ASK: Kosova ka të punësuar në shëndetësi 13448 persona

Aktuale

ASK: Kosova ka të punësuar në shëndetësi 13448 persona

Më: 1 tetor 2022 Në ora: 06:55
Foto ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon “Statistikat e Shëndetësisë” për vitin 2021. Ky publikim ofron të dhëna për numrin e përgjithshëm të të punësuarve në institucionet publike dhe private, si dhe aktivitetet e tjera shëndetësore në Republikën e Kosovës.

Publikimi i Statistikave të Shëndetësisë 2021 ofron të dhëna për aktivitetet e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), aktivitetet e spitaleve të përgjithshme, vizitat në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), shërbimet para-klinike, të sëmurët me TBC, sëmundjet ngjitëse, të sëmurët me sëmundje malinje, të prekurit me COVID-19,  institucionet private të licencuara, sigurimet shëndetësore, të lënduarit dhe të vdekurit në֝ vendin e punës, Shërbimet nga Qendrat Profesionale të Shëndetit Mendor etj.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, numri i përgjithshëm i të punësuarve në shëndetësi në sektorin publik, në vitin 2021, ishte 13 448 të punësuar, prej tyre: 2 776 mjekë specialistë; 7 707 infermierë; dhe 2 323 staf jo-mjekësorë.

Në vitin 2021, në Qendrat e Mjekësisë Familjare ishin 3 168 800 vizita mjekësore, prej tyre: 226 822 ishin vizita stomatologjike; 1 301 151 ishin shërbime laboratorike; dhe 5 351 537 ishin intervenime dhe shërbime të veçanta.

Ndërkaq,  në Spitalet e Përgjithshme kishte: 319 824 ditë shërimi; 73 253 pacientë të shtrirë; dhe 15 091 të operuar. Po ashtu, janë realizuar edhe 715 185 vizita ambulantore.

Gjatë vitit 2021, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kanë qenë: 408 551 ditë shërimi; 90 595 pacientë të shtrirë; dhe 15 034 janë operuar. Gjithashtu, janë realizuar: 414 317 vizita ambulantore; 1 806 540 shërbime laboratorike. 

Në Qendrën Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës(QKSUK) ishin realizuar 257 009  shërbime stomatologjike në total, prej tyre: rreth 45 073 vizita kontrolluese; 141 593 shërbime të ofruara; si dhe 61 526 aktivitete për pacientët jashtë Prishtinës.

Numri i rasteve të reja, të identifikuara me sëmundje malinje dhe beninje, gjatë vitit 2021, ishte 3 270, ndërsa numri i personave të trajtuar gjatë vitit 2021 ishte 4 041 persona. 

Ndërsa, numri më i madh i të prekurve me sëmundje malinje dhe beninje i përkiste grup-moshës 65-69 vjeçare, me gjithsej 474 raste. Numri i dializave të realizuara gjatë vitit 2021, në të gjitha spitalet publike të Kosovës, ishte 117 431. Ndërsa, numri i shërbimeve nga qendrat profesionale të shëndetit mendor ishte 110 512. Numri i të prekurve me TBC ishte 447 persona, prej tyre: 192 ishin femra dhe 255 meshkuj.

Numri i të vdekurve nga sëmundjet ngjitëse ishte 1 690 persona, ku numri më i madh i të vdekurve ishte nga COVID-19 me 1 655 raste.

Numri i personelit mjekësor, i angazhuar në QKUK dhe në spitalet e përgjithshme, që trajtuan pacientët me COVID-19 ishte 1 951 persona.

Në bazë të odave të profesionistëve shëndetësorë, në Kosovë ka 34 468 punonjës shëndetësorë të licencuar, nga ta: 24 571 janë femra si dhe 9 897 meshkuj.

Numri i institucioneve private shëndetësore të licencuara ka arritur në 1 852 , prej tyre 29 spitale dhe 1 823 institucione të tjera shëndetësore si: ambulanca, poliklinika, laboratorë, kabinete etj. Nga gjithsej 1 823 institucioneve private shëndetësore të licencuara, numrin më të madh e përbëjnë ambulancat stomatologjike me 417 prej tyre", njofton ASK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat