Frika nga sulmet bërthamore / Shansi që Kosova të çlirohet nga bashkëpunëtorët e Serbisë

Aktuale

Frika nga sulmet bërthamore / Shansi që Kosova të çlirohet nga bashkëpunëtorët e Serbisë

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 19 tetor 2022 Në ora: 21:32
Pamje nga bombardimet e tmerrshme ruse

Shqetësimet se Rusia mund të përdorë armët bërthamore për të ndryshuar fatin e luftës në Ukrainë, ku ajo po pëson humbje të mëdha, dhe madje mund të ndahet e turpëruar, po bëjnë që vendet kryesore perëndimore, të kërkojnë zgjidhje për situatën e re, që mund të paraqitet.

Serbia një miniRusi

Në këtë kontekst edhe ambasadori amerikan në Serbi, ia ka bërë të qartë serbëve se duhet të heqin dorë nga qëndrimet pro Rusisë, sepse ajo që po bën ajo në Ukrainë, është krejtësisht një imazh tjetër i saj. “Do ta paralajmëroja Serbinë që ta kuptojë se kjo nuk është ‘nëna Rusi’, ne po përballemi me një Rusi tjetër”, ka thënë Hill në një intervistë së fundi.

Por, Serbia, që është një miniRusi, nuk e ka ndërmend të ndërrojë kursin. Si duket ajo që nuk po arrin ta kuptojë Perëndimi, është frika dhe pasiguria që serbët e ndjejnë, nëse nuk janë më Rusinë.

Sipas meje, kjo frikë është e gangullëzuar në mitet e rrejshme serbe, në historinë e rrejshme serbe, në psikologjinë e rrejshme serbe, dhe se të gjitha këto, së bashku me projektet për Serbinë e madhe, do të jenë të fundosura.

Po ashtu serbët dhe institucionet akademike e dinë, se me rënien e Rusisë, do të zbulohen mashtrimet serbe, që Perëndimi nuk do të mund t’i gëlltisë më.

Ndërsa, duke qenë një Rusi superiore për Europën, sikurse ishte deri më tash, ajo detyrohej t’ia pranonte edhe mashtrimet e hapura Serbisë, në heshtje.

Aq sa të mbyllte sytë si në veri të Kosovës, por edhe në brendësi, të lejonte për gati 20 vjet organizimin paralel, pavarësisht që këtu në Kosovë, për rreth 18 vjet, ishte siguria dhe drejtësia në duart e ndërkombëtarëve, me një fjalë deri më 2008 në duart e botës dhe më pas të Europës (EULEX-it).

Perëndimi më nuk mundet ta pranojë, dhe përtej asaj që ne nuk e dimë, sigurisht se mesazhet e inteligjencës dhe ushtarake perëndimore, janë duke ia bërë të qartë Serbisë, se nuk mund t’i durojnë lojërat e saj të rrezikshme për demokracinë dhe paqen, që i zhvillon ndaj Kosovës.

Në këtë kontekst, jo vetëm pushteti politik në Kosovë, por edhe intelektual e medial, duhet që të ndërtojnë një strategji dhe narracion të ri, se jo vetëm që nuk e pranojnë një Serbi superiore ndaj shtetit tonë, por ne do të bëjmë të pamundurën, që të tregohemi superior, për aq kohë sa vendi fqinjë tenton, që të minojë dhe shkatërrojë vetë shtetin tonë dhe të arriturat e deritashme.

Për këtë duhet të goditen së bashku me Perëndimin strukturat në Kosovë të shërbimeve të sigurimit serb, përfshirë edhe ata shqiptarë, që kanë bashkëpunuar në të kaluarën dhe bashkëpunojnë edhe tani.

Është koha e fundit, që mesazhi, që ia ka përcjellë Hill Serbisë, institucionet tona, t’ia përcjellin këtij rrjeti të gjerë e të jashtëzakonshëm serb në Kosovë.

Pra, duhet ta shfrytëzojë situatën Qeveria dhe institucionet tjera, që ta godasin këtë rrjet duke e parë si tepër të rrezikshëm, në kontekst të një rreziku shumë më të gjerë se sa për vetë Kosovën, të kanosjes nga regjimet sadiste si ai i Kremlinit, që të përdorin armët bërthamore për ta shkatërruar një qytetërim dhe një trashëgimi mijëra vjeçare, të krijimit të një civilizimi botëror, që të paktën historia njerëzore kurrë se ka njohur.

Prandaj, një Serbi me Rusinë është krejtësisht e papranueshme, e gjykueshme dhe që duhet sanksionuar deri në fund.

Por, këtë logjikë dhe sanksionim duhet ta ndjekë edhe Kosova, institucionet e saj duke goditur lidhjet e të gjithë atyre që janë të lidhur me Serbinë, me shërbimet e saja.

Rreziku për një luftë bërthamore

Konfirmimin për rritjen e shqetësimeve të rrezikut të një përplasjeje bërthamore, apo të përdorimit të armëve taktike bërthamore nga Rusia, e kanë bërë lëvizjet e fundit diplomatike britanike, por edhe vlerësimet e ekspertëve të fushave të ndryshme, përfshirë diplomatët perëndimor.

Në këtë kontekst, mediat britanike i kanë dhënë jehonë, udhëtimit, që e ka bërë ministri britanik i mbrojtës Ben Wallace, dhe sipas tyre, shtimi i këtij rreziku, ka bërë që Britania dhe SHBA-të, të vendosin një linjë të përbashkët kundër agresionit të Kremlinit.

Sipas mediave britanike, ky udhëtim po konsiderohet i papritur, dhe shqetësimi është rritur për shkak se ministri Wallace ka anuluar në minutën e fundit fjalimin e tij para deputetëve britanik, për të shkuar në Uashington.

Presidenti Joe Biden, e ka paralajmëruar Putinin, se nëse i përdor armët taktike bërthamore, duhet ta ketë të qartë, se askush nuk mund ta përjashtojë se do të ndodhë Armagedoni.

Ndërsa, Peter Ricketts, ish-këshilltari i qeverisë britanike për sigurinë kombëtare dhe kreu i Shërbimit Diplomatik, sipas mediave botërore, po ashtu ka vlerësuar se agresioni i Putinit, dhe Kina, “po e çojnë botën drejt një rruge vdekjeprurëse”.

Sipas tij, lufta në Ukrainë, nuk ka gjasa të përfundojë së shpejti, ndërsa gjendja në botë është më e rënda e krijuar që nga Lufta e Dytë Botërore.

Edhe ky ekspert vlerëson, se është më se e qartë që Rusia ka dështuar në Ukrainë, të realizojë qëllimet, por gjithashtu, “e ka minuar reputacionin”, e ushtrisë.

Por, ky beson se një sulm bërthamor në Ukrainë nuk mund të ndodhë, sepse sipas tij, “Putini e di se do të rezultonte “katastrofik” për Rusin”.

Por, komandanti i ri i forcave ruse, i emëruar nga Putini, Surovikin, i njohur për udhëheqjen e vrazhdë dhe kriminale, veçanërisht në luftën në Siri, ku besohet se ka përdorur armët kimike, megjithëse i ka pranuar humbjet në Ukrainë, ka kërcënuar për dhunë ekstreme, e shënjuar kjo nëpërmjet deklarimit: “pa i përjashtuar vendimet e vështira”.

“Planet dhe veprimet tona të mëtejshme lidhur me qytetin e Khersonit, varen nga situata ushtarake-taktike. E përsëris – tani është një situatë shumë e vështirë”, shtoi Surovikin.

“Do të veprojmë me kujdes, në moment të duhur, por pa i përjashtuar vendimet e vështira”, tha për fund komandanti rus.

Mesazhi

Pra, Kosova duhet ta ketë një skenar, nëpërmjet të cilit ajo duhet të dalë fitimtare në dialogun me Serbinë, dhe madje edhe me mbështetësit e interesave të saja në Kosovë. Kjo trysni në rritje, edhe në aspektin psikologjik, jo vetëm për ne, por për tërë Europën e mbase edhe gjithë perëndimin, duhet shfrytëzuar për ta çliruar vetveten nga shtypja e gjatë serbe!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat