​Qytetarët kujtojnë viktimat e Reçakut: Kriminelët serbë të vihen para drejtësisë

Aktuale

​Qytetarët kujtojnë viktimat e Reçakut: Kriminelët serbë të vihen para drejtësisë

Më: 15 janar 2023 Në ora: 13:45
Pamje nga vendi i ngjarjes

Qytetarë nga të gjitha trevat kanë përkujtuar 24-vjetorin e masakrës në Reçak. Ata kanë vendosur kurora lulesh pranë varreve të 45 të vrarëve dhe të masakruarave nga forcat policore serbe. Nga Kompleksi memorial në Reçak ata kanë bërë thirrje për drejtësi dhe kanë kërkuar nga institucionet që të punojnë në këtë drejtim.

Ismet Emini, qytetar i cili ka edhe vëllain dëshmor, tha se vjen çdo vit për t'i nderuar gjithë ata që vinë e i vizitojnë këto varre.

Emini: Nderojmë të vrarët

"E kam edhe një vëlla këtu dëshmor dhe e kam mbuluar këtu në masakër. Vijmë t'i nderojmë këta por edhe ata që vijnë të na vizitojnë kemi dëshirë t'i nderojmë, sepse vijmë e na lehtësojnë dhimbjet tona", tha ai.

Emini ka kërkuar nga institucionet të bëjnë më shumë për të sjellë drejtësi për të gjithë ata që humbën jetën në Reçak dhe ne masakrat e tjera në të gjithë vendin.

Emini: Institucionet tona duhet bërë pak më shumë

"Institucionet tona duhet bërë pak më shumë por ju është pështjellur lëmshi dhe nuk po munden të gjejnë fillin, dhe pa ia nis prej këtyre nuk mund ta zhvillojnë, sepse prej këtu niset e mbara për t'i dalë në krye. Por në çdo vend po e lënë bisht partive tjera dhe tash na kanë lënë në baltë të gjithë", shtoi Emini.

Jetish Hasani, qytetar nga Komuna e Vitisë, këtë masakër ka quajtur të rëndë. Ai tha se është e papranueshme që ata që luftuan për liri janë në burgje kurse kriminelët serbë janë në liri.

Hasani: E papranueshme që nuk është burgosur askush

"Sot këtu për 15 janar kemi ardhur t'i përkujtojmë dëshmorët e fshatit e martirët, ku është bërë një masakër e pashembullt e kjo masakër këtu në Reçak i dha jehonë gjithë botës duke falënderuar ambasadorin Ëalker. Po të mos ishte ai, ndoshta do të kishte mbetur mister sikurse shumë masakra të tjera por ai e zbuloi dhe e njoftoi botën. Mua më vjen keq kur njerëzit tanë rrinë në burgje pa e ditë përse, kurse për këto masakra që ka bërë regjimi serb nuk burgoset askush”, tha Hasani.

Duke kërkuar më shumë punë institucionale, Hasani tha bën fajtor edhe disa shtete që përkëdhelin Serbinë.

Hasani: Disa shtete evropiane e shpërblejnë agresorin

"Vijmë çdo vit për ta ndarë këtë dhimbje me të gjithë... Dhe institucionet tona ka qenë dashtë të punojnë më shumë, dhe mos ta lënë neglizhencë kështu me vite, mirëpo më shumë e fajësoj edhe Evropën, sepse e di shumë mirë çfarë ka bërë Serbia dhe sot nuk i pranon të gjitha. E sot përkundrazi disa shtete shikojnë vetëm ta shpërblejnë agresorin e ta dënojnë viktimën", shton Hasani.

Shehremet Sejdiu, prind i katër dëshmorëve nga fshati Qirez, tha se Kosova gjithmonë ka vuajtur nga shteti serb.

Sejdiu: Gjithmonë kemi vuajtur

"Kemi shpreh dëshirë të vijmë sepse kemi ndjerë dhimbje e edhe unë i kam përjetuar këto, kam ardhur t'i shoh e të mundohemi ta pajtojmë një zemër... Ne gjithmonë kemi vuajtur, gjithmonë i pafajshmi e vuan", tha Sejdiu.

Ahmet Grajqevci, kryetar i Këshillit Koordinues për hulumtimin e personave të zhdukur dhe krimet e Luftës, tha se krimi që është bërë këtu ka emër dhe mbiemër.

Grajqevci: Serbia e ka organizuar këtë krim

"Vend që e ka sensibilizuar tërë botën për krimin dhe gjenocidin serb që është bërë në Kosovë dhe ky krim e gjenocid është bërë në mënyrë komanduese nga strukturat e shtetit serb dhe krimi që është bërë këtu ka emër dhe mbiemër. Ata që e bëjnë krimin kanë emrin dhe mbiemrin, njëjtë dhe krimineli e shteti siç është Serbia, pra krim i paraparë. Ky është njëri prej krimeve, sepse në Kosovë ka krime e masakra të mëdha... Nuk duhet befasuar prej shtetit serb, sepse është ai shtet që i gradon kriminelët dhe njerëzit të cilët dëshirojnë të japin të dhëna e shënime rreth krimeve të luftës... por sidoqoftë prej atij shteti nuk pres më mirë", shton Grajqevci.

Në Kompleksin memorial në Reçak gjatë së dielës kanë bërë homazhe edhe liderë politikë e institucionalë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat