“Nxirri fshi të gjitha xhirimet, ja po t’i thej krejt”, aktakuzë ndaj të dyshuarit për shkak të kanosjes ndaj një gazetari

Aktuale

“Nxirri fshi të gjitha xhirimet, ja po t’i thej krejt”, aktakuzë ndaj të dyshuarit për shkak të kanosjes ndaj një gazetari

Më: 10 tetor 2022 Në ora: 14:44
Foto ilustrim

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se Prokurori i Shtetit pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit H.Q., i cili ndodhet nën masën e paraburgimit, për shkak të veprës penale “Kanosja”.

“Sipas aktakuzës, më 20.09.2022, rreth orës 12:45, në lagjen Bresje në Fushë Kosovë, përkatësisht në tregun e kësaj lagjeje, i pandehuri H.Q., seriozisht e kanosë me fjalë dhe gjeste se do t’i shkaktojë lëndim të rëndë trupor të dëmtuarit N.T. (gazetar), lidhur me një reportazh të cilin ishte duke e xhiruar i dëmtuari, për kushtet në treg dhe problemet që ballafaqohen tregtarët, ashtu që derisa i dëmtuari ka qenë duke e pritur policinë pas njoftimit të tyre për këtë rast, i pandehuri e merr në dorë një shufër hekuri me ngjyrë të zezë- send ky që mund të shkaktoj lëndim të rëndë trupor, ku me këtë niset në drejtim të dëmtuarit, duke i thënë: “Nxirri fshi të gjitha xhirimet, ja po t’i thej krejt”, në atë moment ndërhyjnë disa qytetarë dhe i pandehuri H.Q., arrestohet në vendin e ngjarjes nga zyrtarët policor, andaj me këtë i njëjti kryen veprën penale “Kanosja”, pasi me veprimet e tij i ka shkaktuar frikë dhe ankth për jetën të dëmtuarit”, thuhet në njoftim.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri i lartcekur të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat