Rama “eksploziv” në Strazburg - Anëtarësimi i Kosovës në KiE nuk duhet të kërkojë më kohë, bëjeni tani...

Aktuale

Rama “eksploziv” në Strazburg - Anëtarësimi i Kosovës në KiE nuk duhet të kërkojë më kohë, bëjeni tani...

Më: 12 tetor 2022 Në ora: 11:39 Përditësuar në ora: 17:09 më 12.10.2022
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Rama për akuzën për trafikim organesh: Fantazi e mirëfabrikuar në Kremlin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është duke e mbajtur fjalimin e tij në Asamblenë e Këshillit të Evropës.

Ai aty foli edhe për akuzën pë trafikim organesh nga UÇK-ja, duke e quajtur atë fantazi të mirëfabrikuar në Kremlin e në mënyrë intelegjente të kontrabanduar në kanalet e politikës ndërkombëtare.

Rama tha se cështja e trafikimi të organeve është një cështje që nuk ekziston, prandaj tha që ndodhet aty para asamblistëve evropianë.

“Është një çështje që nuk ekziston dhe prandaj jam këtu sepse s’isha një vit më parë sepse kemi pritur me durim të shohim nëse dilte diçka edhe pse e dinim që s’do të dilte… Është një fantazi e pastër e mirëfabrikuar në Kremlin dhe në mënyrë shumë intelegjente e trafikuar, kontrabanduar në kanalet e politikës ndërkombëtare dhe sjell këtu në tempullin e të drejtave të njeriut.

Rama tha se “pavarësisht mungesës së të dhënave lidhur me trafikim organësh u krijuan Dhomat e Specializuara të Kosovës, që çuan në arrestimin e katër individëve, përfshirë edhe presindetin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai tha se edhe pas një viti që Thaçi gjendet në Hagë, nuk ka as edhe një fjalë të vetme që e përmend në mënyrë të qartë çështjen për trafikim organesh.

“Për një moment vini në lëvizje imagjinatën, presidentin, kryeministrin apo udhëheqësin tuaj, që merret nga zyra e tij, nën mbikëqyrje vihet nën arrest pa asnjë aktakuzë zyrtare. Jam këtu për të vënë në diskutim burimin e infektuar, të neveritshëm që krjijoi gjithë këtë valë dhe jam këtu të diskutoj faktin që në akratuzën zyrtare që u paraqit një vit pasi ky njeri u mbajt në burgim, nuk ka as edhe një fjalë të vetme as edhe një, që përmend në mënyrë të qartë apo të nënkuptuar çështjen e trafikimit të organeve njerëzore”, ka shtuar ai.

 

Rama: Anëtarësimi i Kosovës në KiE nuk duhet të kërkojë më kohë, bëjeni tani, jo për ne, për Evropën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërkuar nga vendet anëtare të Këshillit të Evropës që të votojnë pro anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion, që tashmë e ka dorëzuar aplikacionin.

“Shqipëria padyshim që do ta mbështesë. Ju bëjë thirrje që ta bëni edhe ju këtë. Nëse njohja e Kosovës nga Serbia merr kohë, atëherë pranimi i Kosovës nuk duhet të marrë më kohë, bëjeni tani, për të gjithë ne, bëjeni për Evropën jo për Kosovën”, ka deklaruar Rama..

“Bëjeni për Evropën që po përballet me një luftë të shëmtuar. Ukraina nuk e ka njohur Kosovën, por pyetni se çfarë mendojnë tani”.

Edi Rama në KiE: “Shtëpia e verdhë” s’ishte as e verdhë dhe as klinikë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se “Shtëpia e verdhë” për të cilën raporti i Dick Martyt pretendonte se janë nxjerrë organe njerëzish nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk ishte as e verdhë dhe as nuk ishte klinikë.

Kështu ka thënë ai në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës.

“Raporti përqendrohet dhe e vendos një theks të veçantë tek një vend specifik mjekësor, një shtëpi e verdhë ku ishin përqendruar operacionet”.

“Kjo shtëpi nuk është e verdhë dhe as klinikë, është një shtëpi prej të shumtave në një zonë të thellë të Shqipërisë. Vetë fshati ndodhet në një zonë shumë të largët të Shqipërisë”.

“Ky nuk ishte vendi ideal për heqjen e organeve. Imagjinojeni të heqësh organe, pa rrymë, pa ujë dhe pa rrugë – e lerë më pa pajisjet e specializuara”.

“Ndërkohë edhe fshatarët kanë thënë se nuk kanë parë dhe dëgjuar të tilla gjëra”.

Tutje, Rama i ka ftuar të pranishmit në Këshillin e Evropës që të shkojnë dhe ta vazhdojnë shtëpinë në fjalë në mënyrë që ta vërtetojnë se pretendimet e Martyt ishin një gënjeshtër e madhe.

Më tej, ai duke iu referuar raportit të Dick Martyt, ka thënë se nga duart e Këshillit të Evropës u shpërnda lajmi më i tmerrshëm i rremë.

Rama në KiE për luftën në Kosovë: Të gjallët kërkojnë të dashurit e tyre, të vdekurit s’kanë gjetur paqen e varrit

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, pos Shqipërisë ka folur edhe për luftën në Kosovë në Asamblenë e Këshillit të Evropës.

Ai ua kujtoi përfaqësuesve të shteteve anëtare, se gjatë luftës së Kosovë nga operacioni i qëllimtë barbar ushtarak i spastrimit etnik i kryer nga Sllobodan Millosheviq, u zhvendosën qindra mijëra civilë. Rama poashtu theksoi se vdiqën mijëra njerëz, e 20 mijë gra u përdhunuan.

“Një operacion i qëllimtë barbar ushtarak i spastrimit etnik i kryer nga Sllobodan Millosheviq solli zhvendosjen e qindra mijëra civilëve, mijëra vdiqën, 20 mijë gra u përdhunuan dhe këto janë të dhëna zyrtare nga organizatat ndërkombëtare”.

“Ndërkohë që flasim, rreth 1 mijë e 600 persona janë ende të zhdukur, të gjallët kërkojnë të dashurit e tyre, të vdekurit nuk kanë gjetur edhe paqen e varrit”.

E konfirmon Qeveria e Çekisë: Nesër diskutohet për liberalizimin e vizave

Tema e liberalizmit të vizave për Kosovën do të jetë temë diskutimi në takimin e së enjtes në Këshillin e Ministrave të Bashkimit Evropian. Lajmi është konfirmuar, sot për Radio Kosovën nga Zyra e Qeverisë së Çekisë.

“Mund të ju konfirmojmë se Qeveria e Çekisë, e cila kryeson Presidencën  e Bashkimit Evropian ka vendosur për diskutim në rend dite, çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën  në takimin e Grupit punues, që  mbahet sot (12 tetor) dhe nesër më 13 tetor.

Tema e liberalizmit të vizave për Kosovën,  do të diskutohet nesër, më 13 tetor”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së  Çekisë, dërguar sot Radio Kosovës.

Diskutimit nesër për temën e liberalizmit të vizave për Kosovën, i ka paraprirë sot publikimi i Raportit të Progresit për Kosovën i Komisionit Evropian, ku vetë Komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, gjatë prezantimit të Pakos së Zgjerimit, ka ritheksuar dhe rikonfirmuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

KE me raport për Kosovën: Kuvendi me menaxhim të dobët, sfidues luftimi i krimit dhe korrupsionit në veri

Komisioni Evropian përpiloi tekstin e paketës së zgjerimit dhe atë të raporteve të progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor, që pritet të miratohen më 12 tetor.

Radio Evropa e Lirë siguroi qasje në draftet e këtyre dokumenteve, të cilat nuk pritet të pësojnë ndryshime të mëdha deri në miratim.

Komisioni nënvizon se në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka pasur ndikim ndryshimi i rrethanave globale, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, ndërsa merret në mënyrë të veçantë me situatën ekonomike atje, zbatimin e planit evropian për investime në Ballkanin Perëndimor, agjendën e gjelbër evropiane, planet për prokurim të përbashkët të energjisë dhe përshtatjen e vendeve të këtij rajoni me politikat e BE-së.

Në draftin e raportit të progresit për Kosovën, vendi veçohet për disa përparime që ka bërë, por, në të shumtën e rasteve, progresi thuhet se ka qenë i kufizuar dhe se duhet të punohet më shumë.

Liberalizimi i vizave, “me urgjencë”

Në aspektin politik, Kosova vlerësohet për përshtatjen me qëndrimet e BE-së ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Përsëritet se Komisioni Evropian mbetet në qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Aty, po ashtu, theksohet se ka një ndjenjë që Këshilli i BE-së të merret me urgjencë me këtë çështje.

Sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në draft-raport thuhet se ka pasur takime të rregullta në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve, ndërsa përmendet edhe takimi më 18 gusht midis liderëve të të dyja shteteve.

Aty përmendet edhe pajtimi për udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjeve të energjisë dhe për udhëtimin vetëm me letërnjoftime midis Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, nga të dyja vendet kërkohet angazhim urgjent për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, që do t’i normalizonte marrëdhëniet mes tyre.

“Kosova duhet të angazhohet në mënyrë më konstruktive dhe të bëjë përpjekje të tjera substanciale për implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në të kaluarën, si dhe të kontribuojë në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, për normalizimin e raporteve me Serbinë. Një marrëveshje e tillë është urgjente dhe kyçe për t’u mundësuar Kosovës dhe Serbisë avancimin në rrugëtimin e tyre përkatës evropian”, thuhet në draftin e raportit.

Menaxhim “i dobët” i agjendës legjislative

Komisioni, po ashtu, thekson se “Kosova ka pasur stabilitet politik”, por nuk e vlerëson pozitivisht punën e Kuvendit të Kosovës.

Puna e Kuvendit vazhdon të ndikohet negativisht nga atmosfera polarizuese politike dhe vështirësitë për të arritur kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje, përkundër faktit se Qeveria bazohet në një shumicë të fortë”, thuhet në dokument.

Kjo, sipas tij, ndodh për shkak të menaxhimit të dobët të agjendës legjislative, por edhe për shkak se, siç thuhet, deputetët e opozitës kanë abstenuar nga votimi, për të penguar miratimin e vendimeve.

Situata në veriun e Kosovës, ndërkaq, vlerësohet si “sfiduese”, në veçanti sa i përket “korrupsionit, krimit të organizuar dhe kushteve për lirinë e shprehjes”.

Për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit thuhet se Kosova është ende në “një fazë të hershme” dhe se këtu është arritur “një lloj progresi”.

Por, sikur edhe në vitet e mëparshme, progresi është më shumë në miratimin e vendimeve dhe krijimin e kornizave të nevojshme. Për zbatimin e tyre kërkohet më shumë punë.

Gjyqësori, “i ngadalshëm dhe joefikas”

Dokumenti përmend edhe funksionimin e gjyqësorit, i cili vlerësohet si “i ngadalshëm, joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndikimeve të panevojshme”.

Kosovës i sugjerohet që reformat në gjyqësor, t’i bëjë së pari duke përdorur mjetet ekzistuese për ruajtjen e integritetit, pavarësisë dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor.

Përkushtimi i Qeverisë që të implementojë në tërësi mendimin e Komisionit të Venecias për vetting-un e gjykatësve dhe prokurorëve, në bashkëpunim të ngushtë me BE-në, është i mirëpritur”, thuhet në draftin e raportit.

Kritika Kosovës i bëhen edhe për atë që Komisioni Evropian e cilëson si “vendosje e kufizimeve për eksportin e një numri të prodhimeve bujqësore dhe ushqimore, pa justifikim dhe pa konsultim me Komisionin Evropian”.

Konstatohet, po ashtu, se Kosova nuk e ka ratifikuar akoma protokollin plotësues të CEFTA-s, për lehtësimin e tregtisë dhe shërbimeve.

Në anën tjetër, Kosova vlerësohet pozitivisht për aktivitetin kundër radikalizmit dhe ekstremizmit. Por, si “çështje për shqetësim” përmendet “lirimi i hershëm me kusht i ekstremistëve të dhunshëm”, ndërsa “kërkohet që të ketë më shumë përpjekje rreth rehabilitimit dhe riintegrimit të tyre”.

Serbia “shënon kthim prapa”

Sa u përket vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, ato, pak a shumë, përballen me sfida të ngjashme.

Kritikat më të mëdha i adresohen Serbisë, e cila, sipas draft-raportit, “ka shënuar kthim prapa” në përafrimin e qëndrimeve të saj me politikën e jashtme të BE-së, sidomos në rastin e sanksioneve ndaj Rusisë, të cilat Serbia vazhdon t’i refuzojë.

Në dokument përmenden edhe disa shifra, sipas të cilave, Serbia, në vitin 2021, i ka përshtatur në nivelin prej 64% qëndrimet e saj me ato të BE-së, ndërsa në gusht të këtij viti ka rënë në 45%.

Dokumenti thekson se Serbia “me një numër deklaratash dhe veprimesh ka dalë kundër BE-së” në politikën e jashtme.

Në tekstin e paketës së zgjerimit konstatohet se agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka bërë që, më shumë se kurrë, të ndihet nevoja e përafrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.

“Sfidat gjeopolitike, sidomos agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, i kanë afruar më shumë BE-në dhe Ballkanin Perëndimor dhe kanë rritur nevojën për solidaritet mes njëri-tjetrit”, thuhet në draftin e paketës së zgjerimit.

Nisja e negociatave të anëtarësimit, moment historik për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut përmendet fakti se këto dy vende i kanë nisur negociatat e anëtarësimit, pas një pune intensive, dhe kjo shënon një moment historik në raportet e këtyre dy vendeve me Bashkimin Evropian.

Maqedonia e Veriut, sipas raportit, i ka vazhduar përpjekjet për forcimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit, pavarësisht disa sfidave. Nga Shkupi kërkohet që të ketë më shumë vullnet politik për të reformuar sistemin zgjedhor. Edhe në Maqedoninë e Veriut Komisioni ka vërejtur se polarizimet politike kanë ndikuar që Parlamenti të vonojë miratimin e disa ligjeve.

Maqedonia e Veriut ka shënuar “një lloj progresi” në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Tash kërkohet më shumë fokus në implementimin e kornizës ligjore që ekziston, për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në rastin e Shqipërisë vlerësohet progresi në forcimin e strukturave për integrim në BE, por kërkohet që në këtë drejtim të ketë më shumë bashkëpunim me opozitën dhe shoqërinë civile. Aty nënvizohet se konflikti i madh i brendshëm me partinë më të madhe opozitare, Partinë Demokratike(PD,) ka ndikuar në jetën parlamentare në Shqipëri.

Komisioni pranon se Shqipëria ka vazhduar luftën kundër korrupsionit në nivel të lartë dhe si shembull përmenden dënimet e disa ish-zyrtarëve të lartë. Shqipërisë i kërkohet që të bëjë më shumë përpjekje në parandalimin e shpëlarjes së parave.

Një çështje që Komisioni Evropian kërkon në mënyrë të veçantë në Shqipëri është angazhimi për të penguar emigrimin ilegal, sidomos të personave të mitur pa përcjellje.

Komisioni Evropian miraton çdo vit paketën e zgjerimit dhe raportet e progresit për secilin nga vendet e përfshira në këtë proces.

Vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen në faza të ndryshme në procesin e zgjerimit.

Mali i Zi ka avancuar më së shumti dhe i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave për anëtarësim në BE. Serbia është në procesin e negociatave, por këtë vit nuk ka hapur, deri më tash, asnjë kapitull të ri.

Bosnje e Hercegovina ka aplikuar për anëtarësim në BE, por akoma nuk ka marrë mendim pozitiv nga Komisioni Evropian për dhënien e statusit të vendit kandidat.

Kosova është i vetmi vend i rajonit të Ballkanit Perëndimor, i cili nuk ka aplikuar ende për anëtarësim në BE.

Gahler: Pritjet tona janë të qarta për të gjitha vendet

Pakoja e Zgjerimit për Ballkanin perëndimor dhe Turqinë u paraqit nga Komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, para anëtarëve të Parlamentit Evropian.

Michael Gahler, eurodeputet gjerman, deklaroi se është një sinjal shumë i rëndësishëm politik, për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pritjet tona janë të qarta për të gjitha vendet”, tha Gahler.

Nuk do të flas për vendet  veç e veç, por  doja të theksoj në mënyrë të veçantë se e mirëpres që KE-ja propozon Bosnje e Hercegovinën si vend kandidat për antarësim në BE”.

Eurodeputeti kroat, Tonino Picula, deklaroi se nuk është i kënaqur me shpejtësinë e vogël me të cilin po vazhdon procesi i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Gjatë një viti ka pasur vetëm një përparim e që është hapja e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Ai tha se Serbia mund të konsiderohet si dështuesja më e madhe përgjatë këtij viti.

Ne jemi shumë të qartë në pozicionin tonë. Negociatat për anëtarësim mund të përparojnë vetëm nëse vendi, vendos sanksione ndaj Rusisë”.

Ai deklaroi se fatkeqësisht nuk ka pasur shumë përparime në bisedime për anëtarësim as për Serbinë, por as për Malin e Zi.

Në Mal të Zi shkaku i jostablitetit politik e  në Serbi, ende nuk ka Qeveri të re, pavarësisht se partia që qeveris vendin ka fituar shumicën dërmuese të votave”.

Ai foli edhe për Kosovën. “Vendet e BE-së duhet që më në fund të vendosin liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës”.

Ilhan Kyuchyuk nga delegacioni turk në Parlamentin Evropian shprehu shqetësimin për procesine  ngadaltë të integrimit të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, raporton RTKlive.

Rekomandimi për dhënien Bosnjë e Hercegovinës së statusit të vendit  kandidat është shumë i rëndësishëm sepse është më shumë si mesazh”, tha ai, duke rikujtuar se një status të tillë tashmë e kanë Ukraina, Gjeorgjia e Moldavia.

“Është mirë që kanë nisur bisedimet për antarësim me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut që ato të mos mbahen peng”.

Jam shumë dakord që liberalizimi i vizave për Kosovën është i nevojshëm sepse ka shumë potencial për gjeneratën e re dhe është koha që ato të hiqen”, u shpreh Kyuchyuk.

Mandl befasohet me raportin e KE-së për Serbinë: Duket se vjen nga një univers tjetër

Eurodeputeti austriak Lukas Mandl ka thënë se është i befasuar me raportin e Komisionit Evropian sa i përket Serbisë.

Mandl ka thënë se në Parlamentin Evropian me shumicë votash ka miratuar më 1 mars rezoluta ku është shprehur shqetësimi i thellë me qasjen e Serbisë sa i përket luftës në Ukrainë.

Ndjenja ime për raportin, kur vjen te Serbia, është se nuk vjen nga Komisioni Evropian, por nga një univers tjetër. Ky parlament më 1 mars me shumicë votash ka shprehur shqetësimin e thellë për Serbinë sa i përket luftës. Ajo nuk ka ndryshuar qasjen. Ku është vija e kuqe për Komisionin që të ndalojë së pretenduari se Qeveria e Serbisë, lidershpi i Serbisë, do të jetë Qeveri e rregullt dhe në përputhje me vlerat e BE-së? Pse po thoni se Kosova duhet të jetë më tepër e angazhuar në dialog me Serbinë, kur Serbia është ajo që po e bllokon Kosovën e jo anasjelltas. Ndoshta duhet riformuluar atë deklaratë”, ka thënë Mandl.

Rama fjalim në KiE kundër raportit të Dick Maryt: Besimi në institucionet ndërkombëtare duhet rivënë në vend

Edi Rama: Ju jam mirënjohës për mundësinë për tju drejtuar kësaj asambleje për një çështje thelbësore të drejtësisë. Unë përfaqësoj Shqipërinë, por nuk kam ardhur këtu të flas vetëm për të. Tema e shqetësimit që dua të ndaj me ju lidhet me Shqipërinë si trupi me shpirtin.Ajo që do them lidhet me rolin që Europa dhe institucionet luajnë sesi i zhvillojnë këto marrëdhënie. Ta kthesh një histori konflikti në një histori bashkëpunimi kërkon një besim tek institucionet ndërkombëtare. Marrëdhëniet tona me njëri tjetrin ndërmjetësohen nga institucionet ndërkombëtare. Dëmi shkon shumë larg, përtej tragjedive individuale.

Për ju lufta është kujtim i largët, për ne është plagë që ende dhemb. Faktet nuk duhet të cenohen nga lojërat e pushtetit. Në dekadat e fundit institucionet kanë qenë thelbësore në zgjidhjen e konflikteve. Serbia jo shumë kohë më parë konsiderohej si armik për vdekje, por tashëm është një partner I rëndësishëm në nismën tonë të Ballkanit të Hapur. Europa për ne është më shumë sesa një projekt, është projekt, Asnjëherë më parë historia nuk është treguar më e mirë me në. Të tjerët vendosnin për ne, perandoritë, regjimet dhe ideologjitë, që na mbajtën të kyçyr larg Evropës për një vend.

Tri dekada më parë patëm mundësi të ndryshonim fatin tonë. Besimi i Shqipërisë në fatin europian është spiranca jonë drejt së ardhmes.

Von Cramon pyet se çfarë do të bëhet me vizat për Kosovën, i përgjigjet Varhelyi: Duhet të bindim vendet anëtare

Raportuesja  për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka thënë se Kosova ka përmbushur 95 kriteret për liberalizimin e vizave.

Ajo ka thënë se një gjë e tillë është konfirmuar për të kartën herë në vitin 2018 nga Komisioni Evropian.

Ne kemi parë që në vitin 2018  për të katërtën herë nga Komisioni Evropian është konfirmuar që Kosova ka përmbushur 95 kriteret sa i përket liberalizimit të vizave”, tha Von Cramon.

Ajo ka pyetur se çfarë është e gatshme të bëjë Komisioni Evropian sa i përket dialogut me vendet anëtare për heqjen e vizave.

Kësaj pyetje të Von Cramon, i është përgjigjur Komisionari për Fqinjësinë dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Ai ka thënë se pajtohet me të për të ndërmarrë një hap tutje në këtë proces.

Pajtohem me ju që duhet të shkojmë një hap tutje në këtë proces. Por siç e kam thënë shumë herë të bindësh nuk nënkupton vetëm hapjen e kutive nga Komisioni Evropian, të bindësh nënkupton që duhet bindur edhe vendet anëtare që duhet të votojnë për këtë”, tha Varhelyi.

Ai shtoi se janë duke punuar me vendet anëtare në këtë aspekt.

Jemi duke punuar me vendet anëtare, dhe ju kemi referuar dokumenteve që ju përmendet… dhe shpresojmë që edhe me rezultatet e Qeverisë së Kosovës në teren, ne do të mund tu demonstrojmë vendeve tona anëtare që liberalizimi i vizave është një zgjidhje e sigurt”, ka thënë Varhelyi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat