Hovenier: Lufta kundër korrupsionit është proces afatgjatë

Aktuale

Hovenier: Lufta kundër korrupsionit është proces afatgjatë

Më: 7 dhjetor 2022 Në ora: 16:39
Jeffrey Hovenier

Në kuadër të javës kundër korrupsionit, të organizuar nga Lëvizja FOL, gjatë adresimit të tij para shoqërisë civile dhe mediave, Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se lufta kundër korrupsionit është proces afatgjatë dhe se nuk mund të përfundojë shpejt.

Ai e ka vënë në theks rolin e shoqërisë civile, mediat dhe sektorin privat, të cilat sipas tij, kanë funksion tejet të rëndësishëm në luftimin e korrupsionit.

Ambasadori amerikan është shprehur se Qeveria e Kosovës duhet të bashkëpunojë me ta, në mënyrë që të jetë edhe më efikase në luftën kundër korrupsionit.

“Lufta kundër korrupsionit nuk është një herë, por është një proces që është afatgjatë dhe kërkon partneritet midis të gjithë hisedarëve, shoqërisë civile, sepse duhet të keni qeverinë, shoqërinë civile, gazetarët, sektorin privat, të gjithë bashkë. Nganjëherë shohim që qeveritë janë skeptike për rolin që shoqëria civile mund ta luajë si partner në luftën kundër korrupsionit, dhe për t’iu kërkuar llogari aktorëve të korruptuar, si dhe për të përforcuar aftësitë e shoqërisë për ekspozimin e veprave të korrupsionit, e shohim këtë anembanë”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur ndryshimet në fushën e drejtësisë që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, për çka ka thënë se SHBA-të janë krenarë për mbështetjen e dhënë.

“Pavarësia e Kosovës ka ndryshuar edhe më shumë, dhe prej pavarësisë së Kosovës e kemi parë një themelimin të institucioneve jetike prej atëherë me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, dhe nganjëherë jeni skeptikë për punën që po e bëjnë këto e di, këto institucione janë të reja, por SHBA është shumë krenare me rolin tonë në mbështetjen e këtyre institucioneve dhe kosovarëve dhe qeverive gjatë viteve, që këto institucione të ngritën në këmbë, të bëjnë punën e tyre, të bëhen me efikase. Është proces afatgjatë, kemi investuar shumë në vetë mbështetjen e këtyre proceseve dhe duhet të them se është edhe e përpjekjeve e Kosovës për kosovarët dhe jemi të kënaqur që mund të mbështesim”, ka thënë Hovenier.

Hovenier ka thënë se SHBA-të do të vazhdojnë t’i mbështesin partnerët e shoqërisë civile në luftën kundër korrupsionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat