Kosova dhe Franca nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Aktuale

Kosova dhe Franca nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Më: 8 nëntor 2022 Në ora: 08:53
Foto nga takimi

Delegacioni i prirë nga zëvendësministri, Bardhyl Dobra gjatë qëndrimit të tij në Francë, u takua me Ministrin e Transformimit dhe Shërbimit Publik të Republikës së Francës, Stanislas Guerini dhe ekipin e tij.

Profesionalizimi dhe modernizimi i administratës publike, tërheqja e talenteve, arsimimi dhe trajnimet në fushën e administratës publike, ishin ndër të tjera tema të diskutimit përmbajtjesor mes zëvendësministrit Dobra me ministrin Guerini.

Nga ky takim u kuptua se të dyja shtetet përballen me sfida të ngjashme dhe se reformat që të dyja qeveritë janë duke ndërmarrë për të transformuar administratat respektive kanë ngjashmëri të mëdha dhe se bazohen në parime të pranuara si të mirëqena në botën demokratike si: meritokracia, besimi i qytetarëve në institucione, de politizimi i administratës, mundësi të barabarta për të gjithë, mobilitet përbrenda administratës dhe bashkëpunim me sektorin privat, administratë efikase, shërbime publike kualitative për të gjithë qytetarët.

Ministri Guerini konfirmoi edhe një herë se ministria që ai drejton dhe institucionet vartëse si: Institut National du Service Public (ish-École nationale d’administration) janë të gatshme të përkrahin Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, në zbatimin e reformës ambicioze, të nevojshme e të kërkuar nga qytetarët e Republikës së Kosovës, reformë që në pikat kyçe është e ngjashme me atë që Republika franceze është duke bërë po ashtu.

Duke marrë parasysh vullnetin e përbashkët për të bashkëpunuar dhe këmbyer praktikat më të mira, për ta mbështetur njëri – tjetrin në mënyrë që reformat të jenë të suksesshme, të dyja palët nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi, e cila fokusohet ndër të tjera në fuqizimin e burimeve njerëzore, përmirësimin e proceseve të rekrutimit dhe proceseve të tjera administrative, si dhe trajnimet në fushën e administratës publike.

Me këtë rast zëvendësministri Dobra dhe Ministri Guerini shprehën gatishmërinë që bashkëpunimi mes dy vendeve të thellohet edhe më tutje me takime të shpeshta të nivelit politik dhe profesional.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat