Urgjentisht Kosova ta forcojë sovranitetin e vendit në veri / Rruga që ende nuk na e ka treguar Vesli Klark

Aktuale

Urgjentisht Kosova ta forcojë sovranitetin e vendit në veri / Rruga që ende nuk na e ka treguar Vesli Klark

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 13 tetor 2022 Në ora: 19:03
Ish-Komandanti i NATO-s, që e udhëhoqi luftën në Kosovë, Wesli Clark

Një mik i shqiptarëve i jashtëzakonshëm, mbase njëri nga idhujt kryesor shqiptarë të vitit 1999 gjatë bombardimeve të NATO-s.

Emri i shenjtëruar i Vesli Klarkut, komandantit të Aleancës të cilën e udhëhoqi në luftë kundër Serbisë, përgjatë gjithë asaj kohe, dhe i mbetur në kujtesë si i paprekshëm, nga shumica e shqiptarëve që e përjetuan luftën dhe kudo, e bën, që sa herë të flasë edhe sot, 23 vjet pas luftës, të merret me shumë seriozitet.

Ai është në pension dhe një kohë u konsiderua se është këshilltar për Qeverinë e Kosovës. Por, pavarësisht statusit të tij, në lidhje me institucionet këtu, qëndrimet e tij janë gjithherë referente për shqiptarët.

Forcimi i sovranitetit

Në një deklaratë së fundi ai ka porositur se Kosova duhet ta forcojë sovranitetin e vendit përgjithësisht, dhe në mënyre të veçantë ajo duhet të merret me pjesën veriore të saj.

“Situata mes Kosovës dhe Serbisë është më ndryshe. Ajo që dua të them është se Kosova duhet ta forcojë sovranitetin e saj dhe ta kontrollojë pjesën veriore të vendit. Çështja e targave është një shembull i mirë për të treguar sovranitet, por ka edhe metoda të tjera që mund të përdoren”, ka pohuar ushtaraku amerikan Vesli Klark.

Por, çfarë duhet të bëjnë shqiptarët, që gjërat të ndodhin vërtetë kështu sipas kësaj porosie, dhe që më në fund, të ndodhë pa probleme, ajo që tha së fundi ambasadori amerikan në Beograd Kristofer Hill, i konsideruar po ashtu prej shqiptarëve, si një tjetër figurë shumë e respektuar dhe miqësore, se kur serbët një ditë zgjohen duhet ta kuptojnë, që Kosova nuk është pjesë e tyre.

“Qoftë në këtë shekull apo në shekullin tjetër, Serbët kur të zgjohen do të shohin se shqiptarët e kanë marrë Kosovën për vete”, ka thënë Hill.

Kjo që thotë Hill, është nga deklaratat përjashtimore, dhe që vështirë të jetë dëgjuar apo thënë nga burrështetas amerikan.

Edhe pse ajo ka njëfarë mungese në vetvete, zbrazëtie, nuk mund të kundrohet nga aspekti negativ, pasi ajo është thënë duke e shprehur vizionin, madje jo vetëm të tij, por edhe të gjithëkujt, që në diplomacinë amerikane ka ndonjë hezitim, se çfarë mund të bëhet me fatin e Kosovës, në rastin jo më të pranueshëm për shqiptarët.

Image
Ambasadori Kris Hill

Ajo sqaron, se edhe po deshi Serbia, edhe për 100 vjet të tjera të mos na njoh, nuk ka asnjë rëndësi, sepse më në fund këtë do ta kuptojnë vetë serbët.

Pra, një ditë do të jenë vetë serbët, që kur të zgjohen, do ta kenë kuptuar, se Kosova është e shqiptarëve, është shtet i tyre, të cilin serbët vetëm mund ta kundrojnë, por që më kurrë asgjë nuk do të mund t’i bëjnë.

Me një fjalë, ky mesazh edhe mund të interpretohet se Serbia, nuk ka pse e vonon dhe zvarrit, procesin e njohjes, sepse sovraniteti i Kosovës është i paprekshëm, dhe se Amerika e garanton atë, sot dhe pas një qind vitesh!

Edhe ambasadori amerikan në Kosovë Jeffry Hovenier, në një deklarim të bërë dje e ka konfirmuar, atë që e nënkupton, si raport jashtëzakonisht specifik ndërmjet dy shteteve. “Kemi marrëdhënie të fuqishme, partneritet të fuqishëm”, ka thënë ambasadori amerikan Hovenier.

Në kontekst të bisedimeve, mendoj se duhet të lexohen të tria këto mesazhe së bashku.

1. Mesazhi i Klarkut konoton, se vetëm forcimi i sovranitetit dhe kontrollit në veri, është zgjidhja garantuese për bisedimet me Serbinë!

2. Mesazhi i Hillit, se Kosova nuk duhet të bëjë lëshime, përderisa Kosova është shtet i garantuar nga SHBA-të/ apo

Në rastin më të keq, shqiptarët mund të bëjnë kompromise, duke i pasur parasysh garancionet për paprekshmërinë e sovranitetit të Kosovës.

3. Mesazhi i Hovenier, se kemi marrëdhënie të fuqishme, partneritet të fuqishëm, e konfirmon mesazhin paraprak se SHBA-të janë garantuese, dhe se në fund është çështje e raporteve Kosovë-SHBA.

Image
Ambasadori Hovenier

Gjithçka, duke e respektuar Kushtetutën e Kosovës

Pra, politika e Kosovës thjesht duhet të jetë e fokusuar, të mos veprojë më në mënyrë kundërshtuese, pushtet-opozitë, dhe në raport me dakordimin me SHBA-të duhet të jetë e kujdesshme dhe e qartë në artikulim, dhe në zgjidhje.

Mesazhet amerikane, përveç se të drejtpërdrejta, që u përcillen politikanëve edhe ato publike kanë rëndësi të veçantë, sepse si në këto raste ato zbulojnë apo qartësojnë atë çfarë ne mund të hamendësojmë në vlerësimin e disa mesazheve zyrtare.

Porosia e plotë është se shqiptarët janë ata që duhet ta forcojnë shtetin e tyre, sovranitetin dhe integritetin shtetëror dhe njëkohësisht të arrijnë qëllimet e tyre.

Prandaj, edhe ambasadori Hovenier e rikujton atë, që e ka thënë edhe zëvendës-ndihmës Sekretari i Shtetit, Gabrile Escobar, se “asociacioni duhet të bëhet në mënyrë të tillë që respekton Kushtetutën e Kosovës; duhet të bëhet në atë mënyrë që nuk ndikon negativisht në rendin kushtetues të funksionimit të Qeverisë dhe ne besojmë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese mundëson kornizë të duhur si të ecet përpara me zbatimin e këtij zotimi”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat