​Kurti dhe Bjornstad diskutojnë për dialogun Kosovë-Serbi

Aktuale

​Kurti dhe Bjornstad diskutojnë për dialogun Kosovë-Serbi

Më: 17 tetor 2022 Në ora: 19:41
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takim me Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Arne Sannes Bjornstad

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Arne Sannes Bjornstad, shoqëruar nga ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl.

Duke i uruar mirëseardhje në Kosovë, kryeministri Kurti fillimisht foli për punën dhe arritjet e Qeverisë, sfidat e qeverisjes dhe përballjen me to.

Krahas qeverisjes së mirë, ai veçoi indikatorët ekonomikë të cilët tregojnë për rritje të eksporteve për 29.5% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, për rritje të Investimeve të Huaja Direkte për 47% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar dhe rritje ekonomike për 4.9% në tre mujorin e parë të këtij vitit pasi të zbritet inflacioni.

Kurti u shpreh se fokusi është te menaxhimi i krizës energjetike teksa foli për masat e ndërmarra deri tani që përfshijnë subvencionimin e konsumit të energjisë elektrike për qytetarët dhe masat për eficiencën e energjisë elektrike.

Në prag të Samitit të Berlinit, kryeministri Kurti tha se shpreson për një rifillim të Procesit të Berlinit nën udhëheqjen e kancelarit gjerman, Scholz që do të sillte tregun e përbashkët rajonal dhe BE-në, si vlerë dhe mekanizëm brenda gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas një komunikate të Qeverisë, gjatë takimit u bisedua për raportet e mira dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë dhe rolit mbështetës të rëndësishëm të Norvegjisë në zhvillimin e Kosovës dhe synimet integruese euro-atlantike të Kosovës.

Me përfaqësuesin special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Bjornstad u diskutua edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Përmes gatishmërisë për takime, vullnetit për marrëveshje dhe propozimeve konkrete, Republika e Kosovës është treguar se është palë konstruktive në procesin e dialogut drejt marrëveshjes ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke, u shpreh kryeministri Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat