Përfundon takimi i Kurtit me Këshilltarin Special amerikan, këto janë detajet e fundit

Aktuale

Përfundon takimi i Kurtit me Këshilltarin Special amerikan, këto janë detajet e fundit

Më: 11 janar 2023 Në ora: 06:58 Përditësuar në ora: 18:50 më 11.01.2023
Derek Chollet duke dalë nga Qeveria

​Kurti pas takimit me Chollet: Diskutuam për normalizimit të plotë të marrëdhënieve Kosovë- Serbi me njohjen reciproke në qendër

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka takuar Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili sot po qëndron në Kosovë në kuadër vizitës së tij në rajon.

“Përgjatë takimit, kryeministri Kurti e njoftoi z.Chollet me punën dhe arritjet e qeverisë në vitin që sapo lamë pas. Ai ndau me të indikatorët më të fundit ekonomikë dhe demokratikë në vend, dhe nënvizoi qëllimet e përbashkëta për zhvillim dhe demokratizim. Kryeministri Kurti e falënderoi Këshilltarin e Lartë, Chollet për vizitën, komunikimin e vazhdueshëm dhe për angazhimin e tij. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partner dhe aleat i domosdoshëm i Republikës së Kosovës, u shpreh kryeministri Kurti, teksa vuri theksin te synimet e vendit për partneritet edhe më të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe integrim në NATO”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Në njoftim thuhet se u diskutua edhe për procesin e dialogut, planin Evropian dhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. U theksua nevoja për angazhim aktiv dhe konstruktiv në dialog dhe për intensifikim të përpjekjeve drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër.

“Në takim z. Chollet ishte i shoqëruar nga dërguari i posaçëm amerikan, Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Mbrojtës për Politika Evropiane dhe NATO, Spencer Boyer, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, Shefja e Stafit të Këshilltarit Chollet, Laura Updegrove, Ndihmësja e posaçme e Këshilltarit, Dr. Florence Akinyemi dhe Këshilltarja e Politike dhe Ekonomike në Ambasadën amerikane në Kosovë, Ralan Hill. Kurse Kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, Ushtruesja e Detyrës së Kryesueses së Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mimoza Kusari Lila, Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, Këshilltari Politik i Kryeministrit, Jeton Zulfaj dhe Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu”, thuhet në njoftim.

Chollet s’deklarohet për media as pas takimit me Kurtin

Këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet u largua nga ndërtesa e qeverisë pa dhënë ndonjë deklaratë për media.

Ai zhvilloi takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ndërsa ishte i shoqëruar edhe nga Përfaqësuesi Special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Chollet, sot takoi edhe presidenten e vendit, Vjosa Osmanin.

Siç ka njoftuar DASH, me krerët e institucioneve në Kosovë, Chollet pritet të bisedojë për integrimin euroatlanik përfshirë arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve me Serbinë, bazuar në njohje reciproke.

Pas Kosovës, këshilltari amerikan pritet të vizitojë edhe Serbinë.

Përfundon takimi me Osmanin, Chollet i shkon në zyrë Kurtit

Ka përfunduar takimi i presidentes Osmani me këshilltarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Pas takimit me Osmanin, Chollet është drejtuar për tek zyra e Kryeministrit, Albin Kurti me të cilin po ashtu pritet të zhvillojë takim.

Përpos me krerët e shtetit, zyrtari i lartë amerikan do të takojë edhe krerët opozitarë.

Masditen e sotme, Chollet do të takojë krerët e opozitës – Memli Krasniqin e PDK’së, Lumir Abdixhikun e LDK’së dhe Ramush Haradinajn e AAK’së.

Chollet, opozitën do ta takojë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, ku nikoqir do të jetë edhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier. Aty do të marrë pjesë edhe emisari i ShBA’së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Chollet arrin në Kosovë, pritet nga Osmani

Këshilltarin Special Derek Chollet ka arritur në Kosovë.

Ai është pritur nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në Presidencë.

Chollet u shoqërua nga emisari amerikan, Gabriel Escobar, si dhe ambasadori Jeff Hovenier.

Në fillim të takimit, mediat janë lejuar të marrin vetëm pamje.

Chollet më pas do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti nga ora 14:30.

Ky është roli i Këshilltarit Special amerikan që sot qëndron në Kosovë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë dërguar në rajon Këshilltarin Special Derek Chollet, i cili të mërkurën po qëndron në Kosovë. Chollet do të ketë takime të ndara me Presidenten Osmani, Kryeministrin Kurti dhe krerët e opozitës. Por, cili është roli i këtij diplomati amerikan?

Sipas shpjegimeve në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit është zyrtar i nivelit të nënsekretarit që shërben si këshilltar i Sekretarit për çështje specifike.

“Këshilltari i Departamentit është një oficer kryesor i nivelit të nënsekretarit, i cili i shërben Sekretarit si këshilltar dhe konsulent i posaçëm për problemet kryesore të politikës së jashtme dhe i cili u jep udhëzime zyrave përkatëse në lidhje me çështje të tilla. Këshilltari kryen negociata dhe konsultime të veçanta ndërkombëtare, si dhe merr detyra të veçanta herë pas here, sipas udhëzimeve të Sekretarit”, thuhet në përshkrimin e punës të Këshilltarit Special.

Chollet muajve të fundit ka realizuar disa telefonata me Kryeministrin Kurti ndërsa një herë e ka pritur edhe në SHBA.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, të shtunën që shkoi, foli për takimin me Chollet në Beograd. Diplomati amerikan në kryeqytetin serb do të qëndrojë nesër.

Vuçiq, në stilin e tij, e ka prezantuar Chollet si njeri të rëndësishëm me të cilin do të diskutojë për tema me rëndësi.

Pastaj, është marrë pak edhe me profilin e tij – me gjasë duke i ngatërruar pak gjërat.

“Atij nuk ka kush i jep urdhëra në Departametin e Shtetit, ndoshta vetëm Jack Sullivan (këshilltari kryesor i Joe Biden). Bëhet fjalë për një njeri shumë të rëndësishëm”.

Ndryshe, përvec Kurtit e Osmanit, Chollet do të ketë takime edhe me opozitë. Bashkë me emisarin Gabriel Escobar dhe ambasadorin Jeff Hovenier do t’i takojë kreun e PDK’së Memli Krasniqi, kreun e LDK’së Lumir Abdixhiku dhe kreun e AAK’së Ramush Haradinaj.

Chollet vjen në Kosovë e Serbi pas tensioneve të fundit në veri dhe në kulmin e përpjekjeve që janë duke bërë SHBA dhe BE për të arritur një marrëveshje mes dy vendeve mbi bazën e planit franko-gjerman.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat