Heqja e barrikadave me diplomaci apo me polici, flasin analistët

Aktuale

Heqja e barrikadave me diplomaci apo me polici, flasin analistët

Më: 27 dhjetor 2022 Në ora: 12:46
Barrikadat në veri

Nga 10 dhjetori pikat kufitare në Jarinjë dhe Bernjak janë të barikaduara, ndërkaq, mëngjesin e sotëm serbët lokal kanë vendosur barrikada edhe te shkolla teknike afër Lagjes së Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut ndërsa tjetra është vendosur te vendi i njohur si “Kërshi i Dudit” në Zveçan.

Ekspertet e sigurisë dhe njohës të rrethanave politike në vend vlerësojnë se duhet të intervenohet me urgjencë për shkak të përshkallëzimit të mëtejmë të situatës.

Dy barrikada të reja janë vendosur në veri. Njëra barrikadë është vendosur te shkolla teknike afër Lagjes së Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut ndërsa tjetra është vendosur te vendi i njohur si “Kërshi i Dudit” në Zveçan. Sipas ekspertit të sigurisë, Nuredin Ibishi, pas vendosjes së këtyre barrikadave duhet të intervenohet me urgjencë, pasi sipas tij situata po përshkallëzohet edhe më shumë.

“Situata është mjaftë e tensionuar, në kuptim të asaj se nuk po bllokohet vetëm pjesa veriore por janë bllokuar edhe pjesë mulitietnike, që lidhin pjesë të Zveçanit me pjesë të tjera. Kështu që kjo tregon një përshkallëzim të situatës, dhe duhet të intervenohet shpejtë”, ka theksuar Ibishi për Radio Kosovën.

Ibishi, madje tha se nëse KFOR nuk intervenon atëherë këtë duhet ta bëj Policia e Kosovës.

Ndërkohë, analisti politik, Artan Muhaxhiri ka thënë se aktualisht nuk ka shenja që këto barrikada do të largohen shpejt, sipas tij rruga e vetëm për largimin e tyre është ajo diplomatike.

“Intervenimi policor mund të sjellë probleme edhe me të mëdha, mund të sjellë edhe viktima, prandaj rruga e vetme është rruga diplomatike dhe koordinimi i të gjithë faktorëve të përfshirë në këtë kontest”, ka deklaruar Muhaxhiri.

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se institucionet e Kosovës do t’i heqin barrikadat në veri të vendit, nëse KFOR-i nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Në një intervistë për mediumin boshnjak “O Kanal”, Kurti ka theksuar se ka ardhur koha që KFOR-i ta dëshmojë veten për çështjen e lirisë së lëvizjes, duke shtuar se i vjen keq që KFOR-i po e shtyn heqjen e barrikadave. Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka bërë thirrje të hiqen barrikadat në veri të Kosovës. BE-ja ka thënë se liria e lëvizjes në Kosovë duhet të kthehet menjëherë dhe pa kushte e të garantohet “liri e plotë dhe e papenguar e lëvizjes për të gjithë qytetarët dhe komunitetet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat