Rohde: Rikthehet Procesi i Berlinit, mos e humbni mundësinë e bashkëpunimit

Aktuale

Rohde: Rikthehet Procesi i Berlinit, mos e humbni mundësinë e bashkëpunimit

Më: 20 tetor 2022 Në ora: 16:37
Foto ilustrim

Procesi i Berlinit, i iniciuar nga ish-kancelarja Angela Merkel po kthehet sërish në Berlin dhe tani do të kryesohet nga kancelari Olaf Scholz. Kështu ka deklaruar ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili tha se nesër ministra nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të shkojnë në Berlin për të diskutuar për disa tema.

“Procesi i Berlinit po kthehet në Berlin, i kryesuar nga Gjermania dhe i organizuar nga kancelari Olaf Scholz. Gjatë ditës së nesërme, ministrat e Brendshëm, të Jashtëm dhe të Energjisë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë për luftën ndaj krimit të organizuar, tregun e përbashkët rajonal dhe agjendën e gjelbër”, ka shkruar diplomati Rohde në Twitter.

Sipas ambasadorit gjerman, është thelbësore që të shfrytëzohet kjo mundësi, të ndërmerren hapa të rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe nënshkrimin e marrëveshjeve konkrete në mënyrë që të sjellë përfitime për qytetarët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Gjermania është e vendosur fort për të mbështetur dhe lehtësuar këtë proces dhe është e gatshme të marrë udhëheqjen për të nxitur anëtarësimin në BE në WEB6 sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka shkruar Rohde.Procesi i Berlinit është një iniciativë diplomatike ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për normalizimin dhe ringjalljen e marrëdhënieve rajonale në fushën e infrastrukturës, zhvillimit ekonomik, shkëmbimeve rinore si dhe si parapërgatitje për integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.

Nisma, e mbështetur dhe nga Komisioni Evropian, u ndërmor më 28 gusht të vitit 2014 nga ish-kancelarja Angela Merkel nën prezencën e kryeministrave, ministrave të punëve të jashtme dhe ministrat e ekonomisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor. Disa nga sukseset më të rëndësishme të këtij procesi janë marrëveshja për heqjen e çmimeve roaming, krijimi i korridoreve të gjelbra të transportit për të përshpejtuar procedurat kufitare, themelimi i Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO) dhe marrëveshja për krijimin e një tregu të përbashkët.

E ndryshe nga ky proces, tri vendet ballkanik kanë themeluar Open Ballkan, Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut, por nuk ka marrë mbështetje nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën. Kjo e fundit ka përkrahur që në fillim Procesin e Berlinit.  

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat