Përplasje në Kuvend, PDK-ja vendos pankartë me porosinë për Kurtin

Aktuale

Përplasje në Kuvend, PDK-ja vendos pankartë me porosinë për Kurtin

Më: 18 janar 2023 Në ora: 07:42 Përditësuar në ora: 17:56 më 18.01.2023
Kastrati ka vendosur një pankartë me porosinë për Kurtin

​Nuk kalon rezoluta e PDK-së për gjendjen në sektorin e shëndetësisë

Në seancën e sotme ku po shqyrtohen pikat e mbetura nga seancat e vitit të kaluar nuk ka kaluar propozim-rezoluta për gjendjen në sektorin e shëndetësisë.

Kjo rezolutë ishte e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Pro kësaj rezolute votuan 12 deputetë.

Kjo rezolutë nuk e mori mbështetjen e mazhorancës

​Në mungesë të kuorumit nuk kalon as raporti me rekomandime për zbatimin e Ligjit për Noterinë

Në mungesë të kuorumit në Kuvendin e Kosovës nuk ka kaluar as raporti rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Noterinë. Kjo pikë është bartur për seancën e re.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili është edhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Adnan Rrustemi tha se është rekomanduar që ministrja e Drejtësisë bashkë me Odën e Noterëve të rishikojnë ligjin aktual.

Rrustemi: Ligji për Noterët të rishikohet

“Si rrjedhojë e intervistimit dhe ballafaqimit me sfidat dhe problemet grupi punues ka nxjerr këto rekomandime: Ministrja e Drejtësisë bashkë me Odën e Noterëve të Kosovës të rishikoj ligjin aktual me qëllim që ai të ndryshohet në përputhje me rekomandimet e bëra në këtë raport veçanërisht me procedurat e pranimit dhe procedurat disiplinore dhe sanksionet. Është e domosdoshme që sa më shpejt që të jetë e mundur të përfshihet një nen që lidhet posaçërisht me konfliktin e interesit në mungesë të një neni i tillë noterët nuk kanë asnjë detyrim ligjor që të mos i kryejnë rastet e tyre në rast se ekziston ndonjë konflikt i mundshëm ose real i interesave”, tha ai.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa u shpreh se në shumë komuna ka mungesë të noterëve dhe plotësim ndryshimi i ligjit për noterë që është bërë me inicim të mazhorancës vetëm sa e ka forcuar mundësinë për monopol.

Beqa: Kemi shumë komuna të cilat nuk kanë noterë fare

“Si Republikë e Kosovës jemi ndoshta edhe pse procesi i noterëve ka fillin e vetë që nga viti 2011 konsideroj se plotësimi i ligjeve që ka ndodhur në 2018 që nga 20 mijë banor të jetë 1 noter kemi zbritur në 10 mijë banorë mendoj se ka qenë në koordinimin edhe me kërkesat e qytetarëve të Kosovës, por fatkeqësisht ne nuk kemi arritur si shtet ta zbatojmë një ligj të tillë, mund ta themi me sinqeritetin më të lartë se kemi shumë komuna të cilat nuk kanë noterë fare komuna e Skenderajt nuk ka noterë kemi problem edhe me komunat tjera. Një plotësim ndryshim që është marr në Kuvend I iniciuar nga deputetët e mazhorancës vetëm sa ia ka forcuar mundësinë e monopolit ministres që t’i caktoj noterët nga një noterë nga një komunë në tjetrën dhe unë mendoj se një veprim i tillë ka krijuar një pasiguri juridike dhe kemi parë që njëri nga rekomandimet që konkursi që ka qenë në procese gjyqësore dhe nuk është zbatuar nga MD ato vendime të gjykatave ka pas rekomandim që MD të hap konkurs për kandidatët për noterë të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Në mungesë të kuorumit, dy raporte nuk kalojnë

Në mungesë të kuorumit për vendimmarrje, sot në Kuvend përsëri nuk kaloi Raportit vjetor i Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2021.

Kjo pikë u bart për seancën e radhës.

Po ashtu, gjatë kësaj seance, ku po shqyrtohen pikat e mbetura nga seancat e vitit të kaluar, nuk kaloi as Raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2021.

Partitë opozitare PDK dhe LDK nuk e përkrahën këtë raport.

Kalon në 2023 raporti i Avokatit të Popullit për vitin... 2021!

Kuvendi i Kosovës votoi raportin vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2021 në seancën e parë të sesionit pranveror për vitin 2023. Me këtë rast, Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se edhe përgjatë viti raportues ka qenë shqetësues mosrespektimi i të drejtave të njeriut sidomos nga gjyqësori për shkak të zvarritjes së procedurave gjyqësore.

Qelaj: Ka vazhduar të jetë shqetësues mosrespektimi i të drejtave të njeriut

“Ka vazhduar të jetë shqetësues mos respektimi i të drejtave të njeriut në këto fusha të drejtën për jetë dhe masave të pamjaftueshme të autoriteteve publike për parandalimin e dhunës ndaj gruas, të drejtën për gjykim të drejtë për shkak të zvarritjes së procedurave gjyqësore të drejtës për mbrojtje nga diskriminimi sa i përket trajtimit të pabarabartë të qytetarëve, të drejtën në pronë sa I përket grave në trashëgimit dhe ndarje të pasurisë dhe në të drejtën për qasje dhe mjet juridik.. Në nga problemet më themelore në kuptim të të drejtave fondamentale vazhdon të jetë qasje në drejtësi dhe e drejta në gjykim të drejtë kjo për shkak të zvarritjes së procedurave gjyqësore , mungesës së një sistemi efektiv të mjeteve juridike”, tha ai.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se gjatë vitit 2021 ka qenë shqetësues edhe niveli i ulët i zbatimit të rekomandimeve që dalin nga ky institucion nga autoritetet publike.

Qelaj: Mbetet shqetësues niveli i ulët i zbatimit të rekomandimeve nga Avokati i Popullit

“Në këtë vit institucioni i Avokatit të Popullit ka pranuar 1612 ankesa nga qytetarët ndërsa ka hapur 45 raste për hetim sipas detyrës zyrtare. Nga rastet e hetuara dhe të adresuara në këtë vit janë adresuar 157 rekomandime për autoritetet publike, në vitin 2021 kemi pas rritje të konsiderueshme të zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga autoritetet shtetërore karshi një viti paraprak ka arritur 25% sa ishte 90% në vitin 2020, dhe përkundër kësaj rritja e rekomandimeve vazhdon të mbetet shqetësues niveli i ulët i zbatimit të rekomandimeve nga Avokati i Popullit nga autoritetet publike”, tha Qelaj.

Sa i takon respektimit të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, Avokati i Popullit tha se autoritetet publike nuk kanë mundësuar qasje dhe lirinë e lëvizjes për këta persona.

Qelaj: Autoritetet publike nuk kanë mundësuar qasje për personat me aftësi të kufizuara

“Një nga çështjet më serioze të diskriminimit është pamundësia e autoriteteve publike për t’ju mundësuar personave me aftësi të kufizuara qasje dhe lirinë e lëvizjes, të drejtës së tyre për privatësi, të drejtës së tyre për mjedis të siguritë dhe shëndetshëm dhe shumë aspekte të tjera që lidhet me këtë kategori të qytetarëve. Kemi konstatuar se nuk janë duke u respektuar kriteret sipas udhëzimit administrative për kushtet teknike të objekteve ndërtimore për qasje të personave me aftësi të kufizuara”, tha ai.

Qelaj foli edhe për vizitën që kishte zhvilluar në Hagë gjatë vitit 2021 ku kishte vizituar të paraburgosurit që po mbahen atje.

Ai tha se tejzgjatja e paraburgimit, mungesa e mbikëqyrjes në një mjeti efikas juridik, vonesat në redaktime janë disa nga shqetësimet e ish-krerëve të UÇK-së që po vazhdojnë të mbahen në Hagë nga Dhomat e Specializuara.

Qelaj: Të paraburgosurit në Hagë kanë shprehur shqetësimet për mosrespektim të parimit të barazisë

“Shqetësimet që janë ngritur nga të paraburgosurit lidhur me mosrespektimin e parimit të barazisë gjatë procesit gjyqësor pastaj, kohëzgjatja apo tejzgjatja e paraburgimit, mungesa e mbikëqyrjes në një mjet efikas juridik duke aluduar se Gjykata funksionin si një strukturë dhe nuk ka shkallëzim të shprehur për shqyrtim efikas të mjeteve juridike, vonesa në përkthim në gjuhën shqipe të proces verbaleve të seancave gjyqësore redaktimin e aktakuzës dhe materialeve të tjera që ua mohohen të drejtat që të kenë në kohë të gjitha provat dhe informatat në gjuhën që ata i kuptojnë“, theksoi ai.

Po në këtë seancë Ahmet Imami është përzgjedhur anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ndërsa për të zgjedhur anëtarin tjetër nuk ka pasur kuorum.

​Nuk kalon plotësim ndryshimi i Ligjit për skemat pensionale

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti nuk mori mbështetjen e deputetëve, prej 61 sa morën pjesë në votim 25 ishin për, 32 deputetë kundër dhe 4 abstenime.

Para se ky propozim të hidhej në votim, deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj kërkoi që të gjithë të bashkohen për këtë projektligj.

Sipas tij kufizimi prej 15 vitesh shtazë për të fituar të drejtën si pensionist kontributdhënës ka shkaktuar shumë dëme.

“Ju ftoj pozitë dhe opozitë që ta mbështesim këtë nismën dhe që të largohet ky nen diskriminues nga ligji aktuale, dua tu përkujtoj se ky ligj ka bërë dëm shumë të madh dhe ky ligj përkundër faktit se ekziston një nisëm për unifikimin e skemave sociale në Kosovës ky ligj nuk bie ndesh në ligjin për unifikimin”, tha ai. 

​Kastrati i PDK-së me porosi për Kurtin

Tek ulësja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës, deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati ka vendosur një pankartë me porosinë për Kurtin se ne të tjerët do ta kujtojmë Oliver Ivanoviqin për krimet që ka bërë ndaj shqiptarëve.

Pankarta përmbante këtë porosi:

Dëshmitarja:

“Oliver shpëtoma djalin”,

Kurti:

“....të gjithë do ta ruajmë kujtimin e Oliver Ivanoviqit”

Ne të tjerët

“Po ne do ta kujtojmë Oliver Ivanoviqin për krimet që ka bërë ndaj shqiptarëve”

Porosia për Kurtin:

“Ka kaluar koha e Bogdan Bogdanoviqit dhe UJDI-t“.

​Nuk kalon projektligji për racionalizim, Tahiri: Qeveria të sjellë propozim të ri

Në mungesë të kuorumit nuk ka kaluar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive.

Ky projektligj tri herë me radhë u hodh në votim, dhe pasi nuk siguroi votat është bartur për seancën e ardhshme.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri u shpreh se si subjekt politik nuk do ta mbështesin Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive.

Sipas tij, ky proces ka devijuar prandaj kërkoi nga Qeveria e Kosovës një propozim të ri.

Tahiri: Në trajtimin e ligjit për racionalizim ne nuk do të marrim pjesë

“Në trajtimin e ligjit për racionalizim ne nuk do të marrim pjesë, mendojmë se ka devijuar procesi i racionalizimi është shtyrë dhe si rrjedhojë qeveria duhet të vijë me një propozim të ri për shkak se i gjithë koncepti i reformës që ndërlidhet me agjencionet ekzekutive ka rënë, andaj, kërkoj prej jush që të shkojmë në temën tjetër sepse nuk kemi kuorum”, tha Tahiri.

Vetëvendosje i del në mbrojtje Hajdarit: Çështjet teknike po tentohet të kthehen në politike

Lëvizja Vetëvendosje, i ka dalë në mbrojtje ministres së Industrisë, Rozeta Hajdari, e cila u kritikua pas dënimit për mosdeklarim të pasurisë.

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar ndaj Abelard Tahirit të PDK-së, duke i thënë që të mbetet në kuadër të agjendës.

“Po, është mungesë e efikasitetit tonë të përbashkët në këtë legjislaturë. Por do të duhej të kishte përmbajtje brenda agjendës. Ministrja e prezantoi një projektligj të rëndësishëm në diskutim. Prita një elaborim të mirëfilltë nga grupi më i madh opozitar me mendimin se jeni kthyer në seriozitet në vitin 2023. Për këtë çështje ju keni kërkuar debat i cili ende nuk është bërë. Atë debat besoj se të gjithë bashkë mund të dakordohemi ta kemi në mbledhje të kryesisë. Të mos e ndryshojmë agjendën për të cilën jemi ftuar. Ju sugjeroj që të mbesim në kuadër të agjendës”, ka thënë ajo.

E deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi tha se çështjet teknike po tentohet të kthehet në politike.

“Ne kemi hartuar Ligjin e ri për deklarimin e pasurisë i cili hyn ne fuqi 6 muaj pas miratimit. Me ligjin e ri, vonesat nuk janë as vepër penale. Ministrja Hajdari e ka deklaruar pasurinë por me dy ditë vonese, meqë e ka pranuar fajin. Por, po të paraqiste ankesë në shkallë të dytë do të dilte e pafajshme. Mos tentoni një çështje teknike ta ktheni në çështje politike”, ka thënë Rrustemi.

Lekaj: Me ardhjen e VV-së në pushtet është rritur importi nga Serbia

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se me ardhjen e VV-së në krye të pushtetit, është rritur importi nga Serbia.

Në seancën ku po diskutohet projektligji për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve, Lekaj ka thënë se i njëjti është dashur të sillet vitin e kaluar pasi mazhoranca i ka numrat.

Në emër të AAK-së, Lekaj tha se e përkrahin këtë projektligj.

“Projektligji për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve, më jep me kuptuar se është në interes të qytetarëve por këtë ligj e kemi pasur në dhjetor të vitit të kaluar, dhe nëse ka qenë interesi i qytetarëve dhe si mazhorancë i ke i numrat është dashur të kalojë”.

“Po nga kjo Qeveri ka pasur mos të ketë produkte serbe dhe keni qenë goxha shumë të zhurmshëm. Ne import më shumë kemi pasur nga Shqipëria sesa nga Serbia, ndërsa sot e kemi të kundërtën”, tha Lekaj.

Shala i PDK-së për Hajdarin: Kjo ministre nuk ka moral e as etikë

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka adresar një varg kritikash në adresë të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, duke thënë se e njëjta nuk ka moral për ta trajtuar projektligjin për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve, pasi që është e dënuar për mosdeklarim të pasurisë.

Shala tha se ministrja Hajdari po mban në sirtar investitorët strategjik, duke shtuar se ajo nuk ka moral e as etikë.

“Nëse e shikojmë ligjin, pajtohemi se Kosova ka nevojë për një ligj të tillë. Një ministre nuk mundet me trajtuar një ligj kur është dënuar me për deklarim të pasurisë”.

“Kjo ministre nuk ka moral e as etikë. Për më shumë se dy vjet, investitorët strategjik i mbani në sirtar dhe nuk e keni sjellë në Kuvend”, tha Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat