Policia demanton lajmet se është arrestuar një ish-polic në Mitrovicë të Veriut

Aktuale

Policia demanton lajmet se është arrestuar një ish-polic në Mitrovicë të Veriut

Më: 16 dhjetor 2022 Në ora: 18:19
Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka demantuar lajmet nga mediumet serbe se kinse Policia edhe sot ka arrestuar një person në Mitrovicë të veriut.

Nga PK-ja kanë demantuar edhe lajmet se kinse atje janë penguar punonjësit e elektrodistribucionit për të kryer riparime të një defekti në rrjetin elektrik.

“Përmes këtyre njoftimeve zyrtare kemi për qëllim të mbajmë të informuar opinionin dhe mediat mbi realitetin dhe informatat zyrtare, dhe njëkohësisht të demantojmë spekulimet dhe dezinformatat e disa mediave (kryesisht serbe), të cilat në vazhdimësi në forma të ndryshme përmes spekulimeve dhe informatave jo zyrtare po tentojnë të destabilizojnë edhe më tej situatën si dhe të keq informojnë opinionin e gjerë. Spekulimet e radhës nga mediumet serbe janë se kinse Policia e Kosovës edhe sot ka arrestuar një person (ish policin Z.M,) në Mitrovicë Veri, si dhe kinse Policia e Kosovës, në Veri të vendit ka penguar punonjësit e elektrodistribucionit për të kryer riparime të një defekti në rrjetin elektrik”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin e Policisë thuhet se nuk është penguar asnjë punonjës në asnjë rrethanë, përkundrazi sipas tyre, janë marrë veprime për adresimin dhe sanimin e problemit në rrjetin elektrik.

“Edhe një herë, demantojmë këto spekulime, duke sqaruar se nuk ka informacione zyrtare nga Policia e Kosovës për një arrestim të personit në fjalë, si dhe Policia e Kosovës nuk ka penguar dhe nuk pengon në asnjë rrethanë, asnjë institucion apo punonjës të cilët kryejnë detyrat zyrtare, përkundrazi në rastin konkret janë ndërmarr veprime në bashkëveprim me kompetentët për adresimin dhe sanimin e këtij problemi në rrjetin elektrik”, është bërë e ditur në njoftimin e PK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat