Rohde: Zgjedhjet në veri duhet të shtyhen

Aktuale

Rohde: Zgjedhjet në veri duhet të shtyhen

Më: 9 dhjetor 2022 Në ora: 12:21
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde,

Pas incidenteve të fundit në veriun e Kosovës ka reaguar edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili ka kërkuar që zgjedhjet për kryetarë të komunave atje të shtyhet. Rohde ka shpërndarë postimin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ku ai thotë se s’janë kushtet të mbahen zgjedhjet tani.

“Pajtohem me kolegun tim nga Shtetet e Bashkuara se zgjedhjet duhet të shtyhen. Është e qartë se situata aktuale nuk është e favorshme për mbajtjen e tyre tani”, ka shkruar Rohde në Twitter.

Ambasadori i SHBA-së Hovenier ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës.

“Siguria dhe siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të ushtrojnë përmbajtje”, ka shkruar Hovenbier në Twitter.

Ndryshe për shtyrjen e zgjedhjeve në veri ka kërkuar edhe këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet. Ai për Zërin e Amerikës ka thënë se zgjedhjet për pushtetin komunal në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe duhet të shtyhen dhe se për këtë çështje do të diskutojë më udhëheqësit e Kosovës gjatë vizitës së tij në Prishtinë javën që vjen.

“Nuk është koha e duhur për zgjedhje, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e momentit dhe kemi parë dhunë në 24 orët e fundit. Është kohë e tensionuar dhe duam të sigurohemi se ka kushte për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të drejta. Kosova është demokraci shumetnike, sikurse Shtetet e Bashkuara. Ne jemi krenar me punën që Shtetet e Bashkuara kanë bërë në këto 20 e ca vjet për ngritjen e demokracisë në Kosovë dhe duam të punojmë për ta mbështetur dhe ruajtur atë”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat