​Lansohet pilot-projekti për unifikimin e sistemit të adresave, pritet përmirësimi i shërbimeve për qytetarët

Aktuale

​Lansohet pilot-projekti për unifikimin e sistemit të adresave, pritet përmirësimi i shërbimeve për qytetarët

Më: 18 janar 2023 Në ora: 12:50
Pamje nga lansimi pilot-projektit

Të mërkurën është lansuar pilot-projekti për unifikimin e sistemit të adresave për komunën e Mitrovicës dhe Istogut. Përmes këtij pilot-projekti do të synohet të eliminohen problemet me adresa fillimisht në këto dy komuna, pastaj në tërë Kosovën, ndërkaq u tha se do të ofrohen shërbime më kualitative dhe të shpejta për qytetarët.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencisë së Regjistrimit Civil, Blerim Camaj, tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm për vendin.

“Sot jemi duke e lansuar një projekt shumë të rëndësishëm për shtetin që ka të bëjë me unifikimin e sistemit të adresave. Ky është një pilot projekt, ku ne si grupe punuese me gjithë akterët që janë prezentë kemi përzgjedhur komunën e Istogut dhe komunën e Mitrovicës. Grupet punuese i kanë përzgjedhur këto dy komuna për shkak të rëndësisë së veçantë që dallojnë njëra me tjetrën sa i përket sistemit të adresave”, tha ai.

Ndërkaq, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi tha se përmes këtij projekti do të mundësohet shfrytëzimi i adresave zyrtare dhe unike për qytetarët dhe të eliminohen gjitha problemet e deritanishme me adresa.

“Përmes këtij procesi mundësohet shfrytëzimi i adresave zyrtareve dhe unike nga qytetarët dhe eliminon problemet e deri tanishme me adresa dhe ofrohet mundësimi i shërbimeve më kualitative dhe më të shpejta për qytetarët”, shtoi Durmishi.

Mbështetje këtij projekti i është dhënë nga GIZ-i gjerman. Udhëheqësja e sektorit për zhvillim ndërkombëtar në Ambasadën e Gjermanisë, Vera Baumann, tha se përmes unifikimit të adresave do të përmirësohen shërbimet për qytetarët.

“Gjermania është gjithmonë në kërkim të mundësive që të gjejë mënyra që të përshpejtojë zhvillimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Ne po tentojmë që të gjejmë mënyrat që janë lehtë të zbatueshme që të sjellim Kosovën afër BE-së në mënyrë të përshpejtuar... Ky projekt është shumë i rëndësishëm që të përshpejtohen zhvillimet në gjithë sektorët që i kemi si bashkëpunim. Gjermania është aktive që shumë vite në sektorin e ujërave, energjisë dhe infrastrukturës. Është e mundur që për gjithë partnerët në Kosovë që të krijohet E-Qeverisja dhe të mundësohet shërbimet për qytetarët. Jemi të lumtur që kemi bashkëpunuar për këtë projekt”, tha ajo.

Ndërsa, Massimiliano Paolucci, menaxher i zyrës së Bankës Botërore, tha se në Kosovë duhet të kompletohet sistemi i adresave.

“Jemi të lumtur që jemi partner në këtë përpjekje për të lansuar dhe me shpresën që të kompletohet sistemi i adresave në Kosovë. Pa adresa, njerëzit nuk kanë qasje në llogari bankare dhe nuk mund të aplikosh për kredi”, theksoi ai.

Në anën tjetër, kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, e mirëpriti këtë projekt, derisa tha se është i një rëndësie të veçantë për komunën që drejton, por edhe tërë Kosovën.

“Projekti i unifikimit të adresave është një projekt i rëndësisë së veçantë. Më shumë se disa dekada me ketë problem ballafaqohen qytetarët e Kosovës, bizneset dhe institucionet... Besoj që rëndësia e projektit, pasi jemi komunat e para me përkushtimin më të madh dhe seriozitetin do t’i qasemi këtij projekti që të jetë i suksesshëm, pasi suksesi në këto dy komuna do të bëjë më të lehtë implementimin e këtij projekti në gjithë Kosovën”, tha Hamza.

Kurse, nënkryetari i komunës së Istogut, Ali Nimani, u zotua se do të mbështesin këtë projekt për zbatimin e tij.

“Ne si komunë e përzgjedhur për këtë pilot-projekt, zotohemi këtu që do të mbështesim dhe jemi të gatshëm për bashkëpunim të mirëfilltë për zbatimin e këtij projekti. Projekti i tillë në unifikimin e sistemit të adresave është e një rëndësie të veçantë kur kemi parasysh një sërë fushash, siç janë taksat, regjistrimi civil dhe e drejta pronësore”, theksoi Nimani.

Pas pilot-projektit në këto dy komuna, i njëjti pritet të vazhdojë në tërë Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat