Sulmet ndaj gazetarëve në veri, revoltohet Deliu – Kodra: Drejtësia nuk po i trajton me prioritet këto raste

Aktuale

Sulmet ndaj gazetarëve në veri, revoltohet Deliu – Kodra: Drejtësia nuk po i trajton me prioritet këto raste

Më: 18 janar 2023 Në ora: 15:01
Blerta Deliu – Kodra

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu – Kodra, gjatë seancës së sotme të Kuvendit ka kritikuar Qeverinë dhe Presidencën për qasjen ndaj mediave dhe gazetarëve.

Ajo tha se liderët e shtetit kanë tendeca për “sulme” ndaj gazetarëve.

“Janë 22 raste të kërcënimeve ndaj gazetarëve vetëm gjatë shtatë muajve, dhe natyrisht nëse i krahasojmë me vitin paraprak, shihet që ka një përpjekje të Qeverisë, të zyrtarëve të lartë, të Presidentes, Presidencës, madje deri tek bashkëshorti i saj z.Sadriu, i cili ka qenë jashtëzakonisht i ashpër ndaj medias së lirë në Kosovë”, u shpreh Deliu – Kodra.

Ajo tha se gjuha e tillë e përdorur ndah gazetarëve nuk ka ekzistuar më herët, para Qeverisë Kurti.

“Deri më tani nuk kemi pasë raste të tilla të shpërfaqura, të kërcënimit të hapur, të gjuhës së rëndë denigruese ndaj përfaqësuesve të mediave në Kosovë, nga zyrtarë të lartë të shtetit të Kosovës”, potencoi deputetja e PDK-së.

Tutje, Deliu – Kodra foli edhe për mungesën e kryeministrit Kurti në mediat e Kosovës, për dallim nga ato ndërkombëtare.

“Reagimet ndaj kësaj gjuhe kanë qenë të pakta për të mos thënë nuk kanë ekzistuar fare. Ka një përpjekje të përhershme që të minohet fjala e lirë. Asnjë qeveri nuk ka qenë më e mbyllur ndaj mediave. Të pakta janë edhe prezenca e përfaqësuesve të Qeverisë në mediat në Kosovë, derisa kryeministrin e shohim në mediat ndërkombëtare, por është fare pak, për të mos thënë aspak i pranishëm dhe i hapur ndaj gazetarëve në Kosovë”, deklaroi ajo.

Deputetja e PDK-së përmendi edhe sulmet ndaj gazetarëve në Veri të vendit.

“Institucionet e drejtësisë nuk i trajtojnë me prioritet rastet e kërcënimeve ndaj gazetarëve. Po flas për rastet në Veri, ku kemi parë gazetarë që kanë rrezikuar jetën e tyre për të raportuar drejt nga ambiente të cilat nuk kanë qenë fare të lehta për raportim”, tha Deliu – Kodra.

Mes tjerash ajo kërkoi që të merret më seriozisht kjo çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat