Analistët: Serbia me lojëra banale e populiste me njohjet e Kosovës

Aktuale

Analistët: Serbia me lojëra banale e populiste me njohjet e Kosovës

Më: 6 janar 2023 Në ora: 11:37
Foto ilustrim

Pas deklaratave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, se nëntë vende kanë tërhequr njohjen e Kosovës, njohësit e çështjeve politike, i quajnë ato si një lojë populiste e banale, që nuk ka asnjë efekt. Ndërsa, kritikojnë  Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, që nuk ka pasur asnjë strategji të mirëfilltë për të rritur numrin e njohjeve nga shtetet që kanë ndikim ekonomik e politik.

Në Kosovë ka pasur reagime nga njohësit e çështjeve politike për deklaratat e fundit të presidentit serb Vuçiq, se nëntë shtete kanë tërhequr njohjen e Kosovës. Profesori i Diplomacisë në Universitetin e Parisit, Valon Murtezaj, tha për Radio Kosovën se presidenti serb është treguar destruktiv në relacion me Kosovën dhe se nuk janë befasi angazhimet e tij në këtë aspekt.

 “Lajmet e fundit që herë mund të jenë të besueshme e herë të pabesueshme hyjnë në këtë kuadër të angazhimeve desktruktive të Serbisë. Ajo çfarë është e rëndësishme është se Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme e institucionet e tjera, duhet të angazhohen vazhdimisht e të jenë në komunikim me secilin shtet nëpër botë, sidomos me vendet që e kanë njohur Kosovën, sepse njohja e një shteti nuk është akt momental, por marrëdhëniet duhet të konsolidohen e të kultivohen. Në këtë aspekt, Kosova duhet të jetë shumë e kujdesshme që të mirëmbajë marrëdhëniet dhe të komunikojë në mënyrë të vazhdueshme dhe pastaj të ofrojë bashkëpunim me vendet që kanë nevojë për projektet që vijnë nga jashtë”, thotë Murtezaj.

Profesor Murtezaj, theksoi se Kosova nuk ka treguar se ka një strategji të mirëfilltë në fushën e politikës së jashtme për të parandaluar ndikimin e Serbisë, që ka shkaktuar pengesa në forcimin e shtetësisë së Kosovës, si në njohje të reja dhe anëtarësime në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Ndërkohë, analisti Artan Muhaxhiri, deklaratat e Vuçiqit i quajti si një lojë krejtësisht naive, populiste e banale, të cilat nuk kanë asnjë efekt aty ku duhet. Ai tha për Radio Kosovën se shtetet që ka përmendur Vuçiq, nuk kanë ndikim dhe peshë të madhe politike.

 “Ka qenë gabim i madh që Kosova ka investuar në njohje të kësaj natyre dhe tani edhe Serbia po bën gabim të madh që me tërheqjen e tyre po mundohet të dëshmojë një trend të kundërt. Pra, është një lojë krejtësisht naive, populiste e banale, e cila nuk ka asnjë efekt aty ku duhet, pra në qendrat e vendimmarrjes, por është vetëm për konsum të brendshëm meidal dhe për t’iu bërë qefin simpatizantëve partiakë”, tha Muhaxhiri.

Edhe Muhaxhiri kritikoi Ministrinë e Jashtme, për mungesë të strategjisë për njohje nga shtete të rëndësishme dhe për tu anëtarësuar në organizata ndërkombëtare. Sipas tij, ka pasur një neglizhencë në këtë aspekt, derisa shtoi se Kosova duhet të fokusohet në arritjen e njohjeve nga vendet të cilat kanë ndikim politik e ekonomik, sepse kjo është mënyra e vetme për ta fituar betejën me Serbinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat