​Këshilli i prindërve kundër kompensimit të orëve të mësimit të shtunave

Aktuale

​Këshilli i prindërve kundër kompensimit të orëve të mësimit të shtunave

Më: 21 tetor 2022 Në ora: 10:37
Foto ilustrim

Mbi 70 për qind e nxënëseve nuk kanë qenë pjesë e procesit mësimor të shtunën e kaluar. Sindikata e Arsimit dhe Këshilli i Prindërve janë shprehur kundër kompensimit të orëve sipas kalendarit të ri.

Edhe sot përmes një reagimi në rrjetin social Facebook Këshilli i Prindërve të Kosovës është shprehur kundër mësimit të shtunave.

Më tej në reagim thuhet se nxënësit gjithandej vendit të shtunave zhvillojnë aktivitete kulturore, apo edhe ndjekin kurse të ndryshme për gjuhë të huaja, kodim e zanate.

Reagimi i plotë:

Djem e vajza, anembanë Kosovës, të shtunave e të dielave marrin pjesë në gara të ndryshme në futboll, basketboll, vrapim, karate, xhudo, gjimnastikë, hendboll, tenis, ping-pong e sporte të tjera.

Vajza e djem gjithandej vendit të shtunave zhvillojnë aktivitete kulturore (teatër, vallëzim, balet, muzikë e art), apo edhe ndjekin kurse të ndryshme për gjuhë të huaja, kodim e zanate.

Djem e vajza në çdo komunë relaksohen në fundjavë me vizita familjare, ecje në natyrë, lexim sipas dëshirës, lojëra kompjuterike e plot aktivitete të tjera të moshës.

Janë dy ditë shumë të rëndësishme për to e për ta, të marrin kënaqësi, të luajnë e bëjnë çka vetë duan, të garojnë e sfidohen me aktivitete jashtëshkollore. Prindërit janë gjithnjë gati për mbështetje!

Dy ditë për rifreskim të mendjes e trupit, çlodhje e pushim. Dhe të gjitha këto, si parakusht, që java vijuese të mund të jetë sa më produktive në shkolla.

Këshilli i Prindërve iu uron të gjithë fëmijëve fundjavë të suksesshme, përplot kënaqësi e argëtim! Mirëpresim mbështetjen e institucioneve për aktivitete jashtëshkollore!

JO mësimit të shtunave, JO mësimit me zor!

FËMIJËT KANË TË DREJTA – OBLIGOHEMI T’I MBROJMË!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat