​Haradinaj pas takimit me Kurtin: Marrëveshja finale duhet të ketë vulën e SHBA-së

Aktuale

​Haradinaj pas takimit me Kurtin: Marrëveshja finale duhet të ketë vulën e SHBA-së

Më: 21 tetor 2022 Në ora: 14:17
Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me kryeministrin, Albin Kurti, ka thënë se marrëveshja finale Kosovë-Serbi duhet të ketë vulën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pas takimit një orësh në ndërtesën e Qeverisë, Haradinaj, tha se me Kurtin diskutuan për marrëveshjen finale me Serbinë, nenet e saj dhe preambulën e ujdisë së mundshme.

Haradinaj: Diskutuam me kryeministrin Kurti për përmbajtjen e marrëveshjes finale me Serbinë

“Tema ishte marrëveshja finale me Serbinë për njohje reciproke. Diskutuam për procesin, për marrëveshjen dhe sfidat që Kosova i ka në këtë proces. Ishte një takim me përmbajtje, pasi diskutuam për përmbajtjen e një marrëveshje potenciale Kosovë-Serbi...Diskutim për krejt nenet e marrëveshjes, preambulën, kemi provuar me dhënë kontributin tonë si Aleancë, në mënyrë që Kosova në këtë proces të arrijë sukses. Besoj se duhet të vazhdohet më tutje, bashkë me aleatët tanë”, tha ai.

Për Haradinajn është e rëndësishme që ShBA-ja të jetë si garanci për arritjen e ujdisë finale dhe jo vetëm ta përkrahë dialogun.

Haradinaj: Ky proces duhet ta ketë vulën e Amerikës, jo vetëm përkrahjen e tyre

“Ky proces duhet ta ketë edhe vulën e Amerikës, jo vetëm përkrahjen e tyre. Për të qenë ky proces në garanci të plota duhet të nënshkruhet të paktën edhe nga niveli i njëjtë amerikan. Nuk mundet me qenë i sigurt dhe garantuar pa nënshkrimin ose vulën e Amerikës. E duhura do të ishte që të ndodh në Uashington. Kjo ishte edhe kërkesë e jona që si garanci për këtë proces të kemi edhe vulën e Amerikës”, shtoi Haradinaj.

Haradinaj theksoi se Kosova duhet të marrë seriozisht procesin e dialogut, ashtu siç po e marrin aleatët e saj në Uashington, Berlin, Londër dhe Paris.

Ai shtoi se partia e tij do të jetë çdo herë për të ndihmuar Kosovën në këtë proces, e jo siç tha, Albin Kurtin.

Haradinaj: Do të jemi çdo herë për të ndihmuar Kosovën, jo Albin Kurtin

“Me rëndësi është që si Kosovë një proces i cili është shumë i gjatë, një proces që dikur edhe kemi vdekur për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës, që ta marrin sa më seriozisht. Vendimet e dialogut nuk janë vendime që i ndryshon dikush pastaj. Ju siguroj që duhet të jemi sa më serioz në këtë proces, duke marrë parasysh faktin e seriozitetit të akterëve ndërkombëtarë. Duke marrë parasysh sa serioz është Uashingtoni, Berlini, Londra dhe Parisi, ne duhet ta marrim shumë serioz këtë proces. Do të punojmë që Kosova të del e suksesshme, nuk bëhet fjalë për agjenda të tjera, as zgjedhore, as qeverisëse, por bëhet fjalë për fatin e fëmijëve tanë. Ne jetojmë sot me obligimet që ka marrë Kosova në dialog, nuk mund të ikim nga ato obligime, siç e shihni. Këtë drejtim AAK-ja nuk do të kursej asgjë me atë çka dinë çdo herë për të ndihmuar Kosovën, jo Albin Kurtin, jo qeverinë, pasi do të ketë edhe të tjera, por Kosova do të jetë vetëm një”, theksoi Haradinaj.

I pyetur për mundësitë që AAK-ja të përfshihet në koalicionin qeverisës, Haradinaj u përgjigj me vetëm një fjalë.

Haradinaj: Zero

“Zero”, potencoi ai.

Kryeministri Albin Kurti, ka ftuar për takim edhe kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, mirëpo të njëjtit i janë përgjigjur negativisht ftesës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat