“Besojnë” se do të bëhet por s’e dinë kur, Bosnja s’e ka miratuar ende vendimin për udhëtim pa viza me Kosovën

Aktuale

“Besojnë” se do të bëhet por s’e dinë kur, Bosnja s’e ka miratuar ende vendimin për udhëtim pa viza me Kosovën

Më: 23 dhjetor 2022 Në ora: 11:40
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Anëtari i Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Zheljko Komshiç

Në kuadër të Procesit të Berlinit, njëra nga marrëveshjet e arritura në nëntor të këtij viti përcaktonte se të gjithë qytetarët e gjashtë vendeve të Ballaknit Perëndimor do të mund të udhëtojnë pa regjim vizash. Vetëm letërnjoftimet do të mjaftonin.

Kosova dhe Bosnja-Hercegovina janë të vetmet dy shtete që s’gëzojnë udhëtim të lirë të ndërsjellë, andaj edhe marrëveshja i referohej atyre specifikisht. Bosnje-Hercegovina mirëmban regjim më strikt se sa vetë Serbia kur është puna te udhëtimi i lirë i qytetarëve të Kosovës.

Kjo ngurtësi, buronte (dhe vazhdon të burojë) për pasojë të qëndrimeve rreptëssht mosnjohëse ndaj Kosovës nga entiteti etno-territorial serb i BeH-së, “Republika Srpska”. Krerët politik të kësaj të fundes, madje kanë mohuar se do të lejojnë një marrëveshje të tillë të kalojë.

Media ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bosnje-Hercegovinës, për t’i pyetur se pse, ndonëse marrëveshja është nënshkruar, ky udhëtim i lirë i proklamuar nuk është realizuar.

“S’mund të jap opinione dhe komente për këtë, por për aq sa mund t’ju them është se marrëveshja është nënshkruar si pjesë e Procesit të Berlinit dhe ne do të vazhdojmë me procedurat në lidhje me miratimin e traktateve multilaterale, marrëveshjeve ndërkombëtare”.

Kështu na tha një zëdhënës i Ministrisë  së Jashtme të Bosnje-Hercegovinës.

Pyetur nga reporteri rreth deklaratave që vinë nga entiteti serb se kjo gjë “nuk do të realizohet”, zëdhënësi bën të qartë se një vendim i tillë “nuk u takon  atyre”.

“Jo, kjo s’është ashtu. Marrëveshja duhet të kalojë në Asamlenë Parlamentare të Bosnje-Hercegovinës e jo në nivelin entitar të Republika Srpska-s”.

Por, për t’u finalizuar ky zotim i ndërmarrë në kuadër të Procesit të Berlinit, nga ministria e jashtme thonë se ajo duhet të ratifikohet si marrëveshje ndërkombëtare në Asamblenë Parlamentare.

Një gjë tjetër që Ministria e Jashtme e BeH-së nuk mund ta thotë me siguri është se sa kohë kjo do të merrë. Kjo, sipas tyre, do të varet në vijim nga sa vullnet politik do të ketë nga politikanët atje.

“Fatkeqësisht s’mund t’ju jap përgjigje për këtë. Kjo varet nga vullneti politik. Nëse ka vullnet politik, atëherë nuk besoj që kjo do të merrte më shumë se disa muaj kohë. Por, përsëri, kjo varet nga një numër faktorësh të ndryshëm”.

Pyetur se a janë optimistë që kjo marrëveshje “do të kalojë”, ata shprehen se “besojnë se do të ratifikohet”.

“Fatkeqësisht gjërat mbesin siç kanë qenë më parë nëse kjo marrëveshje nuk ratifikohet”, shpjegon zëdhënësi.

Por, vazhdon ai, “Besoj se eventualisht do të kalojë në Asamblenë tonë kombëtare dhe legjislacionin kombëtar”.

Para disa javëve, Policia Kufitare e Bosnje-Hercegovinës doli me një deklaratë ku mohoi se shtetas të Kosovës mund të hyjnë në BeH pa u pajisur fillimisht me vizë udhëtimi.

“Sipas vendimit për viza, i cili përcakton se qytetarët që kanë dokumente udhëtimi me shënimin “Republika e Kosovës”, janë të obliguar që fillimisht të pajisen me vizë për Bosnjë dhe Hercegovinë, e cila nuk është e shënuar në dokumentin e udhëtimit por lëshohet në një të veçantë”.

“Forma dhe sipas procedurës së veçantë, duke marrë parasysh sa më sipër, ju njoftojmë se qytetarët nga territori i Kosovës nuk mund të përdorin letërnjoftime gjatë kalimit të kufirit shtetëror të Bosnje-Hercegovinës”, pati thënë Franka Vican Boshkoviq, zëdhënëse e Policisë Kufitare në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, e cila kishte qenë e para ta artikulonte rëndësinë e një marrëveshje të tillë, i gëzohej udhëtimit të ndërsjellë mes qytetarëve të dy shtetit.

“Kjo do të thotë që të rinj kosovarë dhe boshnjakë do të vizitojnë njëri-tjetrin pa viza, gjë që për ne evropianët është e zakonshme”, thoshte ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat