Kurti, Bërnabiq dhe liderët tjerë të Ballkanit nënshkruajnë tri marrëveshje në Berlin

Aktuale

Kurti, Bërnabiq dhe liderët tjerë të Ballkanit nënshkruajnë tri marrëveshje në Berlin

Më: 3 nëntor 2022 Në ora: 12:58 Përditësuar në ora: 13:56 më 03.11.2022
Pamje nga vendi i ngjarjes

​Detaje nga marrëveshjet në Berlin, qytetarët e Kosovës dhe Bosnjës do të lëvizin me letërnjoftime

Pas gati dy vite të negociatave në mes të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, mes Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, Republika e Kosovës sot ka nënshkruar tri marrëveshje në kuadër të Procesit të Berlinit përmes të cilit jetësohet Tregu i Përbashkët Rajonal.

Sipas Qeverisë, bazuar në rregullat e BE-së, marrëveshjet që janë nënshkruar sot janë ato për lëvizjen e lirë me letërnjoftime; për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.

“Përmes marrëveshjes për lëvizje të lirë me letërnjoftime, qytetarët e të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor do të lëvizin lirshëm duke përdorur vetëm letërnjoftimin e njërës nga shtetet sipas legjislacionit në fuqi. Pas ratifikimit të kësaj marrëveshje, qytetarët e Kosovës dhe Bosnjës dhe Hercegovinës më në fund do të lëvizin lirshëm vetëm me letërnjoftime, duke sjellë Prishtinën dhe Sarajevën afër qytetarëve të dy shteteve tona.

Me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë diplomat e institucioneve publike të arsimit të lartë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor do të njihen me procedura të thjeshtësuara dhe falas, duke hequr një pengesë kyçe për mobilitetin e studentëve, akademikëve dhe fuqisë punëtore brenda Rajonit.

Me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve profesionale bëhet e mundur që profesionet e mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve të ushtrohen lirshëm në secilin nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

E bazuar në direktivën e BE-së 2005/36/EC për njohjen e kualifikimeve profesionale, kjo marrëveshje u mundëson qytetarëve që në shtetin pritës të ushtrojnë të njëjtin profesion për të cilin janë kualifikuar në shtetin amë dhe ta realizojnë këtë në kushte jo më pak të favorshme se sa qytetarët e shtetit pritës.

Sipas komunikatës së Qeverisë, Republika e Kosovës është e angazhuar për bashkëpunim rajonal dhe do të shtyjë përpara marrëveshje të reja në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal, të cilat jetësojnë liritë themelore dhe heqin pengesat e barrierat për zhvillimin e potencialit të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.

Marrëveshjet e nënshkruara

Kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar në kuadër të Samitit “Procesi i Berlinit” tri marrëveshje, të dakorduara më 21 tetor nga ministeriali përgatitor ku morën pjesë ministrat e Jashtëm të vendeve.

Marrëveshjet e nënshkruara:

1. Marrëveshja mbi lëvizjen e lirë me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor

2. Marrëveshja mbi njohjen e diplomave të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor

3. Marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve, arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes për tregtinë e lirë në Evropën Qendrore

Si mikpritës i Samitit të Procesit të Berlinit, kancelari Scholz e ka hapur fjalimin e tij me premtimin se 6 vendet e Ballkanit Perëndimor e meritojnë të anëtarësohen në familjen evropiane dhe kjo gjë është në interesin e vetë rajonit.

Kancelari shtoi se Procesi i Berlinit nuk do të ketë për detyrë vetëm të çliroj gjithë potencialin e bashkëpunimit, por të përshpejtoj edhe integrimin evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit.

“Sot po bëni hapa madhorë duke nënshkruar 3 marrëveshje të rëndësishme. Tregu i përbashkët rajonal do të nxisë ekonominë dhe investimet në rajon. Marrëveshjet do t’iu mundësojnë qytetarëve tuaj që të lëvizin vetëm me letërnjoftime dhe do të sigurohemi që studentët nga Sarajeva të plotësojnë studimet e tyre në Beograd, apo arkitektët nga Tirana të marrin një vend pune në Shkup”, përfundoi Scholz.

Kurti, Bërnabiq dhe liderët tjerë të Ballkanit nënshkruajnë tri marrëveshje në Berlin

Gjashtë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor kanë vënë nënshkrimet e tyre mbi tri marrëveshje që u dakorduan në kuadër të Procesit të Berlinit.

Nënshkrimi vjen pas mbajtjes së Samitit të Ballkanit Perëndimor, ku pjesëmarrës ishte kancelari gjerman, Olaf Scholz, si nikoqir, si dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursul von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel.

Kosovën në këtë samit po e përfaqëson kryeministri Albin Kurti, derisa nga Serbia ka shkuar kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, krahas katër liderëve të tjerë.

Në fjalën hyrëse të takimit, Scholz tha se këto marrëveshje do t’ia bëjnë më të lehtë jetën qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.

“Sot do t’i nënshkruani tri marrëveshje të rëndësishme që do t’ia lehtësojnë njerëzve jetën. Tregu i përbashkët rajonal do të shtyjë përpara ekonominë dhe investimet në rajonin tuaj. Marrëveshja do të ndihmojnë qytetarët tuaj që të kalojnë kufijtë vetëm me letërnjoftime. Një student nga Sarajeva mund të përfundojë  studimet në Beograd apo një inxhinier në Tiranë duke përdorur gradën e tij mund të gjejë një punë në Shkup”, tha Scholz, derisa shtoi se këto marrëveshje i sjellin vendet afër standardeve të BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat