Mustafa i LDK-së: Vendimet gjithmonë duhet të koordinohen me aleatët

Aktuale

Mustafa i LDK-së: Vendimet gjithmonë duhet të koordinohen me aleatët

Më: 31 tetor 2022 Në ora: 18:23
Besian Mustafa

Derisa kanë mbetur edhe pak orë deri në skadimin e afatit të vendosur nga Qeveria për konvertimin e targave nga ato ilegale në shtetërore, RKS dhe nisjes së masave të shkallëzuara për ata që ende bartin targa ilegale veturash, deputeti i LDK-së Besian Mustafa në emisionin “Info plus” të RTK-së tha se në parim secili vendim që siguron shtrirjen e rendit dhe ligjit ka edhe legjitimitet, por ka thënë se çdo veprim i kësaj natyre duhet të jetë në koordinim të plotë me SHBA-në dhe BE-në.

Kjo sipas tij është e rëndësishme sidomos duke pasur parasysh edhe zhvillimet e këtij viti  në Evropë, me rastin e Ukrainës.

“Është dashur që çdo vendim të jetë në koordinim me ta. Kemi edhe deklaratat e Departamentit të Shtetit edhe të BE-së. Do të shohim në ditët në vijim, do të presim edhe ca orë se si do të ekzekutohet ky vendim i qeverisë në terren për të parë nëse kemi një koordinim të plotë edhe me partnerët ndërkombëtar”, tha ai.

Nëse ndodhë që veprimet e qeverisë nuk janë në koordinim dhe pajtueshmëri me partnerët ndërkombëtar, sipas tij duhet diskutuar për të gjetur një rrugëtim të përbashkët.

“Mos të harrojmë që Republika e Kosovës ekziston falë bashkëpunimit dhe përkrahjes së këtyre partnerëve tanë ndërkombëtar dhe rrugëtimi ynë nuk duhet të ndahet nga ta”, tha tutje Mustafa në RTK.

Kur foli për dokumentin franko-gjerman, që fillimisht doli si një none-paper, ai tha se e rëndësishme është përkrahja amerikane dhe insistimi i tyre që Kosova e Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje finale me njohjen në qendër.

I pyetur nëse do ta thërrasin kryeministrin për raportim në Kuvend rreth procesit të dialogut, ai nuk e ka përjashtuar këtë mundësi, por sipas tij këtë duhet ta bënte vetë kryeministri meqë në legjislativ ka një rezolutë të miratuar pikërisht në kohën kur Kurti ishte në opozitë, rezolutë që obligon secilin kryeministër të raportojë në Kuvend.

“Nuk e përjashtoj mundësinë që do të përdorim të gjitha rrugët ligjore e kushtetuese që kemi për ta ftuar në raportim, por në fund të ditës nuk do të duhej të vinte puna që partitë opozitare ta detyronin përmes mekanizmave kushtetues të raportojë kryeministri në Kuvend për një nga proceset më të rëndësishme politike në vend”, shtoi Mustafa.

Ai tha se Kuvendi e opozita janë në terr informativ sa i përket procesit të dialogut dhe këtë e ka quajtur fatkeqësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat