Abdixhiku: Kosova të koordinohet me ShBA’të për targat, çdo vonesë lë hapësirë për destabilizim të vendit

Aktuale

Abdixhiku: Kosova të koordinohet me ShBA’të për targat, çdo vonesë lë hapësirë për destabilizim të vendit

Më: 18 nëntor 2022 Në ora: 19:59
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po qëndron për vizitë zyrtare, lidhur me situatën në veri të vendit, pas vendimit për targat.

Abdixhiku ka deklaruar se në këtë fazë është shumë e rëndësishme për vendin që të ketë koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë evropianë. Sipas Abdixhikut, çdo vonesë në këtë drejtim, lë hapësirë për destabilizim dhe situata tjera të paparashikueshme.

“Në këtë fazë për Kosovën është e rëndësishme që të ketë koordinim të plotë me faktorin ndërkombëtar, në theks të veçantë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë evropianë. Prandaj besoj që çdo vonesë në këtë koordinim të ngushtë, lë hapësirë edhe për destabilizim të vendit, por edhe për situata të paparashikueshme. Por mbi të gjitha lë gjurmë të pariparueshme të relacioneve që Kosova do t’i ketë me aleatët e vetë”, ka deklaruar Abdixhiku në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Abdixhiku ka thënë se Kosova duhet të përkushtohet në dialog dhe të kërkojë marrëveshjen finale, që ka njohjen reciproke në thelb. Thotë se marrja me çështje teknike, nuk është në favor të vendit.

“Çështja e dytë që Kosova duhet të ketë parasysh, ka të bëjë me shmangien e status quo’s mes relacioneve të Kosovës dhe Serbisë në dialog. Çdo vonesë e Kosovës, pra çdo marrje me çështje teknike, me çështje të rëndësisë më të vogël, nuk është në favor të Republikës së Kosovës dhe interesave tona euroatlantike. Ne kemi nevojë për përkushtim në dialog, kemi nevojë për guxim politik, për ecje të përbashkët me aleatët tanë dhe për kërkimin e marrëveshjes finale, që ka njohjen reciproke në thelb të saj”, ka thënë Abdixhiku.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar disa herë Qeverisë Kurti që të shtyjë zbatimin e vendimit për targat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat