Kuvendi miratoi në parim buxhetin për vitin 2023, ky është deputeti i VV-së që votoi kundër

Aktuale

Kuvendi miratoi në parim buxhetin për vitin 2023, ky është deputeti i VV-së që votoi kundër

Më: 17 nëntor 2022 Në ora: 07:37 Përditësuar në ora: 17:13 më 17.11.2022
Kuvendi i Kosovës

​Kuvendi miratoi në parim buxhetin për vitin 2023, ky është deputeti i VV-së që votoi kundër

Kuvendi i Kosovës me 64 vota pro, ka miratuar sot në parim Projektligjin për ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2023.

Kundër miratimit të buxhetit votoi vetëm deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Fatmir Humolli, ndërsa deputetët e partive opozitare u përmbajtën nga votimi.

Pas përfundimit të kësaj pike, kryetari i Kuvendit, mbylli punimet e seancës plenare.

Ndërkohë, Kuvendi nesër sërish do të mblidhet në orën 13:00, ku do të ketë debat parlamentar për gjendjen në shëndetësi./

​Buxheti për vitin 2023, ministri Murati përplaset me deputetët opozitarë

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati është përplasur me deputetët opozitarë për projekt-buxhetin për vitin 2023. Murati i quajti hipokritë deputetët e LDK-së, pasi dërguan në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për çmimet tavan për produktet bazë. Ndërkohë, tha se opozitarët po thonë të pavërteta lidhur me buxhetimin e Ligjit për paga. Në anën tjetër, nga opozita, Murati u vlerësua si ministri më i dobëti në kabinetin qeverisës.

Në seancën e sotme plenare, ministri Murati, ngriti dyshime se LDK-ja mund të ketë interesa me supermarkete, pasi dërguan në Kushtetuese Ligjin për çmimet tavan për produktet bazë.

Murati: Vetëm hipokritët dhe që mund të kenë interesa me supermarkete e dërgojnë ligjin në Gjykatën Kushtetuese

“Vetëm dikush hipokrit dhe që mund të ketë interesa të përbashkëta me supermarkete e dërgon një ligj të tillë në Gjykatën Kushtetuese. Ky është fakti, përndryshe kot e keni nëse qaheni këtu se si qytetarëve iu është vështirësuar jeta, ndërsa në anën tjetër tentoni të bllokoni çdo tentativë për të lehtësuar jetën e qytetarëve”, tha ai.

Mirëpo këto i mohoi deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, derisa vazhdoi ta quante ligjin antikushtetues.

Musatafa: Ligjin e keni antikushtetues

“Me atë ligj shkatërrohet secili market i vogël dhe mesëm në Republikën e Kosovës dhe mbizotërojnë, po dëshironi me shndërruar atë sektor në oligarki ku vetëm një numër shumë i vogël i supermarketeve mbizotërojnë. Sipas logjikës suaj, me këtë i bie se nëse dikush është i lidhur ngushtë me marketet e mëdha jeni ju, jo na, pasi ne po dëshirojmë të vegjlit dhe të mesmit, theksoi Mustafa.

Krahas kësaj, ministri Murati tha se opozita po thotë të pavërteta sa i përket buxhetimit të Projektligjit për paga.

Murati: Po thoni të pavërteta sa i përket buxhetimit të Ligjit për paga

“Kur është bërë ligji i pagave në vitin 2019 nga AAK-ja për vitin pasues, pagat apo shtesat kanë qenë të buxhetuara me 650 milionë euro. Tani kemi buxhetin 745 milionë euro, do të thotë 95 milionë euro më shumë sesa ka planifikuar AAK-ja bashkë me PAN-in aso kohe për të mbuluar ligjin e pagave. Kapërcimi nga viti paraprak ka qenë 620milionë në vitin kur do të zbatohet ligji, ka qenë 650 milionë, 30 milionë euro shtesë, por edhe ato kanë qenë 100 milionë euro më pak sesa i kemi buxhetuar ne. Prandaj kur thoni se nuk ka buxhetim të Ligjit për paga po thotë të pavërteta”, tha Murati.

Atij i reagoi shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se Murati është ministri më i dobëti në kabinetin qeverisës.

Tahiri: Ministri Murati është më i dobëti në kabinetin qeverisës

“Unë e kuptoj ministrin Murati, i cili ka arritur jo vetëm me mashtru, por me qenë njeriu më i dobët në kabinetin qeverisës, por nuk po kuptoj si një ministër i financave del këtu dhe mbështetë një buxhet, i cili në esencë e rrezikon funksionim e shtetit të së drejtës, sigurinë kombëtare dhe rrezikon secilin sektor vital të shtetit”, tha Tahiri.

Ministri Murati i drejtohet opozitës: Edhe kur po rreni, jeni dorështrënguar – bile rreni mirë

Kuvendi i Kosovës është mbledhur sot për të shqyrtuar në lexim të parë projektligjin për buxhetin për Kosovën për vitin 2023.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, në një fjalë rasti e ka kritikuar opozitën duke thënë se edhe kur gënjejnë, janë duarngrirë.

“Ne kemi të drejtë ta kthejmë pasqyrën nga ju se çka keni bërë kur keni qenë në pushtet”.

“Keni premtuar pagë mesatare një mijë euro, por kur erdhët vetë i rritët pagat 100 për qind. Tash ishit takuar me sindikatat dhe iu kishit premtuar rritje page prej 30 për qind”.

“Edhe me rrena ishit dorështrënguar, bile rreni mirë thoni 50 për qind e jo 30 për qind”.

​Kritikon deputeti i LV-së: Po miratojmë buxhet pa strategji për energji

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka kritikuar Qeverinë edhe në Kuvend se po miratojnë buxhet pa strategji për energji.

Deputeti Abazi ka kërkuar nga ekzekutivi që të futet në prioritet buxhetor sigurimi jetësor i Policës së Kosovës, minatorët dhe ngritja e shërbimeve në administratën publike.

Abazi: Është fatkeqësi që po miratojmë buxhetin dhe nuk kemi strategji të energjisë

“Është fatkeqësi që po miratojmë buxhetin dhe nuk kemi strategji të energjisë të miratuar. Keq e kanë lënë opozita, duke na mbajtur në krizë të përhershme për energjinë dhe vazhdojmë në pozitë të njëjtë me çështjen e energjisë. Viti i ardhshëm nuk duhet të na gjej në këtë gjendje”, theksoi ai.

Deputeti Abazi në seancën ku po shqyrtohet projektbuxheti për vitin 2023, tha se 20 vjet pas luftës është e pa kuptimtë që shteti ynë të vazhdojë të ketë policë të cilët nuk kanë sigurim jetësor.

Ai kërkoi të buxhetohet sigurimi jetësor për zyrtarët e rendit, pasi që sipas tij, siguria e tyre është në rrezik.

Abazi: 14 vjet pas pavarësisë, është e pa kuptimtë të ketë policë pa sigurim jetësor

“Dua të shkoqis disa çështje që do të duhej të ishin prioritet në ditët e muajt, e vitet në vazhdim. Sigurimi jetësor për Policinë e Kosovës. 20 vjet pas luftës, 14 vjet pas pavarësisë, është e pa kuptimtë që shteti ynë të vazhdojë të ketë policë të cilët nuk kanë sigurim jetësor. Sikur të ishin policët e një shteti pa krim të organizuar, pa korrupsion të lartë, ndoshta edhe e kishim pasur komoditen të besojmë që këta policë që duhet të bëjnë hetimet e deri te ata që duhet ta ruajnë sigurinë tonë. Ka shtete që policia nuk mbajnë as armë, për shkak se siguria e tyre nuk është në rrezik. Por në një vend ku nëntoka, krimi i organizuar brenda shtetit dhe në rajon është kaq i madh, rreziku për policin tonë është i përditshëm”, theksoi ai.

Abazi kërkoi që edhe në kategori të veçantë buxhetore të futen edhe minatorët, deputetët e 2 Korrikut dhe buxhetimi për reformë të thellë të administratës publike.

Ai shtoi se vendi ka një administratë jofunksionale të mbingarkuar, ku qytetarët nuk po marrin shërbimet e duhura nëpër sportele. 

Muja prezanton projektbuxhetin për vitin 2023: Më i larti në historinë e Kosovës

Armend Muja, kryetar i Komisioni për Buxhet e ka paraqitur para deputetëve projektbuxhetin për vitin 2023.

Ai ka theksuar se vlera totale e buxhetit do të jetë 3.2 miliardë euro.

“Është buxheti më i lartë në historinë e Kosovës”, ka shtuar ai.

“Shpenzimet e propozuara janë një miliard më të larta sesa e qeverive të viteve 2019-2020 dhe ndoshta edhe 2021”.

Muja ka treguar se të hyrat më të mëdha do të jenë nga Totali mbi Vlerën e Shtuar ku ka theksuar se do të ketë dyfishim të tyre.

Deputeti i Vetëvendosjes ka treguar gjithashtu se shpenzimet për paga janë rritur në 746 milionë nga 671.

​PDK: Shqetësuese largimi masovik i shqiptarëve nga Kosova

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka shprehur shqetësimin e saj për braktisjen e të rinjve nga vendi.

Në seancën e sotme, deputetja Musliu tha se përkundër që situate në veri mbetet temë kryesore, ajo thotë se shqetësuese është edhe largimi masovik i shqiptarëve nga vendi.

Për këtë ajo ka kërkuar nga institucionet e vendit që ta trajtojnë këtë dukuri.

Musliu: Shqetësuese që është largimi masovik i shqiptarëve nga Kosova

“Edhe pse ditëve të fundit tema kryesore është situata e krijuar në veri, sot do të flas për një çështje tjetër, po aq shqetësuese që është largimi masovik i shqiptarëve nga Kosova, veçanërisht o të rinjve. Edhe pse situata politike është destabilizuar, është se pikërisht temat e mëdha në këtë vend e kanë vën nën hije qytetarin përditshmërinë dhe vështirësitë e tij. Krahas kësaj po harrohet se mirëqenia e qytetarit është tema më e madhe që duhet të trajtohet”, tha ajo. 

Kritika për mostransparencë, Kurti: Mund të flasim për planin franko-gjerman edhe në seancë të hapur

Kryeministri Albin Kurti i është përgjigjur kritikave në Kuvend për mostransparencë për procesin e dalogut me Serbinë.

Por, ai tha se asnjëherë më parë s’ka pasë më shumë transparencë, derisa në këtë drejtim përmendi edhe takimet që ka pasë me udhëheqësit e opozitës për t’i informuar për dialogun dhe propozimin franko-gjerman.

“Nuk mendoj që është e drejtë që të thoni se transparenca është zero. Ju pyesni unë përgjigjem. Dialogu Kosovë-Serbi s’ka qenë asnjëherë më transparent që prej rifllimit të tij. Pas çdo takimi të nivelit të lartë, publiku është informuar”.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, tha se pret që Kurti të shpalosë planin franko-gjerman para Kuvendit dhe jo vetëm kryetarëve të partisë.

“Jeni i detyruar që të raportoni para deputetëve dhe jo para kryetarëve të partive, sepse unë s’e kam për obligim të marr informata nga kryetarët, por nga ju sepse ju jeni i ngarkuar për dialogun”, tha Musliu-Shoshi.

Kurti iu përgjigj se mbase do ta diskutojë edhe njëherë me kryetarët e subjekteve politike “që ta kuptoni se asnjëherë s’ka pasë më shumë transparencë se kësaj radhe”.

“Në njërën anë i përmbahem transparencës së procesit, por në anën tjetër edhe konfidencialitet të bisedimeve. Nëse ju e konsideroni të nevojshme që përtej asaj që iu kanë njoftuar liderët e partive tuaj ose që nuk iu kanë njoftuar atëherë mund të organizojmë një seancë edhe të hapur edhe me dyer të mbyllura, por s’mund të thoni që transparenca është zero. Qëndrimi ynë ka qenë i drejtë dhe në këtë kuptim jemi treguar të përkushtuar, kreativë e konstruktivë”.

Haxhiu i drejtohet Kurtit: Ngrejau veshin ministrave tu

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu gjatë seancës plenare të Kuvendit pati një pyetje për ministrin e kulturës rinisë dhe sportit, Hajrullah Ceku, por nuk mungesë të tij nuk arriti ta pyste.

Sipas Haxhiut është e papërgjegjshme kjo seanca e katër që ministri Çeku nuk merr pjesë.

Haxhiu i drejtohet Kurtit duke i thënë sa ke qenë opozitar ke insistu shumë që ministrat me ju përgjigj deputetve.

“Let jau ngreh veshin pak ministrav të tij që të përgjigjen para deputetve, sepse ka marrë përgjegjësi me u përgjigj”, tha ai.

Sipas tij do të duhej të paktën ata që ka qenë opozitar tash si kryeministër ta zbatoj.

Kurti: Dialogu me Serbinë asnjëherë nuk ka qenë më transparent

Kryeministri Albin Kurti vlerëson se procesi I dialogut Kosovë-Serbi asnjëherë nuk ka qenë më transparent, sa i përket institucioneve kosovarë.

“Jemi treguar transparent ndaj qytetarëve dhe publikut. Kemi treguar gatishmëri ndaj partive opozitare dhe kemi treguar kujdes që të mos dëmtohet procesi dhe as interesat tona”, është shprehur Kurti.

“Pas çdo takimi publiku është njoftuar për qëndrimet dhe propozimet tona”.

Derisa në pyetjen e deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, për Asociacionin e Komunave Serbe, kreu i ekzekutivit është shprehur sikur ditë më parë: “S’kam qëndrim të ri. Jemi përgjigjur panumër herë. Nuk kam përgjigje të re.

Asociacioni nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese, është shpallur antikushtetues”.

Tahiri pyet kryeministrin Kurtin: Ku jemi sot me liberalizim të vizave?

Shefi i grupit parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, ka pyetur kryeministrin Albin Kurti, se ku qëndron sot Kosova me liberalizim të vizave.

Kjo pyetje erdhi pasi Tahiri tha se edhe dje nga Brukseli, Kosova mori edhe një lajm të keq për këtë çështje.

“Si Kuvend nuk mund të rrimë të heshtur dhe s’mund të reflektojmë në një paaftësi serioze të qeverisë në raport me trajtimin e agjendës së Integrimit Evropian dhe liberalizim të vizave. Kthehuni mbrapa 2 muaj dhe lexoni deklaratat e kryeministrit, zëvendëskryeministrit dhe ministrave për vizat, e patën pru aq afër saqë më të vërtetë është duke e vendos kjo qasje, kjo paaftësi serioze, Kosovën në një situatë jashtëzakonisht të pafavorshme. S’ka informata as tash e as më herët se çka është duke ndodhur”.

“Për vizat, të gjithë e dimë që është një arritje meritore e gjitha qeverive veç e veç, të gjithë e kanë dhënë kontributin, por paaftësia dhe pazotësia për ta trajtuar këtë temë, është për secilën kritikë dhe kërkoi nga Kurti t’i sqaroj dy çështje. Çka ka ndodhur dje me vizat dhe ku jemi, dhe e dyta a e ka në plan të procedojë kërkesën për vend kandidat duke e ditur se Ukraina dhe Moldavia e kanë marrë këtë vendim nga Unioni Evropian. Kërkesa jonë është me bo kandidaturën me përgatit dokumentacionin për vend kandidat në këtë vit”, tha Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat