​Kurti nuk tërhiqet, greva vazhdon

Aktuale

​Kurti nuk tërhiqet, greva vazhdon

Më: 21 shtator 2022 Në ora: 19:52
Foto nga takimi

Greva e nisur në sektorin e arsimit do të vazhdojë pasi kërkesat e SBASHK-ut nuk morën “dritën jeshile” nga Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti edhe pas takimit që ky i fundit pati me Sussan Flocken, drejtoreshë e Unionit të Sindikatave Evropiane të Arsimit, e cila veçanërisht për këtë çështje erdhi sot në Kosovë.

Në një konferencë për media pas takimit me kryeministrin Kurti, drejtoresha e Unionit të Sindikatave Evropiane të Arsimit, e cila përfaqëson 11 milionë mësimdhënës në 51 vende evropiane, ka bërë të ditur se edhe pas diskutimeve disa orëshe që ata patën nuk arritën deri te zgjidhja e kërkesave të SBASHK-ut

Flocken tha se ajo do të raportojë pas kthimit në Bruksel mbi ecurinë e takimeve dhe gjendjen e krijuar për shkak të grevës në arsim.

Flocken: Nuk arritëm të gjejmë zgjidhje me Kurtin për kërkesat e SBASHK-ut

“Ne mbështesim SBASHK-un dhe kërkesat e tij, anëtarësinë e SBASHK-ut dhe mësimdhënësit në Kosovë. Arsimimi profesional është i rëndësishëm dhe meriton të gjithë mbështetjen e domosdoshme. Ne kemi pasur kontakt me KE-në mbi zhvillimet në situatën këtu në Kosovë dhe do të raportoj për takimin me kryeministrin në Komisionin Evropian. Kam ardhur nga Brukseli për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje, pasi mësimdhënësit ndodhen në grevë duke kërkuar rritjen e pagave dhe implementimin e sigurimeve shëndetësore dhe të skemës së pensioneve. Ne kemi pasur një shkëmbim të gjatë, por nuk kemi qenë në gjendje të gjejmë zgjidhje për çështjen”, tha Flocken.

Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj ka falënderuar Flocken për vizitën e saj urgjente në Kosovë me qëllim të gjetjes së zgjidhjes për kërkesat e SBASHK-ut. Ai ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës nuk ka lëshuar pe përballë kërkesave të tyre dhe se greva do të vazhdojë.

Jasharaj: Qeveria nuk i ka ndryshuar qëndrimet e veta

“Sot takimi ishte i dedikuar për zonjën Flocken. Ishte një takim për të cilin ne menduam se më në fund, në emër të Evropës, qeveria duhet të ndryshojë kahun e saj dhe qëndrimin... Me gjithë mbështetjen e Flocken, duket se qeveria nuk i ka ndryshuar qëndrimet e veta. E kam thënë dhe po e mbaj fjalën se asnjë takim me të tjerët nuk do të mbahet pa media dhe ky takim ishte i sponsorizuar nga Flocken dhe Brukselit, dhe përpjekjet e saj maksimale nuk kanë bërë që qëndrimet e Qeverisë të ndryshojmë”, ka thënë Jasharaj.

I pyetur mbi zëvendësimin e orëve të humbura, kryetari Jasharaj ka thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Jasharaj: S’do të ketë zëvendësim të orëve të humbura

“Kontrata definon se orët e humbura në grevë nuk zëvendësohen, ndërsa në situata tjera si pandemia zëvendëson. Por, sa i takon grevës precizohet se jo. Ne urojmë që Qeveria të reflektojë pas kësaj vizite, por situata është alarmuese, por orët e humbura nuk zëvendësohen, por kontrata e precizon se orët e humbura nuk zëvendësohen dhe ne nuk guxojmë si palë nënshkruese ta shkelim kontratën që vetë e kemi nënshkruar”, ka thënë Jasharaj.

Jasharaj ka pranuar se greva ka dëmtuar procesin mësimor, por sipas tij fajtor kryekëput i gjithë kësaj është Qeveria Kurti, e cila nuk reflektoi përballë kërkesave të SBASHK-ut.

Ai ka pasur edhe një fjalë për protestat e paralajmëruara të prindërve ndaj grevës në arsim

Jasharaj: Prindërit protestën ta drejtojnë kundër Qeverisë

“Uroj prindërve të Kosovës pjesë e të cilës jemi ne që protestën ta bëjnë dhe t’ia dedikojnë qeverisë, sepse ne çdo ditë jemi angazhuar për dialog, e kemi lutur edhe Avokatin e Popullit... Prindërit do të ishte mirë që reagimin e tyre ta drejtojnë kah fajtori, i cili është Qeveria Kurti, e cila me barrikadimin e saj nuk po lëviz asnjë milimetra karshi kërkesave të SBASHK-ut”, ka thënë Jasharaj.

Ndryshe, Unioni i Sindikatave Evropiane të Arsimit përfaqëson 11 milionë mësimdhënës në 51 vende të Evropës dhe SBASHK-u është anëtare e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat