Propozimi franko-gjerman, Lekaj: Nëse nuk cenohen kufijtë e Kosovës i themi “Po”

Aktuale

Propozimi franko-gjerman, Lekaj: Nëse nuk cenohen kufijtë e Kosovës i themi “Po”

Më: 28 tetor 2022 Në ora: 20:43
Pal Lekaj

Pesë vende të BE-së nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, (Spanja, Qipro, Greqi, Rumani dhe Sllovakia).

Një nga përfitimet që mund t’i ofrohet Kosovës nga propozimi franko-gjerman është pikërisht njohja nga këto 5 vende.

Por nuk shohim garanci as nga Franca as nga Gjermania që vërtet do kemi njohje të Kosovës nga këto 5 vende evropiane.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, i ftuar në emisionin “Ballkan” në ABC, tha se opozita është e gatshme t’i thotë “po” këtij dokumenti, nëse përmban disa elemente të rëndësishme.

Lekaj: Kosova është vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk është realizuar liberalizimi i vizave. Është një e padrejtë që i është bërë Kosovës, sepse i ka përmbushur 95 kritere që i ka pasur. E ka thënë edhe Parlamenti Evropian. Kur jemi te vendet evropiane që nuk e kanë njohur Kosovës, propozimi franko-gjerman është dashur të vijë më parë në Parlament dhe të diskutohet. Kush është përmbajtja e këtij dokumenti, a ka garanci që do e njohin këto 5 vende Kosovën dhe a ka garanci që nuk do preken kufijtë e Kosovës. Nëse ky dokument  përmban këto elemente pozitive, pse mos i themi po.

Deputeti i AAK, gjatë bisedës në studion e “Ballkan” tha se kanë indikacione që ekziston një dokument i tillë (propozimi franko-gjerman ) por ende nuk është bërë publik.

Lekaj: Nuk ka ende një strategji për dialog dhe një dokument propozues nga ana e qeverisë së Kosovës që i propozohet Beogradit. Për sa kohë që nuk është bërë publik, nuk mund të themi që ky dokument është i pranueshëm apo jo. Çdo dokument që vjen duhet të bëjë të qartë që kufijtë e Kosovës të jenë të paprekshëm.

Propozimi franko-gjerman nuk është bërë publik dhe nuk dihet se çfarë përmban saktësisht. Ambasadat e Francës dhe Gjermanisë në Kosovë nuk e kanë konfirmuar ekzistimin e një dokumenti të tillë.

Më herët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, përmes deklaratave të tyre, kanë konfirmuar se kanë njohuri për një propozim të tillë.

Vuçiç, më 8 tetor, tha se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë hyrjen e Kosovës në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Më 18 tetor, Vuçiç përsëriti se thelbi i propozimit të Gjermanisë dhe Francës është që Serbia të mos e bllokojë anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Për këtë, siç tha ai, Serbia do të kishte “hyrje të shpejtë në BE dhe ndoshta përfitime të konsiderueshme ekonomike”.

Mediat në Kosovë kanë raportuar se propozimi nuk parasheh njohjen e Kosovës nga Serbia, por parasheh njohjen e Kosovës nga pesë anëtaret e BE-së që nuk e kanë bërë këtë – Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.

Më 10 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se ekziston “një iniciativë franko-gjermane, e cila dëshiron që t’i japë edhe më shumë fuqi (të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav) Lajçakut, sikurse që i jep edhe mbështetja e vazhdueshme amerikane”.

Më 9 tetor, Kurti deklaroi se është optimist se në muajt e ardhshëm do të mund të arrihet një marrëveshje ligjërisht obliguese me Serbinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat