatë raportimit në Komision, thotë se ka marramendje

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharja nuk ndihet mirë dhe se ka pasur marramendje në takim me Komisionin për Arsim.

Jasharaj ka përjetuar molisje gjatë kohës sa po diskutohet për grevat në Komisionin për Arsim.

Jasharajt i është ofruar ujë.

Ndërkohë që deputetët e shumicës po kritikohen për presion ndaj Këshillit të SBAShK-ut dhe degradim të këtij takimi.

​Gola i thotë Jasharajt të mos përmend emrin e kryeministrit pa prezencën e tij

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj dha besën në Komisionin për Arsim që nuk do të flas më, kur iu kërkua nga kryetari Ardian Gola që të mos përmend emrin e kryeministrit, meqë nuk është i pranishëm. Megjithatë, Jasharaj vazhdoi të përgjigjet në pyetjet në lidhje me kërkesat që kanë për të dalë nga greva.

"I gjithë sektori publik i kanë adresuar të njëjtat kërkesa. A ka mundësi a jo, ne nuk kemi shkuar pëmendsh e kemi analizuar situatën. Por vullneti i qeverisë mungon", tha ai.

Ndërkaq Ymer Ymeri nga SBAShK ka treguar për kërkesat që kanë paraqitur edhe në takimet e fundit me Avokatin e Popullit.

"Kërkesat që i kemi reduktuar në bisedë në Avokatin e Popullit duke mos anashkaluar edhe ato fillestare, kërkesa prej 50 euro të vazhdon dhe të ketë rritje të pagës prej 10,45 për qind deri në dhjetor.

Ai theksoi se janë 13 shkolla të plota dhe dy prej klasës 1 deri në 5 që po mbajnë mësim. Po ashtu ka shtuar se janë 81 mësimdhënës të tjerë të cilët janë duke vijuar me mësimin.

​SBAShK-u në takim me Komisionin e Arsimit

Kryetari i Këshillit Grevist të BSPK-së, Rrahman Jasharaj ka thënë se në mesin e njerëzve që po shahen është ai dhe shumë mësimdhënës.

"U tentua që Rrahman Jasharaj të shpallet armik i vendit. Dhe asnjëherë nuk u distancuan deputetët e pozitës dhe kryeministri. Uroj që të kenë atmosferë të njëjtë siç e kam unë në shtëpi, uroj ta kenë nga Zoti", deklaroi ai.

"Mua duhet të më përcjellin në rrugë shokët, për shkak të inskenimeve. Rrahman Jasharaj nuk e ka shpallur dhe nuk e mbyll grevën. I vetmi fajtor është kryeministri Kurti dhe qeveria që drejton", shtoi ai.

"82 shkresa i ka dërguar BSPK dhe asnjë takim serioz nuk kemi pasur. Takimi dy orësh me Muratin, kryeministrin, ministren e Arsimit, doli me stilin merr ose le. U bullizova nga kryeministri në kuvend për shprehjen vëlla. Sepse në Kosovë kur bisedojmë pa hile, e përdorim shprehjen "vëlla". E harroj fjalinë e dytë kur i thash bëj të pamundurën si vëlla e kryeministër", ka shtuar ai.

Kështu u shpreh ai para Komisonit për Arsim, ku shtoi se përkundër premtimeve nuk ishin pjesë e hartimit të Ligjit.

Në anën tjetër, kryetari i komisionit, Ardian Gola ka thënë se është interes jetik të ruhet autoriteti dhe integriteti i mësuesit.

Ai tha se nuk është mirë që të përmenden emrat e kryeministrit, e të tjerëve që përmendi Jasharaj. Për këtë Jasharaj tha se nuk do të flas më dhe të njëjtën gjë e ka bërë Kurti në parlament, por ai nuk u ndalua.

"Mendoj se SBAShK-u është palë jashtëzakonisht e rëndësishme. Është interes jetik për mësimdhënësit që të ruhet integriteti dhe autoriteti i mësuesit. Në këtë kontekst e konsideroj takimin me ju shumë të rëndësishëm. Unë mendoj se secili prej nesh ndan hallet e përbashkëta për të drejtat e mësimdhënësve në mënyrë qe të tejkalojmë gjendjen", ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat