Tahiri ka një porosi për kryeministrin, lidhet me vlerën e koeficientit të pagave

Aktuale

Tahiri ka një porosi për kryeministrin, lidhet me vlerën e koeficientit të pagave

Më: 7 janar 2023 Në ora: 13:32
Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konsideron se Ligji i Pagave mund të shpëtojë nga kontestimi i Kushtetueses vetëm me vlerën e koeficientit prej 129 euro. Sipas kësaj partie, kjo vlerë po mbahet e fshehtë dhe 80 mijë shërbyes publik nuk dinë ende për pagat e tyre. Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri e konsideron të papranueshme mos-përcaktimin e vlerës së koeficientit. 

Në konferencën e sotme për media, Tahiri tha se askush nuk e dinë pagën me këtë ligj. 

Tahiri: Është e papranueshme që 80 mijë shërbyes publik të jenë në ethe 

"Kaloi edhe një javë, edhe një mbledhje e qeverisë pasi që Ligji për Pagat është nënshkruar nga presidentja e vendit dhe ende vazhdon të trajtohet në mënyrën më të fshehtë, sekrete dhe jo transparente vlera e koeficientit. Është e papranueshme që 80 mijë shërbyes publik të këtij vendi tash e dy vjet, të jenë në ethe dhe të mos e dinë pagën e tyre, rrogën e tyre, duke e ditur se ekziston një ligj. Është e papranueshme që të mos përcaktohet vlera e koeficientit kur ligji është në fuqi dhe është i nënshkruar nga presidentja", tha ai.

Ai u pyet edhe për vlerën e përmendur prej 120 euro, për çka tha se deri më tani nuk e kanë kontestuar këtë ligj meqë nuk e kanë ditur vlerën e koeficientit. 

Tahiri: Kontestimi veçse ka filluar

"A është qëllimi edhe qe më tutje që ky ligj të vazhgitet, të shtyhet dhe të përdoret si instrument shantazhues apo çka? Ka pasur dilema se a duhet të kalojë apo jo, është trajtuar diskutimi i parë, diskutimi i dytë, është miratuar në dy leximi. Si ka logjikë për gjashtë muaj të mos kalkulohet kur dihet se sa është buxheti, kur dihet sa është numri i koeficienteve dhe renditja e tyre dhe del kryeministri të mashtrojë 80 mijë njerëz dhe krejt qytetarët e Kosovës duke thënë se jemi duke e kalkuluar. Kush mendon që i beson këtij tregimi? Askush. Në qoftë se qëllimi i qeverisë edhe atëherë edhe tash ka qenë që ky ligj të kontestohet nga Gjykata Kushtetuese dhe kurrë mos të hinë në zbatim, atëherë është mirë të na thonë kështu. Përndryshe kontestimi veçse ka filluar”, u shpreh Tahiri. 

Sipas tij, AAK nuk e ka qëllim që ky ligj të rrëzohet, ku shtoi se vlera prej 129 euro e shpëton ligjin. Tahiri është i bindur për kontestimin edhe në disa nene të tjera. 

Tahiri: Ky ligj shpëtohet nga kontestimi në Gjykatë Kushtetuese me vlerën e koeficientit duhet prej 129 euro

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka një porosi për kryeministrin dhe qeverinë: në mënyrë që ky ligj të shpëtohet nga kontestimi në Gjykatë Kushtetuese, vlera e koeficientit duhet të jetë 129 euro, në mënyrë që të mos ketë rënie drastike të pagave dhe elementi i parikueshmërisë në bazë të rritjes që mund të shkoj vit për vit ta përmbledh. Kjo e ka një përjashtim, përjashtimi është tek gjykatësit dhe prokurorët, sepse për gjykatësit dhe prokurorët ekziston një vendim i gjykatës që kurdo që të kontestohet ata do të kthehen në pagat që i kanë pasur ", deklaroi ai.

Tahiri pati kritika për qeverinë edhe për qasjen në veri, shëndetësi e sektorë tjerë, për çka tha se po prodhon kriza./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat