Serbisë i pengon edhe zëvëndësimi i policëve të Kosovës në veri

Aktuale

Serbisë i pengon edhe zëvëndësimi i policëve të Kosovës në veri

Më: 25 dhjetor 2022 Në ora: 13:56
Foto ilustrim

Pas dy javë bllokimi në veri të vendit, shkaku i barrikadave të vendosura nga serbët lokalë, pjesëtarët e Policisë së Kosovës që mbetën në Leposaviq, janë zëvëndësuar me të tjerë.

Kjo është bërë të shtunën në mbrëmje. Lajmin e konfirmoi Imer Zeqiri nga Sindikata e Policisë së Kosovës, sipas të cilit, në përgjithësi gjendja shëndetësore e tyre është e mirë.

Për gjithë këto ditë, policët e mbetur në veri, kanë konsumuar ushqim  të konservuar dhe nuk kanë pasur mundësi të pastrohen apo të ndërrojnë rrobat.

Sidoqoftë, zëvëndësimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, nuk u ka pëlqyer zyrtarëve të shtetit të Serbisë.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka thënë se Policia e Kosovës ka hyrë mbrëmë në Leposaviq dhe me ndihmën e KFOR-it ka ndërruar personelin në stacionin policor të Leposaviqit.

Ai ka deklaruar për mediat serbe se të dielen në mëngjes, ka marrë informatën se “një pjesë e policisë speciale është transferuar nga baza e Ferizajt për në Mitrovicë”.

Sipas tij, bëhet fjalë për një grup prej 35 policësh.

“Zëvëndësimi nuk është një fakt që është i këndshëm për ne, por duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë”, tha Vuçeviq, raporton RTKlive.

Përndryshe, rrugët magjistrale Mitrovicë-Jarinjë dhe Mitrovicë-Bërnjak, vazhdojnë të mbesin të bllokuara nga barrikadat e vendosura nga serbët, që kundërshtojnë arrestimin e ish policit Dejan Pantiq.

Ky i fundit dyshohet për demolim të zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut dhe hedhjen e shok -bombave.

Ndërkohë, një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti deklaroi se bllokimi i rrugëve të veri të vendit do të marrë zgjidhje pas festës së Krishtlindjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat