​Haxhiu u përgjigjet kritikave të PDK-së: Jemi shembulli më i mirë i një qeverie pa skandale korruptive

Aktuale

​Haxhiu u përgjigjet kritikave të PDK-së: Jemi shembulli më i mirë i një qeverie pa skandale korruptive

Më: 27 tetor 2022 Në ora: 12:36
Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është lavdëruar sot në Kuvend se në këtë qeverisje ka progres në sundimin e ligjit dhe përparime sipas vlerësimeve pozitive nga raportet ndërkombëtare për vendin.

Megjithatë, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka thënë se vendi ka regres sipas raporteve të huaja kredibile, e jo progres.

Haxhiu: Kemi vlerësime pozitive

“Indeksi vjetor për sundimin e ligjit, prej momentit kur Qeveria Kurti është në qeverisje, ne kemi pasur vlerësime pozitive nga organizatat ndërkombëtare kredibile, qoftë nga Departamenti i Shtetit ose edhe Raporti për vendin, që raporti i fundit është ndër raportet më të mira për vendin. Natyrisht ka edhe shumë punë për të bërë. Ne nuk po themi që i kemi rregulluar krejt punët dhe s’kemi çka të bëjmë më. Por, duhet vlerësuar raportet kredibile për vendin. Sikurse edhe atë për Transparency International, ku Kosova kishte lëvizur 17 vende pozitivisht. Sikurse edhe këtë, Word Justice Project, që radhitemi e dyta në botë, si shteti që kemi shënuar përmirësim në këtë fushë dhe i pari në Evropë. Përse nuk janë të sakta qëndrimet e deputetes Deliu, është për faktin se në vitin 2020 kanë qenë 128 vende që janë vlerësuar, ndërsa në vitin 2022 janë 140 vende”, tha ajo.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka thënë se po të kishte rangim pozitv Kosova për sundim të ligjit, kësaj do t’i gëzohej edhe opozita, por siç tha ajo vendi nuk është duke shënuar progres në këtë fushë.

Deliu: Më 2021 ka pasur regres

“Po i referohem statistikave dhe po e them hapur që progresi në sundimin e ligjit dhe rangimit pozitiv të Kosovës do t’i gëzohej edhe opozita dhe për këtë nuk kam asnjë dilemë. E vërteta është që në vitin 2020 kemi qenë të radhitur në vendin e 54-të, e në fakt në 2021 Kosova ka pasur regres, jemi të radhitur në vendin e 60-të, dhe në këtë vit 2022 jemi në vendin e 57-të. Pra, nuk mund të quhet progres. Tash kemi dallime në tri poentime në Word Justice Project, që jemi tash më keq se sa që kemi qenë vite paraprake”, tha ajo.

Ministrja Haxhiu në kundër-replikë ndaj deputetes Deliu, tha se Qeveria aktuale është shembull më i mirë I një qeverie, e cila nuk e ka asnjë skandal korruptiv.

Ajo tha se kanë adresuar të gjitha rastet korruptive për qeverisjet e kaluara.

Haxhiu: Jemi shembulli më i mirë i qeverisjes, nuk ka asnjë skandal korruptiv

“Ne jemi shembulli më i mirë i një qeverie, që më shumë se një vit e gjysmë dhe nuk e ka asnjë skandal korruptiv. Jemi shembulli më i mirë, që shkeljet që i kemi gjetur nëpër institucione publike, i kemi dërguar në polici dhe prokurori. Po ashtu jemi shembulli më i mirë që zyrtarët e korruptuar që i kemi pasur nëpër institucione i kemi shkarkuar, pavarësisht se çka kanë bërë pastaj Këshilli dhe institucionet tjera. Unë vetë shumë zyrtarë i kam dërguar në polici dhe prokurori. Prandaj janë vlerësime të tilla, sepse njihet vullneti dhe progresi që jemi duke bërë në këtë drejtim. Kjo është çka po thotë qeveria jonë”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat