Krimi tragjik, vrasja e gruas dhe fëmijës – Çfarë çrregullimi kishte dorasi!

Aktuale

Krimi tragjik, vrasja e gruas dhe fëmijës – Çfarë çrregullimi kishte dorasi!

Nga: Idriz Morina Më: 1 dhjetor 2022 Në ora: 14:40
Pamje nga krimi makabër në QKUK

Një natë, që pak kë në shtet duhet ta zë gjumi. Një tronditje, që duhet të lë zgjuar së pari ata që premtuan shtet ligjor, së dyti ata që refuzuan të vënë shtet ligjor dhe janë brenda sistemit, me vite, dekada, dhe përfshirë të pakënaqurit me paga.

Por, kjo vrasje e pashembullt e nënës me fëmijë, teksa po priste të sillte në jetë edhe një fëmijë, sipas kodit kanunor do të ishte dy herë gjak borxh, për gruan tashmë të ndarë, dhe së dyti për foshnjën.

Por, edhe një dënim me burg dyherë të përjetshëm, nuk do ta shuante mllefin e familjeve dhe as mllefin e një shoqërie normale.

Me çrregullim të personalitetit antisocial!

Ajo ishte rreth 4 vjet më e vjetër se autori i krimit makabër dorasi Sokol Halili, gjë që ndodhë në pak raste një martesë e tillë në mesin e shqiptarëve. Ajo dukej e bukur sipas disa fotove të publikuara, por mungojnë ato të kohëve të fundit, se nëse ato reflektojnë vuajtjet në martesë dhe pas saj. Po ashtu i bukur në disa foto të mëhershme të shpërndara dukej edhe dorasi.

Image
Sokol Halili, i dyshuar si doras i vrasjes së dyfishtë

Por, në foton e fundit të shpërndarë nga policia dorasi i dyshuar Halili, duket krejtësisht ndryshe, madje, sipas një konsultimi profesional psikologjik klinik, ai vlerësohet të ketë pasur çrregullime të personalitetit antisocial!

Sipas studimeve dhe diagnostikimit psikologjik, të këtij çrregullimi, ai është i karakterizuar nga një model afatgjatë i shpërfilljes ose shkeljes së të drejtave të të tjerëve. Shoqërohet nga një ndjenjë e ulët morale ose ndërgjegjeje, shpesh e dukshme si dhe një histori e krijimit të problemeve me ligjin, sjellje impulsive ose agresive. Po ashtu personat me këtë problem dallohen nga një shpërfillje e hapur dhe e vazhdueshme e moralit, normave shoqërore dhe të drejtave, si dhe ndjenjave të të tjerëve. Shpesh manipulojnë dhe mashtrojnë njerëzit e tjerë duke e arritur këtë përmes zgjuarsisë dhe përmes fiksimit dhe dhunës.

Sipas “Psikoterapisë” së Ylli Pangos, këta njerëz nuk kanë ndjenja pendimi, për pasojat e sjelljes së tyre, dhe duke mos përvetësuar standardet e shoqërisë e të familjes, nuk kanë as ndërgjegje, as ndjenja faji. Sipas Pangos kjo sjellje nuk dihet nëse vjen nga aspekti gjenetik apo familjarë, apo nga bashkëveprimi i të dy faktorëve.

Fatkeqësisht duket që edhe ndikimet familjare, kanë pasur rol në këtë tragjedi. Madje motra e viktimës akuzon nënën e dorasit për nxitje të dhunës.

Nisur në planin psikologjik duket se ish-burri, tashmë i shndërruar në vrasës të dyfishtë, nuk po mund të pajtohej me ndarjen, me gjasë kishte shkuar të provonte shansin e fundit, duke i kërkuar një ribashkim, dhe me gjasë që atij t’i njihej statusi i babait, ose mbase, në mungesë informacioni mund të spekulojmë, se fëmija që pritej të vinte në jetë, nuk besonte se ishte i tij, dhe ai e shihte si pengesë!

Por, që të gjitha rrëfimet konfirmojnë një konflikt të thellë, dramatik, që çoi në një tragjedi që me shumë gjasë mund të shmangej. Më e pakta foshnja mund të shpëtonte. Kuptohet para se të ngjante kjo tragjedi, dikush nga të përfshirët pëson çmendurinë.

Pra, ne nuk kemi prova, se bëhet fjalë për xhelozi, për mospranim të humbjes së dashurisë, ndërsa këtu vjen në shprehje, një thirrje e rrejshme, e pavetëdijshme në një traditë.

Aristoteli, njëri nga teoricienët e parë të letërsisë, në veprën “Poetika”, duke argumentuar për tragjedinë letrare, veçonte rolin, përkatësisht rëndësinë e saj, për publikun. Sipas tij, tragjedia është ajo që nxit katarsisin. Ky katarsis, sipas tij ndihmonte që njerëzit pa i përjetuar ngjarjet, por vetëm nëpërmjet artit, ta pastronin shpirtin e tyre, të mos e lejonin mëkatimin tragjik.

Në këto 23 vjet thuajse s’kemi pasur shfaqje, përveç “Hamletit” dhe ndonjë tjetër vepre, pak ose aspak tragjedi nuk janë luajtur në teatrin tonë, ndërsa filmat si duket më shumë po e ushqejnë dhunën. Por, teatri më shumë ka qenë i braktisur, së pari nga vetë shteti dhe më e rëndësishmja nga publiku.

Në kontekstin psikosocial

Ne jemi një shoqëri që vazhdojmë të jemi në tranzicion. Atëherë kur besuam se po e ndërtonim demokracinë pas luftës, ne kaluam në një tranzicion tjetër më të rëndë, apo më të shumëfishtë. Tashmë 23 vjet ne nuk kemi arritur ta konsolidojmë shtetin. Duke mos e konsoliduar sovranitetin e tij, integritetin e tij, ne nuk kemi arritur të sigurojmë liri kolektive, si qenësoren në zhvillimin e identitetit tonë.

Në këto vite ne jemi ballafaquar më shumë se çdo shoqëri me imponime të jashtme kulturore, qoftë në emër të hapjes-demokracisë, qoftë në emër të religjionit.

Në emër të demokracisë kemi humbur shumë lidhjet me traditat tona, zakonet tona pozitive shqiptare, ndërsa në lidhje me fenë janë humbur shumë raporte nga feja tradicionale, ndërsa janë shfaqur rryma ekstreme, dhe shumë më pak dinë apo ka informacione shoqëria jonë për to.

Ne ishim një shoqëri e dal nga shtypja e komunizmit, totalitarizmit dhe me një luftë të pandërprerë nacionale për liri dhe pavarësi, të karakterizuar nga shtypja, represioni dhe vrasjet masive nga Serbia. Në të njëjtën kohë prekëm kufijtë e demokracisë.

Shumë nga vrasjet që ndodhën janë konflikt i rëndë psiko-social, i çifteve, përballë kërkesave dhe dëshirave të shtypura seksuale, në mesin e tyre, edhe për lirinë seksuale në martesë.

Ndërsa, kjo tregon si shumë vrasje të tjera, po ashtu edhe dhuna e përgjithshme dhe ajo seksuale në veçanti, se programet tona shkollore nuk ofrojnë mjaftueshëm as informim, as edukim. Pavarësisht se kemi lëndë si edukata qytetare, po rezulton se ne dhe veçmas të rinjtë nuk kemi mjaftueshëm edukatë apo mbase është krejtësisht e pamjaftueshme, pasi edhe në vendet me demokraci shumë të zhvilluar kemi parë dhunë ekstreme, por shoqëria jonë për aq sa e kemi njohur ne nuk ka pasur apo nuk ka përjetuar dhunë të tillë, krime të tilla makabre dhe aq shumë të shpeshtuara.

Image
Pamje nga skena e krimit, mbrëmë

 

Përgjegjësia

Padyshim që përgjegjësi duhet të mbajnë të gjitha institucionet, si Qeveria, Kuvendi, policia, prokuroria, gjyqësia, Ministria e Arsimit-shkollat, Ministria e Shëndetësisë-shëndeti mendor etj.

Në aspektin e edukimit e diskutuam më sipër edhe pse shkarazi. Por, Ministria e Arsimit është përgjegjëse për kurikulat, pra për lëndët dhe programet, prandaj duhet të ketë një interesim shumë më të madh për shëndetin mendor të nxënësve, por që kur ish-bashkëdrejtuesi i arsimit nga UNMIK-u Majkël Daksner dëboi pedagogët nga shkollat duke premtuar t’i zëvendësojë me psikolog, kjo thuajse nuk ndodhi kurrë. Problem më vete është pastaj dija dhe përgatitja e tyre, veçmas të atyre që kanë diplomuar apo edhe kanë kryer master në kolegje private dhe ofrojnë mësim apo edhe trajtim.

Ende shumica e shkollave nuk kanë psikolog të vetin, me përjashtim ndoshta të Prishtinës dhe ndonjë komune tjetër, dhe kjo gjendje është përmirësuar vetëm në 2-3 vitet e fundit.

Ministria e Shëndetësisë, jo vetëm që nuk është interesuar të ndihmojë në përmirësimin e shëndetit mendor, por në të gjitha qeveritë, kanë abuzuar, duke mos e konsideruar asnjëherë si çështje serioze.

E dominuar nga mjekët plotësisht, ata psikologët i shohin me përbuzje, madje shpesh edhe vetë psikiatrinë, pasi e shohin kryesisht si gjendje të fundit mendore për pacientët (si çmenduri dhe proces i pakthim).

Qeveritë as që janë interesuar për shëndetin mendor, dhe nuk di nëse ndonjëherë ka zënë vend në programet e tyre, edhe nëse ka ndodhur kjo ka qenë më shumë aksidentale, krejtësisht periferike dhe aspak sistematike, dhe zhvillimet në këtë aspekt kanë ndodhur spontanisht e aksidentalisht.

Madje as Qeveria aktuale, jo që nuk ka bërë ndonjë hap serioz, por edhe kur i janë drejtuar ankesa për shtypje, dhunë e diskriminim nga ata që duhej të ishin gardianë të shëndetit mendor, i ka heshtur në favor të krimit. Të njëjtën gjë e ka bërë prokuroria dhe vazhdon ta bëjë për më se një vit.

Thirrjet e Ministres së Drejtësisë për përgjegjësi dhe llogaridhënie janë të drejta, por nga ku dhe kush duhet të fillojnë realisht, në polici, drejtësi, MSH...!?

Në kontekstin e kodit popullor e tradicional

Sot mund të shihemi si një shoqëri që jemi bërë e pandjeshme për krimin, dhe më shumë po reagohet për raste sporadike, kriminale tepër të rënda. Kjo pandjeshmëri (apati) si duket na përpiu (ngjau) për 23 vjet pas luftës, duke e fshehur dhimbjen për vrasjet politike, aq sa në fund po rezulton se jo pak janë solidarizuar me ato krime, që kishin një karakter masiv, mbi 100 vrasje së paku, e disa prej tyre ende me kufoma apo pjesë trupi të zhdukura. Madje në mesin e këtyre që solidarizohen, janë edhe disa ata që dalin në protesta për vrasjet e fundit, janë disa nga ata që kërkojnë përgjegjësi nga institucionet politike, janë po disa nga ata që protestojnë dhe kundërshtojnë gjykimin e të dyshuarve nga gjykata speciale.

Sipas traditës, jo që një burrë nuk mund ta vriste gruan e vet, por cenimi i jetës në çfarëdo mënyre i një foshnjeje, konsiderohej vepër e ndaluar, dhe vrasja e një të palinduri, llogaritej gjak njësoj.

Po ashtu sipas traditës shqiptare, ishte tërësisht e dënueshme, që edhe ndaj gjakësit të merrej hak, nëse ai shoqërohej nga një grua, qoftë edhe nëse kërkonte besë në ato momente.

Pra, ky krim i mbrëmshëm është makabër në çdo aspekt, dhe nuk ka të bëjë asgjë me përpjekjet për ta identifikuar me traditën, me “burrërinë”. Përkundrazi me zhburrnim dhe thyerje të rëndë të kodit kanunore dhe traditës shqiptare.

Por, edhe siç ngjet edhe në raportet e veneruara nga letërsia popullore, raportet vjehërr-re, dalin prezente, sipas pohimeve aktuale të dëshmitarëve. Nëna që mundohet ta mbështesë të birin në çdo situatë, që fatkeqësisht në këtë rast mund të mos ketë pasur njohje, për rënien psikologjike të të të birit.

“…nëna e tij e ka shti me ushtru dhunë ndaj saj”, është shprehur Burbuqja, motra e viktimës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat