“Probleme mendore”- Mozzik thyen heshtjen për vetëvrasjen e dajës së tij, ja për çka i akuzon institucionet

Aktuale

“Probleme mendore”- Mozzik thyen heshtjen për vetëvrasjen e dajës së tij, ja për çka i akuzon institucionet

Më: 16 dhjetor 2022 Në ora: 15:30
Mozzik

Reperi Gramoz Aliu, që në opinion njihet edhe si Mozzik, njoftoi se ai dhe familja e tij kanë angazhuar avokat për të zbardhur rastin e vetëvrasjes të dajës së tij në qendrën e paraburgimit në Gjilan.

Mozik në një postim në Facebook, ka shkruar se daja i tij ndodhej në paraburgim për shkak të dhunës në familje, duke theksuar se ai kishte problem mendore për ç’gjë kishte edhe dokumentacion të mjekut, shkruan “Bota sot”.

Këngëtari dhe familja e tij pyesin se si është e mundur të lihet ashtu krejtësisht i vetëm një person i ndaluar për “Dhunë në familje”, për të cilin mirëfilli dihet gjendja mendore e tij?

Postimi i plotë i Gramoz Aliut:

Vdekje në duar të shtetit!

Me datë 13 të këtij muaji rreth orës 12:40, daja im Burim Hetemi – tashmë i ndjerë, në dhomat e qendrës së paraburgimit të Gjilanit, gjeti vdekjen. Rasti tashmë po dyshohet si vetëvrasje.

Arsyeja pse i ndjeri ndodhej në këtë qendër ishte “Dhuna në familje”, e si shkak i veprimit të tillë, kanë qenë problemet e gjendjes mendore me të cilat është ballafaquar – për çfarë është trajtuar në institucionin përkatës të shëndetit mendorë. I ndjeri ka qenë gjithashtu i varur nga substancat narkotike (heroinë) shumë vite më parë dhe ka qenë në trajtim të vazhdueshëm psiko-terapeutik.

Të gjithë këto fakte qenë të njohura për institucionet e shtetit me rastin e mbylljes së tij në paraburgim, ndërsa për familjen ngriten shumë pikëpyetje se si mund të ndodhë një akt i tillë në duar të shtetit?!

1. Si është e mundur të lihet ashtu krejtësisht i vetëm një person i ndaluar për “Dhunë në familje”, për të cilin mirëfilli dihet gjendja mendore e tij?

2. Si është e mundur të lihet vetëm një person për të cilin organet e Policisë kanë pasur në posedim të gjithë dokumentacionin përkatës të trajtimit të tij mendor?

3. Me çfarë mjeti ka kryer vetëvrasjen dhe pse nuk janë marrë masat preventive për t’i pamundësuar një veprim të tillë?

4. Ku ishin zyrtarët kompetent, në kohën e kryerjes së aktit?

5. Edhe sa raste të pakujdesisë e neglizhencës së shtetit për shkak të të cilave humbin jetë duket të ndodhin që të mbushemi mend?

Për zgjidhjen e të gjithë këtyre dilemave që kemi si familje dhe në mënyrë që rasti të merr epilogun e merituar, ashtu që të mos përsëritet në të ardhmen – ne do të angazhojmë zyrën e avokatëve Koci & Vokshi, që të bëjë përfaqësimin ligjor të familjes tonë lidhur me rastin.

U prehsh në paqe i dashur Dajë, e unë të premtoj se do të luftoj që rastet si ky i yti të mos përsëriten më.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat