​Von der Leyen bën thirrje për krijimin e një organi etik evropian pas skandalit të korrupsionit në PE

Aktuale

​Von der Leyen bën thirrje për krijimin e një organi etik evropian pas skandalit të korrupsionit në PE

Më: 12 dhjetor 2022 Në ora: 18:49
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vlerësoi sot se akuzat për korrupsion ndaj zëvendëspresidentes së Parlamentit Evropian Eva Kaili, e arrestuar në Belgjikë, janë “jashtëzakonisht shqetësuese”, dhe se është e nevojshme krijimi i një organi të pavarur etik nën juridiksionin e të cilit do të ishin të gjitha institucionet evropiane.

Von der Leyen tha në një konferencë për shtyp në Bruksel se akuzat ndaj Kaila kërcënojnë besimin e qytetarëve të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në institucionet e përbashkëta dhe se "ky besim kërkon standardet më të larta të ndershmërisë dhe integritetit".

Prokurorët belgë ngritën akuza kundër katër personave fundjavën e kaluar për korrupsion, pjesëmarrje në një grup kriminal dhe pastrim parash, në lidhje me një hetim të madh për tregtimin e ndikimit në Parlamentin Evropian.

Duke qenë se aktivitetet e lobimit në nivel të Bashkimit nuk janë të rregulluara, Von der Leyen propozoi krijimin e një organi të pavarur etik që do të mbulonte jo vetëm aktivitetet e Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian, por edhe Bankës Qendrore Evropiane, Gjykata Evropiane e Drejtësisë dhe Gjykata Evropiane e Audituesve.

“Parimet për të pasur një organ të tillë me rregulla shumë të qarta se çfarë, si dhe kur duhet të kontrollohet dhe çfarë, si dhe kur të publikohet do të ishte një hap i madh përpara”, tha ajo.

Skandali i lobimit ka sjellë tashmë largimin e Eva Kailit nga posti i zëvendëspresidentes së Parlamentit Evropian.

Autoritetet e Unionit nuk e kanë identifikuar ende vendin e Gjirit të dyshuar për ofrimin e ryshfetit dhe dhuratave për zyrtarët e parlamentit në këmbim të favoreve politike, por disa eurodeputetë dhe media belge e kanë lidhur hetimin me Katarin.

Ministria e Jashtme e Katarit mohon çdo përfshirje në këtë rast.

Prokuroria Federale belge njoftoi se kundër katër nga gjashtë personat e arrestuar të premten u ngritën akuza, ndërsa dy persona u shpallën të pafajshëm.

Prokuroria nuk bëri të ditur identitetin e të arrestuarve, por konfirmoi se një eurodeputete u arrestua – pa përmendur se ishte një grua greke, Eva Kaila.

Siç është paralajmëruar, aktakuza bazohet në “pagimin e shumave të mëdha parash ose ofrimin e dhuratave të rëndësishme” për personat në pozita strategjike në Parlamentin Evropian, të cilët kanë ndikim në vendimmarrje.

Në Athinë, zëdhënësi i qeverisë greke Janis Ikonomou tha se çështja Kaili ishte "shumë serioze" dhe ishte "në duart e gjyqësorit belg", por se "krijon një tjetër çarje në besueshmëri dhe besim në institucionet evropiane dhe në Parlamentin Evropian".

Eva Kaili, një ish-prezantuese televizive, u shkarkua nga posti i zëvendëspresidentes së Parlamentit Evropian dhe anëtarësimi i saj në partinë e saj në Greqi dhe socialistët dhe demokratët e Parlamentit Evropian u pezullua pasi bastisjet e policisë sekuestruan rreth 600.000 euro në para, së bashku me pajisje kompjuterike dhe telefona mobilë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat