Gjykimi për keqpërdorime me nota dhe regjistrime në Fakultetin e Mjekësisë, dëshmitarja thotë se indeksin e njërit dëshmitar ia solli njëri i akuzuar

Aktuale

Gjykimi për keqpërdorime me nota dhe regjistrime në Fakultetin e Mjekësisë, dëshmitarja thotë se indeksin e njërit dëshmitar ia solli njëri i akuzuar

Më: 15 nëntor 2022 Në ora: 17:49
Pamje nga gjykata

Dëshmitarja Luljeta Berisha, ka deklaruar se indeksin e dëshmitarit Albisjan Fazlija ia ka sjellë një person me mbiemrin Buja, në rastin ku Rizah Azemi, Alban Azemi, Abdyl Buja dhe Mentor Ismajli po akuzohen se kanë bërë keqpërdorime me nota dhe regjistrime në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Dëshmitarja Berisha, në seancën e së martës gjithashtu ka konfirmuar se personi nga i cili ka marrë indeksin në fjalë, është i akuzuari Abdyl Buja, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Po, personi është prezent dhe është i pandehuri Abdyl Buja”, tha ajo.

Prokurori Shkëlzen Ibrahimi e ka pyetur dëshmitaren se a është e saktë dëshmia e saj të cilën e kishte dhënë më 16 prill 2014, ku ndër të tjera thuhej “Indeksin e Albisjan Fazlijut tek zyra ime e ka sjellë një person me emrin nuk po më kujtohet, por mbiemrin Buja. I njëjti më ka thënë se nuk po kam kohë të pres se kam disa obligime vjen e merr studenti në fjalë”, dhe e njëjta e pohoi një gjë të tillë.

Fillimisht, gjykatësi Alban Ajvazi njoftoi se seanca fillon rishtazi për shkak se kanë kaluar më shumë se tre muaj nga mbajtja e seancës së fundit.

Më pas, të akuzuarit janë deklaruar sërish të pafajshëm dhe me pajtimin e palëve janë konsideruar të lexuara të gjitha veprimet e ndërmarra në shqyrtimet gjyqësore në këtë çështje.

Duke u përgjigjur në pyetjene të akuzuarit Buja, dëshmitarja Berisha ka thënë se i njëjti ka hyrë dhe ka dalë si professor tek dekani në atë kohë.

“Abdylin s’e njoh fare, si figurë qitash pe njoh se para sa viteve ka qenë më tjetër edhe ka ardhë te dekani, te disa dekana ka ardhë, ka hy, ka dalë si profesor”, shtoi e njëjta.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues, dëshmitarja Berisha ka deklaruar se nuk ka qenë praktikë që një person të sjellë indeksin në emër të dikujt tjetër.

“Jo, nuk ka pas praktikë edhe s’di po them qysh e kom pranu atë indeks”, tha ajo.

Sa i përket indeksit, e njëjta shtoi se ka qëndruar në zyrën e saj 40 minuta deri në 1 orë.

“40 minuta-1 orë më së shumti dhe nuk e kam hap indeksin me shiku se çka ka brenda”, deklaroi e njëjta.

Tutje, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitares Rajmonda Borovci, e cila tha se në vitin 2013/2014 ka aplikuar në Fakultetin e Mjekësisë në drejtimin e Farmacisë, mirëpo pasi që nuk ishtë pranuar aty, në afatin e dytë kishte aplikuar në Infermieri ku edhe ishte pranuar.

Tutje, e njëjta shtoi se ligjeratat i ka ndjekur në drejtimin e Farmacisë pasi që kolegët i kishin thënë që mund të bëjë transfer aty.

“Unë ligjeratat i kam ndjekur në Farmaci pasi që kam bisedu me kolegët që kanë qenë të regjistruar në mjekësi dhe më kanë thënë që mund të bëj transfer, njëri prej tyre ka qenë edhe Graniti”, ka thënë ajo.

Në pyetjen e prokurorit Ibrahimi nëse e njëjta ka pasur takim me të akuzuarin Buja për ndërrimin e drejtimit nga Infermieria në Farmaci, dëshmitarja Borvci e mohoi një gjë të tillë.

Prokurori gjithashtu dëshmitares Borovci i ka cituar disa mesazhe të cilat ajo ia ka dërguar të akuzuarit Buja, për të cilat e njëjta tha se nuk i kujtohen dhe nuk janë të sakta.

E njëjta, e pyetur se a ka njohuri nëse lejohet transferimi nga Infermieria në Farmaci, ka thënë se nuk ka njohuri.

“Jo s’kam njohuri pasi që unë i kam hjek dokumentat se nuk kam mund të transferohem në Farmaci, unë jam regjistruar në “Rezonancë” në Fakultetin e Mjekësisë, dega Farmaci”, deklaroi e njëjta.

Në pyetjen e të akuzuarit Ismajli, dëshmitarja Borovci ka thënë se nuk i kujtohet nëse dëshmitari Kastrati ia ka transmetuar përgjigjen se nuk lejohet transferimi nga drejtimi i Infermierisë në drejtimin e Farmacisë.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues deklaroi se ka menduar që mund të transferohet në drejtimin e Farmacisë, ku edhe i ka dhënë katër provime.

Kam mendu që mund të kaloj në Farmaci, ku i kam dhënë katër provime në afatin e janarit”, tha ajo.

E njëjta në pyetjen nëse dikush i ka premtuar se do t’ia bëjë bartjen në drejtim të Farmacisë, ka thënë se nuk i kujtohet.

Pas saj, është dëgjuar edhe dëshmitari Granit Kastrati, i cili ka thënë se e njeh dëshmitaren Borovci, të akuzuazrin Abdyli si dhe të akuzuarin Ismajli.

“Po, i njoh të tretë, Rajmondën e njoh edhe më herët sese jemi të njëjtit vend, Abdylin e njoh pasi që kemi luajt futboll, Abdyli ka qenë kundërshtar edhe gjatë pushimit kam bisdeu me to, ndërsa Mentorin e kam pas profesor asistent në Fakultetin e Mjekësisë”, deklaroi i njëjti.

Në lidhje me transferimin e Rajmonda Borovcit nga drejtimi i Infermierisë në atë të Farmacisë, dëshmitari Kastrati ka thënë se ka biseduar me të akuzuarit Buja dhe Ismajli.

“Po, kam bisedu me Mentorin dhe Abdylin, Mentori më ka thënë që ekziston një kusht edhe pa qenë pesë ose dhjetë provime nuk mund të transferohet, ndërsa Abdyli më ka thënë nuk besoj që bëhet ky transfer”, ka deklaruar ai.

Gjithashtu, edhe dëshmitari Kastrati pas citimit nga ana e prokurorit të disa pjesëve të deklaratës të cilën i njëjti e kishte dhënë në polici më 13 gusht 2014 dhe disa mesazheve që ia kishte dërguar të akuzuarit Buja, ka thënë se të njëjtat nuk i kujtohen dhe nuk janë të sakta.

Ai ndër të tjera ka thënë se nuk i kujtohet që ka qenë në takim mes të akuzuarit Buja dhe babait të dëshmitares Borovci.

“Nuk më kujtohet dhe nuk e mbaj mend që kam qenë në takim mes Abdylit dhe babës së Rajmondës se nuk ka pas arsye pse”, tha ai.

Në pyetjen e të akuzuarit Buja, dëshmitari ka thënë se nuk i kujtohet nëse e ka pasur numrin e telefonit të të njëjtit.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e të akuzuarit Ismajli, dëshmitari ndër të tjera ka thënë se i njëjti nuk ia ka kërkuar 200 euro dhe se nuk ka qenë në dijeni për të njëjtat.

Duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues, dëshmitari Kastrati ka thënë se ka pasur presion gjatë dhënies së deklaratës në polici.

“S’kam qenë i vetëdijshëm se kam pas presion prej atyre që më kanë pyet”, deklaroi i njëjti.

I njëjti i pyetur se a është njoftuar nga policia për të drejtat dhe detyrimet kur ka filluar ta japë deklaratën, e mohoi një gjë të tillë.

“Jo, veç jom ul në karrige dhe kanë fillu me m’pyt menjëherë”, tha ai.

Ndërsa, kur u pyet se a e ka kuptuar sot që deklarata e rreme përbën vepër penale, dëshmitari Kastrati ka thënë se po, mirëpo në atë kohë nuk ka qenë në dijeni.

“Sot po, por atëherë s’e kam ditë”, tha i njëjti.

Seanca e radhës për këtë çështje penale pritet të mbahet më 16 dhjetor 2022.

Ndryshe në seancën e 24 marsit 2022, gjykatësi Alban Ajvazi ka njoftuar palët se për dy pika të aktakuzës ku të akuzuar janë Abdyl Buja, Mentor Ismajli dhe Feti Ismajli, ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

“Ju njoftoj se për dispozitivin 2, pika 2 ku të akuzuar janë Abdyl Buja dhe Mentor Ismajli si dhe dispozitivin 6 të aktakuzës ku i akuzuar është Feti Ismajli, ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale”, kishte thënë gjykatësi Ajvazi.

Kjo çështje në fillim ishte gjykuar nga gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, por pas kthimit të saj në Gjykatën Themelore në Pejë, lënda i ishte ndarë gjyqtarit Alban Ajvazi.

Më 26 tetor 2019, gjykatësja Kuka-Mekaj kishte njoftuar se gjykata ka marrë aktvendim që të hudhet pjesërisht aktakuza në raport me veprat penale në dispozitivët 4, 5, 7, 8 dhe 9 të aktit akuzues.

Ky vendim është marrë nga gjykata pasi ka konstatuar se është arritur parashkrimi relativ para se të merrej aktvendimi për fillim të hetimeve nga ana e prokurorisë. Me anë të këtij aktvendimi, është pushuar procedura penale ndaj Albisjan dhe Muhib Fazliu, Rajmonda Borovcit, Granit Ismajlit dhe Hyrije Koraqit.

Ata akuzoheshin për dhënie të ryshfetit, ndërsa, Albisjan Fazliu, përveç veprës penale të dhënies së ryshfetit, akuzohej edhe për falsifikim të dokumentit.

Sipas aktit akuzues të ngritur më 31 maj 2018, Abdyl Buja thuhet se me dashje ka ndihmuar personin tjetër për të kryer vepër penale duke e udhëzuar dhe premtuar se do t’i fsheh provat e veprës së kryer penale.

Sipas aktakuzës, ai duke qenë i vetëdijshëm për qëllimin e takimit me Albisjan Fazliun dhe Feti Ismajlin, në kafenenë “Rozafa” në Lipjan me dëshirë që pas dështimit të të pandehurit Albisjan Fazliu për ta kaluar provimin pranues në Degën e Stomatologjisë së Fakultetit të Mjekësisë në UP në Prishtinë, ta regjistrojë të njëjtin në këtë degë.

Këtë thuhet se ka arritur ta bëjë duke ia lëshuar vërtetimin nga administrata qendrore e UP-së si student në vitin 2011/12, e më pas thuhet se është formuar dosja me 001469/1 dhe Indexi me numrin e njëjtë, për çka i pandehuri ka marrë shumën prej 3 mijë euro në shtëpinë e vet nga i pandehuri Feti Ismajli.

Këto para thuhet se i ka marrë për t’ia dërguar të pandehurit Muhib Fazliu, kinse për t’ia dorëzuar zyrtarit të Fakultetit të Mjekësisë, e pastaj e ka këshilluar të pandehurin Albisjan Fazliu që ta plotësojë formularin për të hyrë në provimin Fizikë Mjekësore me Biofizikë të profesori Ymer Halimi duke e dorëzuar personalisht formularin të zyrtari i autorizuar me dëshirë për t’i marrë 700 euro.

Mirëpo, thuhet se Albisjan Fazliu ia kishte dhënë 300 euro në shtëpinë e vet kinse se ia kishte kërkuar ky profesor, ndërsa 400 tjera janë pajtuar të dorëzohen pasi ato të sigurohen, por provimin nuk e kaluar.

Sipas aktakuzës, më pas ka filluar t’i ndjek ligjëratat dhe ushtrimet, e pastaj ka plotësuar 11 rubrika destinuar për shënimet e provimeve në Index, ku janë kërkuar të dhënat përkitazi më lëndën e provimit, notën e vlerësuar, datën e provimit dhe nënshkrimin e profesorit.

Sipas akuzës, i akuzuari Buja në vazhdim ka kryer veprën penale marrje ryshfetit në ndihmë.

Sipas akuzës, ai me dashje ka kërkuar përfitim nga Albisjan Fazliu për vete dhe një zyrtar të panjohur për një veprim që nuk është dashur ta kryejë. Ai thuhet se ka kërkuar 12 mijë euro nga Fazliu me dëshirë që të përfitojë materialisht duke e këshilluar se do t’ia lëshojë diplomën e kryerjes së fakultetit.

Tutje, thuhet se në nëntor të vitit 2013, në restorantin “Pauna” në Lipjan, Abdyl Buja dhe Mentor Ismajli, kanë kërkuar dhe marrë nga e pandehura Rajmonda Borovci shumën prej 5 mijë euro për ta regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë në UP gjatë vitit 2012/2013, duke i premtuar se përmes autoritetit të ish-ministrit të Arsimit, Ramë Buja, do t’i nxitin personat zyrtarë të këtij fakultetit të paidentifikuar që e njëjta të regjistrohet në fakultet.

Gjithashtu, thuhet se në shkurt të vitit 2012, në picerinë “Extreme” në Prishtinë së bashku, me dashje, Abdyl Buja dhe Mentor Ismajli, kanë nxitur të pandehurën Hyrije Koraqi që t’ua japë shumën prej 2 mijë euro.

Këtë thuhet se e kanë bërë duke e bindur se në kundërshtim me detyrat e zyrtarëve kompetent të këtij fakulteti, do t’ia rregullojnë pozitën e saj me kontratë formale, nga kontrata si asistente e angazhuar e Kimisë Analitike në asistente të rregullt në Fakultetin e Mjekësisë.

Me këto veprime, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale shtytje për veprën penale “marrje e ryshfetit”.

Abdyl Buja, Rizah Azemi dhe Alban Azemi, thuhet se me dashje kanë tentuar t’i vënë në lajthim zyrtarët e Fakultetit të Mjekësisë përmes dokumentit të falsifikuar.

Këtë thuhet se e kanë bërë ashtu që në shkurt të vitit 2014, të pandehurit Abdyl Buja dhe Rizah Azemi me vetëdije e kanë dërguar Indexin e të pandehurit Alban Azemi te profesori i lëndës Biokomia e Përgjithshme, Luljeta Begolli kinse për ta verifikuar vizualisht nëse nota 6 dhe nënshkrimi janë të saja.

Këtë thuhet se e kanë bërë me dëshirë që pas disa vitesh dështimi, Alban Azemi ta kalojë provimin edhe pse e kanë ditur që Azemi nuk e ka kaluar provimin në bazë të rezultateve të shpallura në afatin e janarit të vitit 2014. Pastaj, thuhet Rizah e Alban Azemi kanë shkuar të Zyrtarja e Lartë për Studime Themelore në Fakultetin e Mjekësisë, Syzana Zejnullahu dhe kanë kërkuar prej saj Index duplikant me pretekst se gjoja indexi origjinal është humbur për çka kundër të pandehurit Alban Azemi është iniciuar procedura disiplinore.

Për këto veprime, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme në tentativë”.

Gjithmonë sipas aktakuzës, Alban dhe Muhib Fazliu, në tetor 2011, sipas marrëveshjes paraprake, Muhib Fazliu i ka dhënë 3 mijë euro të pandehurit Aldyl Buja si ndërmjetësues kinse për t’ia dhënë personave të caktuar zyrtarë të Fakultetit të Mjekësisë. Për rrjedhojë, thuhet se i pandehuri Albisjan Fazliu më 5 tetor 2011 është regjistruar në vitin akademik 2011/12 duke fituar statusin e studentit të rregullt në këtë fakultet në Degën e Stomatologjisë, për çka i është lëshuar indexi dhe është formuar dosja e tij.

Më 30 nëntor 2012, thuhet se i njëjti ka arritur ta regjistrojë semestrin dhe ndonëse emri i të njëjtit nuk ka figuruar fare në evidencat e profesorëve të lëndëve përkatëse dhe rrjedhimisht nuk i ka dhënë 7 provime.

Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “dhënie ryshfeti”.

Albisjan Fazliu, akuzohet se në janar të vitit 2012, në një lokal në aftësi të rrethit kryesor të Spitalit në Prishtinë, prej 700 euro të kërkuar nga i pandehuri Adbyl Buja për të ndërmjetësuar te profesor Ymer Halimi që ta kalojë provimin nga lënda Fizikë mjekësore dhe Biofizikë ia ka dhënë 300 euro. Kurse, 400 euro thuhet se i ka mbetur borxh.

Këtë provim, thuhet se sipas konfirmimit të doktor Ymer Halimit, i njëjti nuk e ka dhënë.

Ai akuzohet se ka ndryshuar dokumentin publik origjinal dhe të falsifikuar e ka përdorur me vetëdije nga 5 tetori 2011 kur është regjistruar në fakultet. Në aktin akuzues thuhet se me Indexin nga pika I e dispozitivit i ka regjistruar dhe vërtetuar semestrat me radhë deri në semestrin e III të këtij viti akademik 2012/13 të cilin e kishte regjistruar më 30 nëntor 2012. Ndërsa, thuhet se më 23 tetor 2012, kishte shkuar te zyrtarja Syzana Zejnullahu duke shprehur që Indexi i tij të shpallet duplikant me arsyetimin se ishte dëmtuar përmes plotësimit të shënimeve të rrejshme të provimeve.

Me këtë veprim akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentit”.

Sipas aktakuzës, Feti Ismajli thuhet se i ka mundësuar regjistrimin në vitin e parë të studimeve, të pandehurit Albisjan Fazliu në vitin akademik 2011/12, në Fakultetin e Mjekësisë – Dega Stomatologji në Prishtinë. Një gjë të tillë sipas prokurorisë, e kishte bërë pasi që fillimisht kishte vënë në kontakt me Albisjanin dhe babin e tij, Muhib Fazliu, duke i ndihmuar Abdyl Bujës përfitim material, i cili i kishte marrë tre mijë euro nga Muhib Fazliu dhe ia kishte dërguar të akuzuarit Buja, kinse për t’ua dhënë zyrtarëve të këtij Fakulteti.

Më çka, sipas aktakuzës, kishte kryer veprën penale “marrje e ryshfetit”.

Rajmonda Borovci, thuhet se i ka premtuar tërthorazi të pandehurit Abdyl Buja, për t’ia dhënë 5 mijë euro që të ndërmjetësojë te zyrtarët e caktuar të Fakultetit të Mjekësisë të UP-së, me qëllim të transferimit të saj prej degës së Infermierisë në degën e Farmacisë, i cili transfer kishte dështuar meqë ka qenë në kundërshtim të plotë me procedurat ligjore.

Shuma prej 5 mijë euro, sipas aktakuzës i është dorëzuar nga i pandehuri Granit Ismajli te i pandehuri Abdyl Buja.

Me çka, sipas prokurorisë, e akuzuara Borovci ka kryer veprën penale “dhënia e ryshfetit”.

Granit Ismajli thuhet se në mënyrë të tërthortë i ka dhënë ryshfet personit të caktuar ashtu që gjatë nëntorit 2013, kur i pandehuri Abdyl Buja, përmes telefonit i ka kërkuar 5 mijë euro duke i premtuar që të kryejë transferimin e Rajmondës prej degës së Infermierisë në degën e Farmacisë, përmes zyrtarëve të caktuar të këtij fakultetit, 5 mijë euro ia ka dorëzuar Granit Ismajli, babai i Rajmondës, Kamer Borovci.

Në të njëjtën ditë, Ismajli në restorantin “Pauna” në Lipjan, thuhet se ia ka dorëzuar 5 mijë euro të pandehurit Abdyl Buja për realizmin e premtimit të dhënë, mirëpo pasi ky ka dështuar së realizuari premtimin kurse paratë nuk ia ka kthyer, Ismajli është detyruar që të huazojë 5 mijë euro të cilat pastaj ia ka kthyer Kamer Borovcit.

Me këtë rast, sipas prokurorisë, Ismajli së bashku me Hyrje Koraqin thuhet se kanë kryer veprën penale “dhënia e ryshfetit”.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Koraqi e kishte bërë pas largimit nga puna si asistente në Fakultetin e Mjekësisë, ashtu që, në shkurt të vitit 2012, në lokalin “Rangonë” në Prishtinë, ia ka dhënë tërthorazi Abdyl Bujës përmes Mentor Ismajlit 1 mijë euro, për ish-rektorin e UP-së, Mujë Rugova, dekanin e FSHMN-së, Tahir Arbneshi dhe profesor Naser Mrasorin.

Pas kësaj, sipas prokurorisë, Koraqi kishte filluar punën sipas kontratës për semestrin 1 prej 1 tetorit 2011 deri më 15 shkurt 2012 e pas kërkesave të vazhdueshme për t’ju dhënë prej 4 mijë deri në 20 mijë euro, Koraqi sipas aktakuzës, ua kishte dhënë 1 mijë euro të pandehurve Abdyl Buja dhe Mentor Ismajli në picerisë “Extreme”, në Prishtinë.

Pasi që ishin larguar nga piceria, në oborrin e Fakultetit të Mjekësisë, Koraqi thuhet se ia kishte dhënë të pandehurit Ismajli edhe 1 mijë euro.

Tutje, sipas aktakuzës, më 7 mars 2012, i pandehuri Ismajli i kishte thënë Koraqit se nuk është bërë kontrata sepse nuk ka kryer pagesën për lidhjen e kontratës dhe për pasojë Koraqi nuk ka punuar deri në shtator 2012 kur është ri pranuar për asistente e angazhuar por jo e rregullt. Në shtator 2013, i pandehuri Buja ia kishte kthyer 2 mijë euro Koraqit, por të cilat ia kishte marrë nga dora i pandehuri Ismajli kinse për të verifikuar origjinalitetin, e pastaj ia ka kthyer 1 mijë e 500 euro Koraqit, ndërsa 300 i ka ndalë për vete e 200 i ka ndarë për Bujën. 

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat