Bordi i pakënaqur me buxhetin e ndarë për RTK-në

Aktuale

Bordi i pakënaqur me buxhetin e ndarë për RTK-në

Më: 18 nëntor 2022 Në ora: 11:24
RTK

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka shprehur shqetësimin lidhur me buxhetin e ndarë prej 8.96 milionë euro, i cili u miratua dje në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.

Në një komunikatë për media, Bordi i RTK-ja ka thënë se buxheti i ndarë për Transmetuesin Publik është i pamjaftueshëm për investimet që janë paraparë në Transmetuesin Publik.

“Buxheti prej 8.96 milionë euro (aq sa ishte edhe për këtë vit) është buxheti më i vogël që i është ndarë RTK-së në 10 vitet e fundit. Ky buxhet është më i vogël për 2.2 milionë sesa buxheti i vitit 2021, kohë kur RTK-ja qartazi keqmenaxhohej. Këtë keqmenaxhim e ka vërtetuar edhe Zyra Kombëtare e Auditimit në Raportin e tyre të auditimit të performancës së RTK-së për vitin 2019-2021, si dhe raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të RTK-së për vitin 2021. Si pasojë, ndër të tjera, janë trashëguar 1.6 milionë euro borxhe, të cilat përbëjnë kërcënim konstant me bllokimin e xhirollogarive të RTK-së nga përmbaruesit”, ka thënë Bordi i RTK-së.

Bordi i RTK-së ka rikujtuar se kjo ndarje buxhetore përjashton mundësinë praktike të çfarëdo investimi kapital në RTK, qoftë në pajisje pune, teknologji të re, shpërndarje të sinjalit apo përmbajtje kualitative.

“Buxheti i ndarë, dhe të hyrat tjera vetanake nga marketingu, e as kursimet e planifikuara, nuk sigurojnë as plotësimin e kërkesës ligjore për kontraktim të produksioneve të pavarura, e as nuk sigurojnë shlyerjen e plotë të borxheve që janë krijuar nga menaxhmentet e kaluara ndër vite”, thuhet në reagimin e bordit.

Bordi ka thënë se ka adresuar një kërkesë te organet ekzekutive dhe legjislative të vendit për rishqyrtim të buxhetit të planifikuar për RTK-në.

“Bordi i RTK-së ka adresuar një kërkesë për rishqyrtim të buxhetit të planifikuar për RTK-në tek organet kompetente shtetërore, legjislative dhe ekzektuve. Në kërkesë është elaboruar në detaje se pse ky buxhet është i pamjaftueshëm për mirëfunksionimin e RTK-së, dhe nuk është në harmoni me planet e Bordit. Njëkohësisht, të njëjtit janë informuar edhe lidhur me punët dhe reformat që janë ndërmarrë si dhe me reformën e thellë që po fillon së shpejti. Por, deri më tani, Bordi i RTK-së nuk ka marrë asnjë përgjigje në këtë kërkesë”, thuhet në njoftim.

Bordi i RTK-së ka kërkuar që për vitin 2023 buxheti i RTK-së të ndahet ashtu siç është përcaktuar me Ligjin për RTK-në, konkretisht në nenin 21 dhe paragrafin 4, në mënyrë që progresi i bërë të jetë i dukshëm. Kjo kërkesë është bërë vetëm për vitin 2023 si vit tranzitor, meqë Bordi është duke finalizuar propozimet për modelet e financimit të RTK-së, ku viti 2024 synohet të jetë vit i fillimit të parapagimit dhe vetëfinancimit të transmetuesit publik, sipas ligjit të ri, i cili duhet të iniciohet sa më parë.

Bordi i RTK-së konsideron se që nga procesi i përzgjedhjes, proces i vlerësuar edhe nga Komisioni Evropian në Raportin për Kosovën, si dhe nga puna dhe angazhimi i deritanishëm, është krijuar një momentum të ri për RTK-në, nga i cili determinohet e ardhmja e RTK-së.

Në këtë kuadër, Bordi i RTK-së edhe njëherë i kërkon Kuvendit të Kosovës që t’i marrë parasysh kërkesat e paraqitura midis dy leximeve buxhetore, kërkesa këto të bazuara për zhvillim e RTK-së përmes investimeve kapitale dhe jo në shpenzime operative.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat