Armend Zemaj zbulon pse dha dorëheqje Rifat Latifi – ia përmend dështimet Albin Kurtit një nga një

Aktuale

Armend Zemaj zbulon pse dha dorëheqje Rifat Latifi – ia përmend dështimet Albin Kurtit një nga një

Nga: N. Sh. Më: 7 tetor 2022 Në ora: 15:42
Armend Zemaj

Ish-ministri i Shëndetësisë, deputeti aktual i LDK-së, Armend Zemaj ka treguar faktorët, që sipas tij, janë pasojë e dorëheqjes së Rifat Latifit nga ministri i Shëndetësisë.

Zemaj përmes një postimi në Facebook, thotë se dorëheqja e Latifit vjen si pasojë e dy faktorëve shtesë, që sipas tij janë, dështimi i Albin Kurtit si kryeministër dhe dështimi i Kurtit si ministër i Shëndetësisë.

Zemaj thotë se brenda 18 muajve tre ministra kanë udhëhequr ministrinë e Shëndetësisë.

I pari ishte Arben Vitia, i dyti Rifat Latifi dhe i treti sipas tij, është Albin Kurti, për të cilin thotë se ka qenë më i dobët se i pari dhe i dyti.

Postimi i plotë:

Paaftësia qeverisëse mbetet kryefjalë e udhëheqjes së pushtetit aktual.

Kanë kaluar 18 muaj nga puna e kësaj Qeverie, ku tre ministra, përfshirë edhe Kurtin, e kanë udhëhequr ministrinë e Shëndetësisë; i pari ka qenë më i dobët se i dyti, ndërsa i treti, pra Kurti, është më i dobët se i dyti dhe i pari.

Dorëheqja e Latifit vjen edhe si pasojë e dy faktorëve shtesë:

-Dështimin e Kurtit si kryeministër

-Dështimin e Kurtit si ministër i Shëndetësisë

Mos të harrojmë se për këta 18 muaj kanë ndodhur një sërë dështimesh dhe padrejtësish ndaj qytetarëve, pacientëve dhe profesionistëve shëndetësor:

-Është e padrejtë kur kryesuesja e Bordit është edhe kryesuese e Komisionit për përzgjedhjen e drejtorëve të klinikave.

-Është e padrejtë mijëra operacione bëhen më pak në kuadër të SHSKUK-së, e shumë më shumë në sektorin privat.

-Është e padrejtë kur qindra qytetarë kërkojnë shërim jashtë vendit, ndërsa pushteti qëndron si spektator.

-Është e padrejtë kur lista e pritjes për të marrë shërbime shëndetësore,  në disa raste arrin deri në fundin e vitit 2024.

-Është e padrejtë është mungesa e barnave esenciale, dhe më i padrejtë është fakti se aty është një hije e zezë keqpërdoruese e cila shumë shpejt do të mund të marr formën e një hije të keqe korruptuese.

Padrejtësitë e mëdha të këtij pushteti janë të prezantuara edhe në raportin e aludimit, ku është një mal me shkelje e keqpërdorime.

-Është e dhimbshme për vendin kur vetëm sivjet mbi 170 mjek të rinj dhe mbi 60 mjek me përvojë 20 vjeçare janë larguar nga institucionet publike shëndetësore.

-Edhe më i dhimbshëm bëhet fakti kur në Kosovë janë edhe më shumë se 650 mjek të papunë.

Paradoksale; po rriten ikjet e mjekëve, ndërkohë që rritet edhe numri i mjekëve të papunë.

Për fund kam edhe një pyetje:

Pas dorëheqjes së doktor Latifit, a është Kurti ministër i ri i vetëm i Shëndetësisë, apo do të ketë edhe një person tjetër të radhës për të mbuluar dështimet e tij? Do të ishte e drejtë që ai të dilte dhe të thoshte se do të merret personalisht me këtë çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat