​Sveçla: Në rast se nuk japin dorëheqje, zyrtarëve policor u rrezikohet ekzistenca

Aktuale

​Sveçla: Në rast se nuk japin dorëheqje, zyrtarëve policor u rrezikohet ekzistenca

Më: 7 nëntor 2022 Në ora: 17:19
Xhelal Sveçla

Rreth 600 policë kanë dorëzuar dorëheqjet në stacionin policor në veri të Mitrovicës.

Kështu ka bërë të ditur, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili tha se policët janë të detyruar të bëjnë një gjë të tillë, pas kërcënimeve dhe shantazheve.

Ai në konferencë për media ka theksuar se Serbia po përdor strukturat ilegale për terrorizimin e qytetarëve. Megjithatë, Sveçla deklaroi se situata aktuale është e qetë.

Në konferencën para gazetarëve, bashkë me kryeministrin Albin Kurti, ministri Sveçla tha se policëve serbë po u rrezikohet ekzistenca e tyre.

Sveçla: Deri më tani kanë dhënë dorëheqje 578 policë

“Deri më tani në Policinë e Kosovës, përkatësisht në zonën e Drejtorisë rajonale të Mitrovicës-Veri dhe stacione policore përkatëse janë pranuar njoftimet për dorëheqje nga stafi i uniformuar dhe stafi civil nga komuniteti serb, ku zyrtarisht janë paraqitur 578 dorëheqje, prej të cilave 461 nga Policia e Rendit Publik, 107 nga Policia Kufitare dhe 10 nga hetimet. Dorëheqjet brenda Policisë së Kosovës po vijnë pas kërcënimeve dhe shantazheve me ç’rast rrezikohet edhe ekzistenca e këtyre zyrtarëve policor, në rast se nuk japin dorëheqje”, ka thënë ministri Sveçla.

Ai ka shtuar se pjesë e këtij orkestrimi nuk janë serbët lokalë, por grupe të caktuara dhe të organizuara nga presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Sveçla theksoi se qëllimi i këtij organizimi është destabilizimi i sigurisë së vendit.

Derisa ka folur për vendimin për konvertimin e targave ilegale në ato RKS, ministri i Punëve të Brendshme u shpreh se deri më tani nuk është evidentuar asnjë incident, ankesë, vërejtje apo mos-pranim i fletë-qortimeve.

Sveçla: Që nga viti 2011 janë djegur 56 automjete të qytetarëve serbë

Nuk është hera e parë që Serbia po përdor strukturat ilegale për terrorizimin e qytetarëve, sa herë ata që janë përgjigjur pozitivisht ftesave dhe vendimeve legjitime të institucioneve të vendit. Që nga viti 2011, prej kur ka nisur procesi i konvertimit të targave janë djegur 56 automjete të qytetarëve serbë. Madje, vetëm nga muaji qershor kur qeveria ka marrë vendimin për targa, Serbia në krye me Vuçiq ka vazhduar të përdorë metoda të kërcënimit, shantazhit dhe sulmit prej të cilëve kanë pësuar qytetarët tonë në veri të vendit, ku kemi pasur pesë vetura të djegura, disa prej të cilëve të zyrtarëve policorë atje, një sulm ndaj personit zyrtar, një djegie e një kontejneri ku ka banuar një zyrtar policor, një rast dëmtim prone dhe një rast djegie e stallës ku mbahet ushqimi i bagëtisë si dhe rasti i djegies parciale”, ka thënë ai.

Ministri i Punëve të Brendshme ka thënë se janë të përkushtuar për ruajtjen e sigurisë publike.

Sveçla: Aktualisht situata është e qetë

“Aktualisht situata është e qetë dhe përkushtimi ynë është maksimal që të adresojmë çdo sfidë që mund të paraqitet. Si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi zotuar se do të angazhohemi për sundim të ligjit, ofrim të rendit dhe sigurisë për gjithë qytetarët e Kosovës, pa asnjë dallim. Sipas mandatit dhe kompetencat tona si MPB bashkë me Policinë e Kosovës jemi angazhuar që të gjitha veprimet tona me qëllim të luftimit të krimit, kontrabandës dhe çdo dukurie ilegale të ndërmerren pas veprimeve intensive e të faktuara. Në këtë kuptim, asnjë aksion i Policisë së Kosovës nuk ka qenë asnjëherë i drejtuar në etni të caktuar, veçanërisht jo ndaj etnisë serbe, siç është propaganduar e po vazhdon akoma edhe tani. E vetmja përkatësi të cilën e kemi luftuar dhe po e luftojmë është ajo e krimit, kontrabandës dhe korrupsionit”, ka deklaruar Sveçla.

Ai ka përmendur edhe aksionet në veri, me qëllim të luftimit të krimit, kontrabandës dhe korrupsionit.

Sveçla: Krimi në katër komunat në veri të vendit ka qenë i mirëmbajtur ndër vite

“Krimi në katër komunat në veri të vendit ka qenë i zhvilluar dhe i mirëmbajtur ndër vite dhe si çdo kund tjetër e kemi luftuar edhe atje. Brenda periudhës mbi njëvjeçare në veri të vendit janë organizuar 38 aksione policore, nga të cilat janë shkatërruar pesë laboratorë të substancave narkotike, pajisje në vlerë 300 mijë euro, laboratorë të prodhimit të kriptovalutave, janë sekuestruar mijëra produkte që po kontrabandoheshin. Kemi mbyllur 11 rrugë ilegale që kanë mundësuar kontrabandën dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Natyrisht në këto aksione ka pasur rezistencë të grupeve kriminale të orkestruara nga Beogradi të cilët kanë sulmuar me armë e granate dore Policinë e Kosovës, me qëllim të pengimit dhe eliminimit të tyre”, ka thënë Sveçla.

Dorëheqjet e serbëve nga institucionet e Kosovës vijnë pasi qeveria filloi të zbatojë planin e saj për regjistrimin e veturave me targa serbe në ato të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat